ANRD nis një nisme të re për zhvillimin rural gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Shqipëri

Komunitetet rurale në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme ekonomike, sociale dhe demografike. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi, ANRD po zbaton projektin “Mbështetje për zhvillimin rural gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Shqipëri”.

Projekti do të zbatohet gjatë periudhës 2026 – 2028 dhe synon të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mundësive ekonomike në zonat rurale, përmes forcimit të qeverisjes gjithëpërfshirëse, sistemeve ushqimore lokale dhe barazisë gjinore.

Në qendër të ndërhyrjes qëndron fuqizimi i ANRD-së dhe organizatave anëtare të veta për të ofruar shërbime më cilësore për komunitetet rurale, për të përfaqësuar më mirë interesat e tyre dhe për të kontribuar në proceset e politikëbërjes përmes advokimit të bazuar në evidenca.

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet:

  • · forcimit të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokalë përmes platformave rajonale, Grupeve Lokale të Veprimit dhe formave të tjera të veprimit kolektiv;
  • · promovimit të sistemeve ushqimore lokale më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse;
  • · mbështetjes së iniciativave që krijojnë mundësi më të mira ekonomike për fermerët dhe prodhuesit ruralë;
  • · avancimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.

Përmes këtij projekti, ANRD synon të kontribuojë në ndërtimin e komuniteteve rurale më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më të lidhura mes tyre, të afta për të ndikuar në zhvillimin e tyre. Projekti mbështet iniciativat lokale, nxit bashkëpunimin ndërmjet aktorëve dhe promovon zgjidhje që i përgjigjen nevojave dhe aspiratave të komuniteteve rurale.

Projekti mbështetet nga We Effect, një organizatë suedeze zhvillimi e angazhuar në fuqizimin e komuniteteve rurale. Përmes veprimtarisë së saj, We Effect promovon barazinë gjinore, zhvillimin rural të qëndrueshëm, përfshirjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sfidave mjedisore dhe klimatike.

KOMUNITETE RURALE MË TË FORTA. SISTEME USHQIMORE MË TË QËNDRUESHME. MUNDËSI TË BARABARTA PËR TË GJITHË.