Përfaqësuesit e Rrjeteve Kombëtare të Zhvillimit Rural nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, së bashku me rrjetin partner në Kroaci dhe platformën rajonale të përbashkët, Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin Rural (BRDN) ndajnë shqetësimin e përbashkët lidhur me vështirësitë me të cilat po përballen për sigurimin e bashkëfinancimit për projektin rajonal të financuar nga BE, “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane”.
Gjatë takimit të fundit të partnerëve të projektit në mars 2025, kjo çështje u ngrit si një sfidë kryesore dhe urgjente që mund të rrezikojë zbatimin e suksesshëm të kësaj nisme. Ndërsa BE vazhdon të mbetet donatori kryesor që mbështet shoqërinë civile në rajon, ulja e financimeve nga burime të tjera ka rritur ndjeshëm vështirësinë e përmbushjes së kërkesave për bashkëfinancim. Projektet e financuara nga BE kërkojnë burime bashkëfinancimi të ndryshme nga BE, dhe ndërkohë që institucionet publike shpesh kanë akses të drejtpërdrejtë në buxhetin shtetëror të alokuar për këtë qëllim, organizatat e shoqërisë civile mbeten në një pozicion të pafavorshëm, pa mekanizma të strukturuar për të përmbushur këto kërkesa.
Konsorciumi zbatues i projektit Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër i bën thirrje institucioneve publike, donatorëve dhe aktorëve të tjerë të interesit të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbështetur OShC-të që aktualisht po zbatojnë projekte të financuara nga BE për të përmbushur kërkesat kontraktuale të bashkëfinancimit dhe për të arritur rezultatet e pritura.
Ne mbetemi të angazhuar për të punuar ngushtësisht me të gjitha palët e interesit për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe presim mbështetje për të adresuar këtë çështje urgjente.
Për më shumë lexoni Letrën e Hapur, përgatitur nga konsorciumi i projektit.