Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), në bashkëpunim me shoqatën bujqësore AgroPuka organizuan workshopin e dytë udhëtues: Partneritete për shërbime të reja të asistencës bujqësore, një aktivitet që kombinoi udhëtimin me workshopin duke ofruar një mundësi unike për të njohur nga afër realitetet rurale lokale.
Workshopi mblodhi në Pukë rreth 30 pjesëmarrës duke përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillimi (AICS), Agjencisë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor, Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, organizatave të shoqërisë civile, shërbimit të ekstensionit dhe institucioneve të tjera publike, duke krijuar një platformë të hapur për diskutim dhe shkëmbim të ideve mbi sfidat dhe mundësitë e prodhuesve të vegjël bujqësorë të angazhuar në zinxhirin e vlerës së frutave të pyllit dhe bletarisë dhe perspektivës së tyre për të ardhmen.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë dhe të njihen me modelin e Qendrës së Asistencës Bujqësore dhe Rurale (QABR) që funksionon në qytetin e Pukës. QABR Pukë ofron shërbime të specializuara për fermerët, mbështet formalizimin e sipërmarrjeve bujqësore dhe promovon qëndrueshmërinë e tyre. E drejtuar AgroPuka, kjo qendër bashkëpunon ngushtë me agjencitë publike dhe private për të ofruar trajnime, asistencë direkte dhe grumbullim të të dhënave për qëllime të analizave të ndryshme
Në fjalën e tij hapëse, Sabah Djaloshi, Drejtor Ekzekutiv i AgroPuka, ndër të tjera u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar qëndrueshmërinë e nismave të tilla: Insitucionet publike, sidomos partnerët lokalë, luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe duhet të mbështesin këtë model të ri të asistencës bujqësore. Në përfundim të projekteve, donatorët do të largohen dhe do jemi të gjithë ne, ata që duhet t’i bëjmë këto nisma të zgjasin. Prandaj në përfundim të ditës së sotme duhet të dalim me disa rekomandime konkrete për vazhdimësinë e QABR.
Lavinia Sgamini, Koordinatore Projekti, RTM Albania, përforcoi momentumin që kjo ditë shënon për të focuar bashkëpunimin shumëaktorial: Që në fillim të zbatimit të nismës ka patur një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aktorët lokalë. Takime të tilla për shkëmbimin e përvojave, si brenda dhe jashtë vendit, kanë qenë një mundësi e shkëlqyer për diskutuar mbi hapat që duhet të ndiqen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve rurale.
Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare, ANRD, vuri në dukje potencialin që ka ky model për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale: Deri më tani krijimi i QABR ka ngjallur shumë kuriozitet dhe interes për të parë ndikimin që këto qendra pilot sjellin në terren. Momente si ky i sotmi shërbejnë për të kuptuar sesi këto modele mund të jenë të qëndrueshme dhe të replikohen në zona të tjera të vendit në të ardhmen. Roli i të gjitha institucioneve duhet të rritet për t’i përdorur këto modele në transformimin e fshatrat në zona ku njerëzit duan të jetojnë dhe investojnë.
Nicola Ghedin, AICS Tirana, u ndal tek qëllimi kryesor për mbështetjen e projektit Ruralbania: Projekti Ruralbania ka lindur me një ide: të vendosen në dispozicion njohuri, mjete dhe struktura për të asistuar fermerët dhe e gjitha kjo u bë përmes krijimit të QABR. Nuk jemi sot këtu vetëm për të biseduar, por për të ballafaquar ide dhe rrahur mendime për mënyrën sesi këto modele do të vazhdojnë në të ardhmen. Krjimi i këtyre modeleve ka ardhur në jetë falë bashkëpunimit të të gjithë aktorëve dhe jemi krenarë të shohim rezultatet e këtij bashkëpunimi.
Në vijim Melita Kuçi, Koordinatore e QABR Pukë, ndau me pjesëmarrësit funksionimin dhe ndikimin konkret të qendrës në terren. QABR Pukë ofron konsulencë dhe mbështetje administrative për fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore. Qendra ka lehtësuar aplikimet për grante, krijuar lidhje me tregjet, ka ofruar informacion mbi legjislacionin dhe po shërben si urë lidhëse mes fermerëve dhe institucioneve publike. Përmes QABR, fermerët marrin ndihmë konkrete për zhvillimin dhe formalizimin e aktiviteteve të tyre.
Njohja e pjesëmarrësve me modelin dhe ndikimin e QABR në terren shërbeu për nxitjen e një diskutimi gjithpërfshirës që u fokusua në disa çështje shumë të rëndësishme si vijon:
- Rritja e moshës mesatare të ekstensionistëve, e shoqëruar me numrin e madh të fermave të vogla, e bën të pamundur mbulimin e të gjithë zonës nga shërbimet e ekstensionit publik.
- Pavarësisht se ndër vite organizatat lokale kanë arritur të krijojnë marrëdhënie shumë të
- mira bashkëpunimi me pushtetin vendor, roli aktiv i institucioneve lokale në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvilimit rural duhet të rritet.
- Në kontekstin e sfidave historike në krjimin e marrëdhënieve të besimit midis fermerëve dhe aktorëve të tjerë të interesit, QABR-të janë kthyer në një strukturë të besueshme për fermerët e zonës. Përvoja shumëvjeçare e organizatave lokale si AgroPuka dhe ADAD Malore me komunitetet lokale, ka rezultuar në një marrëdhënie të ndërsjelltë besimi që është një faktor shumë i rëndësishëm për fuqizimin e fermerëve.
- Përzgjedhja e ekipeve të QABR-ve sipas ekspertizës në zinxhirët e vlerës të përzgjedhur në kuadër të projektit në secilën zonë ka rezultuar efektive dhe ka dhënë rezultate pozitive.
Pas diskutimeve të frytshme, pjesëmarrësit vizituan fermën “Çobaj”, e drejtuar nga Minire Çobaj dhe Nazmi, përfituese e shërbimeve të QABR. Ferma ka një përvojë më shumë se 30 vjeçare në mbarështimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit e nënprodukteve të tij. Gjatë vizitës, u zhvillua një bisedë e hapur me fermerët, të cilët ndanë eksperiencën e tyre dhe përfitimet e prekshme që kanë sjellë shërbimet teknike dhe këshillimore të QABR.
Workshopi udhëtues shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneriteteve për ofrimin e shërbimeve të reja të asistencës bujqësore. Diskutimet e hapura, shembujt konkretë në terren dhe pjesëmarrja e aktorëve kyç treguan se modeli i QABR ka potencial të madh për t’u zgjeruar dhe institucionalizuar. Bashkëpunimi ndërmjet organizatave lokale, institucioneve publike dhe komuniteteve rurale është është domosdoshmëri në zvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale.
*** Workshopi Udhëtues:“Partneritete për shërbime të reja të asistencës bujqësore” u zhvillua në kuadër të projektit “Ruralbania: Nisma për Mbështetjen dhe Promovimin e Produkteve Tradicionale Bujqësore për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Rurale të Shqipërisë”, mbështetur nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe zbatuar nga konsorciumi italo-shqiptar i udhëhequr nga RTM – Volontari nel Mondo, në partneritet me ANRD, ADAD Malore dhe AgroPuka.




