Të kuptojmë UNDROP – Çfarë do të thotë për Shqipërinë?

Komunitetet rurale në Shqipëri vijojnë të përballen me sfida ekonomike, sociale dhe mjedisore, ndërsa vendi avancon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, bujqësia dhe zhvillimi rural mbeten ndër prioritetet kryesore për forcimin e sigurisë ushqimore, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e balancuar territorial. Arritja e këtyre objektivave kërkon politika që mbështesin jo vetëm konkurrueshmërinë e sektorit, por edhe jetesën dhe mirëqenien e njerëzve që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale.

Fermerët familjarë, blegtorët, prodhuesit e vegjël dhe njerëzit e tjerë që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale japin një kontribut të rëndësishëm në prodhimin e ushqimit, menaxhimin e burimeve natyrore, ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e territoreve rurale. Mbështetja e tyre dhe krijimi i perspektivave të qëndrueshme që mundësojnë kontributin e tyre aktiv në zhvillimin e vendit janë prioritare për të ardhmen e Shqipërisë rurale.
Në këtë kuadër, Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fermerëve të vegjël dhe Personave të Tjerë që Punojnë në Zonat Rurale (UNDROP) ofron një kornizë referimi që pasuron dialogun mbi zhvillimin rural. Ajo promovon një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut, duke vendosur në qendër njerëzit që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale dhe duke nxitur reflektimin mbi mënyrën se si politikat publike ndikojnë jetesën dhe mirëqenien e tyre.

Për Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), prezantimi i UNDROP është një vazhdimësi e angazhimit për zhvillim rural gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje dhe të qëndrueshëm. ANRD, përmes nismave si Parlamenti Rural Shqiptar, Qendra e Rinisë Rurale, Pro-Grave Rurale, promovimit të qasjes LEADER/CLLD dhe mbështetjes për bujqësinë familjare, ka kontribuar në forcimin e dialogut ndërmjet komuniteteve rurale, institucioneve publike dhe partnerëve të zhvillimit.

Ky publikim synon të prezantojë UNDROP dhe rëndësinë e tij për vendin tonë. Dokumenti shpjegon parimet dhe të drejtat kryesore të njohura nga Deklarata, lidhjen e tyre me prioritetet e zhvillimit rural në vend dhe veçon qeverisjen e tokës bujqësore si një temë me rëndësi për debatin publik. Qëllimi i tij nuk është të ofrojë interpretime ligjore apo rekomandime politike, por të nxisë dialogun dhe reflektimin mbi mënyrën se si parimet e UNDROP mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të zonave rurale.

Shkarkoni këtu UNDROP paper_ALB