+355 (04) 2400241 info@anrd.al

“Paketa e Maleve” dhe nevoja për një politikë të bazuar në territor për një të ardhme të qëndrueshme të zonave malore

Malet dhe një e ardhme më e mirë për komunitet malore janë në fokusin e qeverisë shqiptare. Projektligji “Paketa e Maleve” synon t’i mbrojë këto zona nga braktisja, t’i rimëkëmbë ekonomikisht dhe t’i kthejë në komunitete ku banorët jetojnë, punojnë dhe investojnë.  

Por, çfarë përfaqëson kjo paketë? A mjaftojnë masat fiskale dhe stimujt ekonomikë të Paketës për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm? A mundet që Paketa e maleve të jetë një instrument real për zhvillimin e  zonave malore? Dhe më e rëndësishmja, a është kjo një politikë e bazuar në territor, apo thjesht një paketë investimesh të shpërndara pa një qasje të integruar?

Politikat e bazuara në territor kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse që merr parasysh karakteristikat unike të çdo zone, duke përfshirë aktorët lokalë në procesin vendimmarrës dhe duke siguruar që ato janë të përshtatura me nevojat dhe potencialet lokale. Një politikë e bazuar në territor synon jo vetëm nxitjen e zhvillimit ekonomik, por edhe trajtimin e specifikave dhe potencialeve të një rajoni të caktuar. Malësorët e këtyre komuniteteve nuk largohen thjesht për shkak të varfërisë ekonomike, por edhe sepse përballen me mungesën e edukimit cilësor, shërbimet  e përkujdesit shëndetësore  dhe social si dhe mundësitë për të ndërtuar një jetë dinjitoze.

Projektligji “Për paketën e maleve”

Më 9 janar 2025, Këshilli i Ministrave miratoi Projektligjin “Për paketën e maleve”, i cili synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të zonave malore në vend përmes nxitjes dhe tërheqjes së investimeve dhe kalimit të pronësisë së pasurive shtetërore subjekteve private me tarifën simbolike 1 euro[1]. Ky projektligj përfaqëson një përpjekje për të shfrytëzuar burimet natyrore dhe kulturore të këtyre zonave me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Paketa krijon mundësi për konsolidimin e marrëdhënieve juridike në lidhje me pronësinë dhe lehtëson procedurat administrative dhe tatimore për investimet në zonat malore.

Për këtë qëllim, Paketa përcakton procedurat dhe rregullat e posaçme për:

  • Shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi, duke u bazuar në potencialin e tyre ekonomik, industrial ose turistik.
  • Zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
  • Kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike prej 1 euro, për pasuritë shtetërore të cilat ndodhen në posedim faktik të individëve ose subjekteve jopronarë.

Pasi një zonë shpallet prioritare për zhvillim nga qeveria, individët ose subjektet private që posedojnë pasuri shtetërore pa titull pronësie mund të aplikojnë për njohjen e statusit të “poseduesit jopronar”. Këtyre subjekteve do t‘u jepet mundësia të blejnë pronën me çmimin simbolik 1 euro dhe do të pajisen me një leje ndërtimi 2-vjeçare. Numri i përfituesve do të jetë maksimumi 500 subjekte.

Përfituesit e kësaj skeme do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e pasurive të patundshme, tatimi mbi të ardhurat dhe TVSH-ja për një periudhë 10-vjeçare. Këto lehtësira do të krijojnë një klimë më të favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik në zonat malore. 

“Paketa e Maleve” – një instrument real për zhvillimin e zonave malore?

Paketa, edhe pse e vonuar, reflekton një qasje proaktive të qeverisë për zhvillimin e zonave malore me karakteristika dhe sfida të veçanta. Ajo përfaqëson një hap pozitiv drejt një politike të bazuara në territor për zhvillimin e zonave malore. Megjithatë, duke qenë se projektligji trajton çështje të ndjeshme si pronësia dhe administrimi i burimeve, ka ende nevojë për qartësimin e disa përkufizimeve dhe harmonizimin e tij me kuadrin e përgjithshëm rregullator. Nisur nga rëndësia që mbart, është e domosdoshme që projektligji të kalojë përmes një procesi të gjerë konsultimi me grupet e interesit, veçanërisht me banorët e komuniteteve malore, për të siguruar që nevojat e tyre adresohen dhe të shmangë riskun e orientimit të politikave kryesisht drejt subjekteve private.

Sfidat e komuniteteve malore mbeten komplekse dhe përfshijnë aspekte sociale, ekonomike dhe mjedisore. Gjithashtu, përvoja e punës me komunitete rurale dhe malore ka theksuar se, përveç mirëqenies ekonomike, popullata lokale ka nevojë edhe për mirëqenie sociale në vendimet për të qendruar dhe investuar në këto zona, apo për t’u larguar drejt atyre urbane.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së Paketës, buxheti i shtetit nuk parashikon fonde publike për këtë nismë. Në vend të financimeve direkte, qeveria synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për investime private përmes lehtësirave fiskale dhe stimujve ekonomik. Që këto të fundit të jenë me ndikim, kryesisht për banorët e zonave në fokus, duhet të ofrohen pasi të jenë krijuar disa parakushte të rëndësishme. Parakushtet lidhen me përmirësimin e shërbimeve bazë, me prioritet edukimin cilësor dhe kujdesin shëndetësor, infrastrukturën rrugore lidhëse me zonat urbane, tregjet dhe shërbimet bazë si dhe furnizimi i pandërprerë me energji elektrike dhe ujë. Këto janë prioritare në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të zhvillimit, që do të mundësonte kthimin e Paketës në një instrument real të zhvillimit të komuniteteve malore. Pra, lehtësirat fiskale dhe stimujt nuk janë të mjaftueshëm dhe do të gjenerojnë një efekt të kufizuar nëse programe që përmirësojnë aksesin e komuniteteve në shërbimet bazë nuk do të pararendin ose shoqërojnë zbatimin e Paketës. Pa investime në këto fusha, zonat rurale dhe malore mbeten të izoluara, duke kufizuar zhvillimin ekonomik dhe duke nxitur largimin e popullsisë së re.[2]

Paketa e Maleve ka potencialin për të qenë një instrument real zhvillimi, dhe një model i vërtetë i një politike të bazuar në territor nëse përfshin një qasje gjithëpërfshirëse, zbatohet në mënyrë të integruar dhe të qëndrueshme, dhe përfituesit direkt të jenë banorët e larguar dhe ata prezent në zonë. Vetëm atëherë do të jetë më shumë se një politikë fiskale, një politikë e bazuar në territor.

Paketa e maleve – nga një ide e mirë në 500 investime të sukseshme. Si ndihmojnë prioritetet e qytetarëve për zhvillimin e turizmit malor në Paketën e maleve?

Në teori, Paketa e Maleve është një ide e mirë që mund të ndihmojë zhvillimin e zonave malore. A mundet të kthehet në një politikë të zbatueshme dhe të mbahet mend si politika e 500 investimeve të suksesshme? Cilët janë faktorët e rëndësishëm që duhet të merren në konsideratë për të kaluar nga thjesht „një ide e mirë“ në 500 investime të suksesshme?

Në kontekstin e vendit tonë, zbatimi i Paketës së Maleve përballet me sfida të mëdha, për shkak të një sërë faktorësh, si strukturore dhe historikë, që kanë ndikuar në politikat zhvillimore të zonave rurale dhe malore. Për të prezantuar këto sfida, kjo trajtesë do të bazohet në disa nga prioritetet e dakortësuara nga qytetarët, në kuadër të një diskutimi deliberativ mbi zhvillimin e turizmit rural dhe malor[3].

Insfrastruktura e dobët rrugore, dixhitale dhe logjistike[4]: Mungesa e investimeve në infrastrukturë përkeqëson edhe më tej situatën sociale dhe ekonomike të komuniteteve rurale dhe malore për shkak të izolimit dhe largimit të të rinjve nga zonat rurale, duke penguar në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik vendor. Për më tepër, mungesa e infrastrukturës jo vetëm që kufizon zhvillimin e turizmit, por rrit rrezikun e aktiviteteve turistike të pakontrolluara që shpesh shkelin parimet e qëndrueshmërisë mjedisore dhe dëmtojnë pasuritë natyrore. Nëse qeveria nuk parashikon programe mbështetëse të përmirësimit të infrastrukturës lidhëse, zonat rurale dhe malore mbeten të izoluara, duke kufizuar zhvillimin ekonomik dhe duke nxitur largimin e popullsisë së re.

Mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike[5], veçanërisht në zonat turistike,  përfaqëson një nga sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërisë mjedisore, e cila bëhet e dukshme sapo kushtet e motit përkeqësohen. Gjithashtu, aplikimi i ulët i burimeve alternative të energjisë e bëjnë biznesin apo komunitetin të pasigurt në situata emergjente, kur furnizimi nga burimet tradicionale mund të bjerë për shkak të krizave klimatike, gjeopolitike ose edhe defektet e shpeshta në një rrjet të amortizuar. Nxitja e përdorimit të burimeve alternative të energjisë në zhvillimin e turizmit malor dhe rural është prioritet drejt furnizimit të qëndrueshëm energjetik edhe në zona të izoluara, duke ulur kostot në afat të gjatë dhe ndihmuar në arritjen e tranzicionit të qëndrueshëm dhe të drejtë.

Potenciali për ndërtim të pakontrolluar dhe dëmtimi mjedisor[6]: pavarësisht ekzistencës së nismave ligjore dhe rregullatore dhe theksit gjithashtu edhe në Projektligj, në përputhshmërinë e investimeve me legjislacionin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit,  zbatimi  i tyre ka qenë shpesh i pamjaftueshëm. Zonat malore kanë një biodiversitet të pasur, i cili rrezikon të dëmtohet nëse investimet nuk realizohen në harmoni me mjedisin. Përvoja e ndërtimeve të pakontrolluara në bregdet dhe në zona të tjera turistike tregon se zhvillimi i paorganizuar mund të dëmtojë natyrën dhe të krijojë më shumë probleme sesa përfitime. Ndalimi i ndërtimeve invazive dhe tjetërsuese do të mbrojnë trashëgiminë social-kulturore të zonave rurale dhe malore. ­ Paketa mund të ofrojë garanci për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore nëse eviton qasjen ndërtimore sot për sot, por duke vënë në fokus nevojat e brezave të ardhshëm.

Forcimi dhe fuqizimi i strukturave ligj-zbatuese për të parandaluar ndërtime që dëmtojnë mjedisin është prioritare. Vendosja dhe zbatimi me përpikmëri i raporteve ndërtime – hapësirë – burime, për të parandaluar mbindërtimin dhe dëmtimin e burimeve dhe peizazhit. Ky raport do të ndihmonte në shpërndarjen e numrit të paracaktuar të 500 investimeve, duke ndihmuar në caktimin më të mirë të zonave me prioritet zhvillimi në një bashki.

Shpërndarja e përfitimeve dhe përfshirja e banorëve lokal: Paketa e maleve bazohet tërësisht në investime private në prona shtetërore. Për këtë arsye, është e rëndësishne që të përcaktohen kriteret dhe të sigurohet një proces i qartë për të shmangur favorizimin e disa zonave malore në dëm të të tjerave, veçanërisht atyre të izoluara apo me kushte më të vështira zhvillimi. Për më tepër, prioriteti kryesor i kësaj pakete duhet të jetë krijimi i mundësive për komunitetet vendore dhe jo vetëm për investitorët e mëdhenj.

Përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi fillon me kërkesën e argumentuar të bashkisë kompetente për shpalljen e territorit të bashkisë apo të pjesës malore të atij territori si zonë zhvillimi. Megjithatë, projektligji nuk përcakton zonat malore, ose bashkitë kompetente objekt i kësaj pakete. Nga ana tjetër, kërkesa e argumentuar për shpalljen e zonës së zhvillimit motivohet kryesisht nga nevoja për nxitjen dhe realizimin e potencialit të zhvillimit ekonomik, industrial apo turistik të zonës. Projektligji përfshin si argument praninë e poseduesve jopronarë në territorin e zonës, si dhe me vështirësitë e hasura në dhënien e akteve të zhvillimit të territorit (leje zhvillimi dhe ndërtimi) në raport me pjesën tjetër të territorit.[7]

Megjithatë, një shpërndarje e barabartë e investimeve dhe përfitimeve, kërkon që kërkesat e argumentuara të mbështeten në të dhëna të plota dhe objektive, duke përfshirë planet vendore të turizmit[8], dhe planet e zhvillimit lokal të hartuara nga bashkitë. Këto dokumente strategjikë ofrojnë një bazë solide për të argumentuar nevojën për nxitjen dhe realizimin e potencialit të zhvillimit ekonomik, industrial apo turistik të zonës[9]. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e planeve vendore për turizmin dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit siguron që këto plane përputhen me strategjitë kombëtare. Kërkesa e argumentuar bazuar mbi planin vendor të turizmit do të sigurojë që investimet do të përdorin burimet territoriale në mënyrë të qëndrueshme, pa i degraduar. Dhe plani vendor për turizmin mund të ndihmojë në koordinimin e investimeve në infrastrukturë, duke përfshirë rrugët, furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji, objektet e akomodimit dhe shërbimet turistike, duke maksimalizuar në këtë mënyrë investimet e pritshme në kuadër të Paketës së maleve.

Nëse zbatimi i Paketës së Maleve, nuk shoqërohet me krijimin e skemave mbështetëse për fermerët e vegjël, gratë rurale dhe sipërmarrësit e rinj lokalë, paketa mund të përfundojë si një projekt që u shërben vetëm disa investitorëve të mëdhenj. Përfshirja e të rinjve në sipërmarrjen turistike[10] për të ndaluar largimin e tyre nga fshati dhe krijimin e kushteve për të inkurajuar kthimin e tyre përbën një ndër dhjetë rekomandimet prioritare të Paneleve Qytetare. Të rinjtë sjellin ide novatore që diversifikojnë dhe përmirësojnë shërbimet dhe aktivitetet turistike për vizitorët dhe duke forcuar imazhin pozitiv të destinacioneve malore.

Propozimi i nismës “Rinia Rurale Strategjike” që ka në fokus të rinjtë e zonave rurale si aset strategjik për zhvillimin rural, duke ofruar mbështetje për nxitjen e tyre në sipërmarrje; mundësimi i kredive me interesa të ulëta për të rinjtë që synojnë të investojnë në turizmin rural dhe aktivitetet mbështetëse dhe ofrimi i trajnimeve në tematika të tilla si mikpritja, guidat turistike, menaxhimi i sipërmarrjeve turistike dhe shërbimet përbëjnë disa nga masat konkrete për zbatimin e këtij prioriteti.[11]

Mbështetje për fermerët apo grupet e fermerëve në regjistrimin dhe çertifikimin e produkteve tradicionale apo të territorit sipas skemave të cilësisë (Tregues Gjeografik dhe Specialitete Tradicionale të Garantuara) si dhe për fermerët që përdorin fara origjinale ose raca autentike, janë masa konkrete në rekomandimin mbi promovimin dhe mbrojtjen e produkteve lokale[12].

Përfundime

“Paketa e Maleve” përfaqëson një hap pozitiv drejt hartimit dhe zbatimit të politikave të bazuara në territor në Shqipëri. Pavarësisht prezantimit  të Paketës me sunimin për të shpëtuar braktisjen e zonave malore, zbatimi i saj mbart disa sfida që mund të ndikojnë në efektivitetin e tij.

Kjo trajtesë prezantoi disa faktorë të cilët kushtëzojnë suksesin e nismës, dhe ndër të tjera përfshijnë nevojën për konsultim të gjerë dhe qartësi të përmirë, forcimit të mekanizmave të mbikëqyrjejes publike,  shpërndarjen e barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga zbatimi i lehtësirave fiskale dhe stimujve ekonomik të Paketës, ruajten e qëndrueshmërisë mjedisore në përgjigje të investimeve që do të realizohen dhe ndërmarrjes së një pakete mbështetëse me investime publike në infrastrukturë lokale sociale dhe ekonomike dhe akses në shërbime bazë si dhe programe mbështetëse për prodhuesit e vegjël, të rinjtë, gratë dhe sipërmarrësit lokal.

 

[1] Projektligji për paketën e maleve, aksesuar në https://www.kryeministria.al/neësroom/projektligje-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-9-janar-2025/
[2] IDM (2024). Rekomandimet e pjesëmarrësve të Paneleve Qytetare për zhvillimin e turizmit rural dhe malor aksesuar në Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve – IDM Albania
[3] Si më sipër
[4] Rekomandimi 3: Përmirësimi i insfrastrukturës rrugore, dixhitale dhe logjistike për turizmin malor, faqe 7, aksesuar në Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve – IDM Albania
[5] Rekomandimi 8: Nxitja e përdorimit të burimeve alternative të energjisë në zhvillimin e turizmit malor dhe rural në Shqipëri, faqe 15 aksuar në linkun si më sipër
[6] Rekomandimi 4: Ndërtimi në harmoni me mjedisin, faqe 14, aksesuar në Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve – IDM Albania
[7] Neni 4, Projektligji “Për paketën e maleve”
[8] Rekomandimi 4: Hartimi i planeve vendore të turizmit faqe 9, aksesuar në Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve – IDM Albania
[9] Neni 4, pika 2 Projektligji “Për paketën e maleve”
[10] Rekomandimi 6: përfshirja e të rinjve në sipërmarrje turistike, faqe 12
[11] Si më lart
[12] REKOMANDIMI 2: PROMOVIMI DHE MBROJTJA E PRODUKTEVE LOKALE, faqe 5