+355 (04) 2400241 [email protected]

Sfondi

Komunitetet rurale në Shqipëri, ngjashëm si në vendet e rajonit dhe globalisht, po përpjetojnë një seri problemesh të shkaktuar nga zbatimi i masave për të luftuar përhapjen e Coronavirusit1. Mbyllja ka bërë më të dukshme dhe ka thelluar problemet ekzistuese të komuniteteve rurale, në veçanti për grupet më të cënueshme të shoqërisë. Gjasat që këto grupe do të preken nga efektet e krizës edhe pas hapjes janë të larta.

Banorët e zonave rurale dhe të vetëpunësuarit në fermat familjare në bujqësi janë një ndër grupet me nivel më të lartë të varfërisë së bashku me të papunët, dhe personat me nivel arsimor më të ulët2. Të rinjtë rural përbëjnë edhe grupin më vulnerabël të popullatës rurale. Interesi i ulët për t’u përfshirë në punë bujqësore si pasojë e vështirësisë si profesion, aksesit të kufizuar në tregje, apo nivelit të ulët të të ardhurave ka sjellë papunësi, varfëri dhe perspektivë të kufizuar për të ardhmen e të rinjve ruralë. Për më tepër, një nga problemet, që bëhet e dukshme në këtë periudhë, është lidhja e ulët digjitale e zonave dhe banorëve ruralë.

Në kuadër të punës tematike me të rinjtë në zonat rurale, ANRD zhvilloi një webinar me qëllim për të dëgjuar dhe konsultuar me të rinjtë ruralë dhe sipërmarrës të rinj. Webinari synon të kuptojë së në ç’mënyrë ka ndikuar kriza Covid-19 te të rinjtë, familjet dhe sipërmarrjet e tyre si dhe komunitetet ku jetojnë. Cilat mund të jenë zgjidhje praktike për të tejkaluar sfidat dhe problematikat? Informacioni i mbledhur do të shërbejë për ta ndarë më aktorë të tjerë të rëndësishëm si politikëbërës dhe vendimmarrës, komunitetin e donatorëve të sektorit rural dhe të të rinjve, bashkitë dhe institucionet qendrore me qëllimin orientimin e veprimeve të tyre në ndihmë të adresimit të sfidave dhe problemeve të identifikuara.

Ndikimi i pandemisë në ekonominë dhe jetën rurale – sfidat dhe problemet

Ndërsa institucionet qendrore e konsiderojnë bujqësinë si sektori i paprekur nga kriza e Covid-19, diskutimi mbi ndikimin e krizës në cilësinë e jetesës së komuniteteve rurale ka munguar. Ky diskutim duhet të bëhet duke marë në konsideratë faktin që jo të gjithë banorët e zonave rurale janë fermerë, dhe jo të gjithë fermerët janë të mëdhenj apo të mesëm. Pjesa më e madhe, 74% e fermave në vendin tone, janë ferma të vogla familjare të cilat kanë sipërfaqe shumë të vogël të tokës, mesatarisht 0.5 ha. Pavarësisht se pjesa më e madhe e të ardhurave të fermave buron nga aktivitetet në fermë, një pjesë e konsiderueshme e tyre gjenerohet nga pagat në sektorë të tjerë jo-bujqësorë dhe nga vetpunësimi. Ndaj diskutimi mbi ndikimin e pandemisë në sektorin bujqësor dhe rural,

duhet të shkojë përtej prodhimit bujqësor dhe treguesve të eksporteve, duke pasur në konsideratë fermat e vogla familjare, gratë dhe të rinjtë, sipërmarrjet agri-turistike dhe të tjera angazhime ekonomike jodomosdoshmërisht tipike bujqësore.

Ka gjasa të larta që kriza e Covid-19 të thellojë pabarazinë ndërmjet zonave rurale dhe urbane si dhe ndërmjet zonave të ndryshme3. Studimet kanë evidentuar tregues të rritur të varfërisë të zonave rurale në krahasim me zonat urbane. Studimi i World Vision mbi ndikimin e Covid-19 në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri4 tregon se 76% e familjeve raportojnë se nuk përmbushin plotësisht nevojat për ushqim, ndërsa 68% e të intervistuarve pohojnë se situata e krijuar nga pandemia Covid-19 do të ndikojë në punësimin apo vetëpunësimin e tyre. Popullata e intervistuar ka qenë kryesisht nga zonat rurale dhe gra. Sfidat ekzistuese të komuniteteve rurale të cilat janë thelluar edhe më shumë nga kriza, po testojnë rezistencën e grupeve të ndryshme, familjeve, fermave dhe sipërmarrjeve si dhe komuniteve rurale. Pabarazitë territoriale që kushtëzojnë efektet direkte dhe jodirekte të krizës Covid-19 nuk janë marrë parasysh në hartimin e paketave mbështetëse financiare të qeverisë. Zonat rurale nuk trajtohen nga paketa e masave mbështetëse, gjë që mbart riskun e thellimit të pabarazisë në të ardhmen.

Informaliteti i lartë që shoqëron sektorin bujqësor dhe rural kufizon aksesin e popullatës rurale në programet e mbrojtjes sociale. Mungesa e NIPT-it ka kufizuar fermerë dhe sipërmarrës ruralë të sigurojnë leje për të shfrytëzuar fashat e kufizuara të orareve. Ky fakt i shoqëruar me sezonin e punëve në fermë, ka shkaktuar mungesa dhe vonesa të shërbimeve që duhet të kryhen në fermë. Sipas të dhënave zyrtare vetëm një përqindje shumë e vogël e fermave, rreth 15%, janë të pajisur me NIPT fermeri, çfarë ka penguar fermerët dhe sipërmarrësit të nxjerrin leje nga portali e-albania për të lëvizuar lirisht. Ndërkohë, zonat rurale kanë akses të ulët në programet e mbrojtjes sociale për shkak të pronësisë së tokës, kur në të njëjtën kohë popullata karakterizohet nga të ardhura të ulëta, të paqëndrueshme, punësimit kryesisht informal etj. Këto duhen marrë në konsideratë me qëllim zgjerimin e grupeve që mbulohen nga programet e mbrojtjes sociale si përgjigje ndaj Covid-19 për të zbutur varfërinë dhe përjashtimin social.

Për shkak të masave kufizuese të lëvizjes dhe ushtrimit të aktiviteteve ekonomike, shumë familje kanë humbur burimet e jetesës. Aksesi në treg – vështirësi ekzistuese edhe në kohë normale, është thelluar gjatë krizës. Fermerët e vegjël, të rinjtë, gra, grupe prodhuese etj nuk kanë mundur të shesin prodhimet e tyre dhe të sigurojnë lëndët e para (farat, plehërat kimik etj). Shumë familje në zona rurale gjenerojnë të ardhura në bazë të shitjeve ditore të prodhimeve të tyre. 43% e të intervistuarve që kanë tokë bujqësore thonë se situata e krijuar nga Covid-19 ka ndikuar në shitjen e produkteve bujqësore (World Vision, 2020). Të gjendur në këtë situatë, fermerët kanë punuar dhe prodhuar vetëm për konsum familjar.

Sipërmarrjet e reja agro-turistike në zonat rurale janë llojet e aktiviteteve ekonomike më të prekura nga kriza dhe të pambuluara nga ndihma financiare publike. Sipërmarrjet e reja të ngritura duke investuar kohë dhe energji në tre vitet e fundit janë më të riskuarat, pasi viti i krizës korrespondon me vitin e parë të fitimit të tyre që prej funksionimit. Për më tepër, sipërmarrjet e reja nuk janë subjekte të pranueshme për financim nga skemat kombëtare të bujqësisë. Gjithashtu, këto lloj aktivitetesh ekonomike nuk janë pjesë e mbulimit nga paketa financiare e qeverisë në kuadër të Covid-19, ndërsa karakterizohet nga faktorë disfavorizues të tillë si: operojnë në sektorin më të goditur nga kriza – turizëm; veprojnë në zonë rurale, dhe janë sipërmarrje të reja që karakterizohen nga rezistencë e ulët për të përballuar efekte të tilla negative.

Dobësimi i strukturave vendore të bashkëpunimit, gjenerimi i zhgënjimit dhe thellimi i pesimizmit rreth perspektivës së ardhme të jetës në fshat janë efektet e pakonsideruara deri më tani në diskutimin publik. Sipërmarrjet e ndryshme në zonat rurale bazohen në investim të konsiderueshëm në kohë dhe energji për të krijuar rrjetin e bashkëpunëtorëve në zinxhirin e vlerës. Në një kohë kur dihen sfidat e bashkëpunimit dhe krijimit të besimit të ndërsjelltë ndërmjet aktorëve të ndryshëm në vendin tonë. Mbyllja e aktiviteteve ekonomike ka shkaktuar zhgënjim në zinxhirin e vlerës duke rritur përgjegjësinë e aktorëve që janë bërthamë e rrjetit të bashkëpunimit për të mbajtur gjallë bashkëpunimin, optimizmin dhe shpresën.

Në përgjigje të krizës dhe përgjegjshmërisë së rritur ndaj bashkëpunëtarëve në zinxhirin e vlerës, sipërmarrjet kanë ndërtuar zgjidhje të reja inovative. Të ndërgjegjshëm se strukturat e bashkëpunimit që kanë krijuar me shumë mund, krijohen me më shumë vështirësi nëse dështojnë, sipërmarrjet janë përpjekjur për të gjetur alternativa të funksionimit të rrjetit edhe në kohë pandemie me qëllim mbajtjen e optimizmit. Si rrjedhim, disa sipërmarrje kanë krijuar dhe kanë dalë në treg me produkte të reja agro-ushqimore apo të llojeve të tjera në mënyrë që rrjeti i bashkëpunëtorëve të funksionojë, duke blerë produket dhe nënprodukte e tyre lokale.

Në kushtet e karantinës dhe kufizimit të lëvizjeve dhe aktiviteteve ekonomike, shumë prej të rinjve apo familjeve të tyre kanë humbur burimet e jetesës, mundësitë për shkollim, akses në shëndetësi, procese vendimarrëse të cilat prekin jetën e tyre etj. Aftësitë digjitale të kombinuar me ndërhyrje të tjera mund të ishte zgjidhja për të adresuar disa prej sfidave, ndërsa lidhja digjitale përbën një sfidë në vetvete për komunitetet rurale. Aktualisht, 69% e familjeve raportojnë se nuk kanë mundësi të kenë paketa interneti (World Vision 2020). Përdorimi i teknologjisë dixhitale së pari kërkon mjete si kompjuter, laptop, metodat mësimdhënëse dhe kurrikulat e posaçme, mbulim me internet, energji elektrike të vazhdueshme etj. Grupet e cënueshme, apo komunitetet më të largëta për t’u arritur, janë shumë mbrapa në lidhje me aftësitë e tyre digjitale, apo mundësive të përdorimit të teknologjisë digjitale për të adresuar jo vetëm sfidat e bllokimit nga pandemia, por për të trajtuar sfidat gjeo-hapësinore që shoqërojnë përherë këto zona. Sfidat gjeo-hapësinore të komuniteteve rurale kanë dobësuar vazhdimisht rezistencën e familjeve që jetojnë në zona rurale të largëta dhe të izoluara.

Rekomandime

Reagimet afat-shkurtër për të ndihmuar në minimizimin e ndikimeve të krizës Covid-19 në grupet më të cënueshme të komuniteteve rurale janë të rëndësishme, por gjithashtu është e nevojshme të mbështetet kthimi në një “normaliteti të ri” nga një perspektivë afat-gjatë. Pandemia e Covid-19 mund të paraqesë një mundësi për të thyer perceptimin se zonat rurale janë lënë në harresë. Disa rekomandime ofrohen më poshtë si një mënyrë për të orientuar veprimet e aktorëve kryesorë që mbështesin zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rural:

  1. Diskutimi mbi efektet e krizës në sektorin bujqësor duhet të zgjerohet duke përfshirë edhe efektet në sektorin rural. Ekonomia dhe jeta rurale shkon përtej bujqësisë dhe peshkimit dhe përfshin të gjitha alternativat nga të cilat familjet dhe komunitetet rurale gjenerojnë të ardhura për jetesën e tyre.
  2. Duhet të rritet ndërgjegjësimi mbi cënueshmërinë dhe rezistencën e dobët të popullatës rurale. Statistikat zyrtare në lidhje me treguesit e varfërisë janë të qartë, dhe dokumente qeveritarë mbi përfshirjen sociale janë hartuar me këtë qëllim, por pak të zbatueshëm. Vendimarrja mbi paketat financiare ndihmëse të qeverisë duhet të mbështetet në evidenca mbi treguesit e varfërisë për të adresuar thellimin e pabarazive në të adhmen.
  3. Të ndihmohen me masa specifike financiare sipërmarrësit e rinj në zonat rurale që për të ngritur sipërmarrjet e tyre janë mbështetur në energjinë dhe punën e tyre, pa mbështetje publike. Ndihma do të ndihmonte mbajtjen dhe stimulimin e modeleve pozitive të lidershipit vendor dhe infuzimin e shpresës dhe gjallërimin e perspektivës së jetës në fshat.
  4. Bërthamat e strukturave të bashkëpunimit vendor duhet të ndihmohen me paketë specifike. Bërthamat janë sipërmarrjet, puna e të cilëve rrezaton në përfitime për komunitetin më të gjerë. Nëpërmjet rrjeteve të bashkëpunimit, familje të shumta gjenerojnë të ardhura nga shitja e produkeve, nënprodukteve dhe shërbime. Këto rrjete bashkëpunimi, kryesisht të krijuara nga fermat agro-turistike kanë dhënë mesazhet më domethënëse për shumë familje rurale: të emigrosh nuk është zgjidhje5; nuk ka territore të humbura, por territore pa projekt6; zgjidhjet vinë nga vetë ne, jo nga qeveria7 etj; Mbështetja e bërthamave zhvillimore të komuniteteve rurale do të ndihmonte në ripërtëritjen e bashkëpunimit në zinxhirin e vlerës e mbi të gjitha të optimizmit.
  5. Hulumtimi mbi produktet dhe shërbimet e reja të krijuara nga sipërmarrjet rurale në përgjigje të krizës duhet të bëhet për shumë arsye. Dokumentimi dhe ndarja e tyre mund të shkaktojë spillover effect në ferma të tjera në vendin tonë dhe nxitjen e inovacionit. Megjithatë, skema kombëtare e mbështetjes së bujqësisë në përpjekje për të zbutur pasojat negative të krizës në ekonominë rurale, duhet të përfshijë mbështetjen e produkteve të reja të krijuara në përgjigje të krizës Covid-19.
  6. Kriza ka krijuar një mundësi për të përshpejtuar përdorimin e teknologjive dixhitale në zonat rurale, ndërkohë që përbën edhe sfidë në vetvete. Mobilizimi i zgjidhjeve që ofrohen nga teknologjitë digjitale mbetet një mundësi zhvillimi të komuniteve rurale. Sektori publik dhe privat mund të ndërtojnë mbi këtë mundësi për të investuar në rritjen e aksesit në internet, aftësim digjital, pajisje të teknologjisë digjitale në zonat rurale. Kjo do të kontribuonte në përmirësimin e rezistencës së komuniteteve rurale për t’u përballur me sfida dhe kufizime. Modeli evropian i Smart Villages paraqet një pikë referimi për pilotimin e komuniteteve rurale në përdorimin e zgjidhjeve inovative për të përmirësuar rezistencën e tyre, duke u bazuar në pikat e forta dhe mundësitë vendore8.

Ky dokument është përgatitur nga Evelina Azizaj, Desjana Grymshi dhe Gent Imeraj bazuar në kontributin e grumbulluar në kuadër të organizimit të webinarit ‘Të rinjtë rural ndërmjet sfidave të pandemisë Covid-19 dhe atyre digjitale: Si mund të ndihmoj modeli evropian i zhvilimit rural SMART Villages’ të organizuar nga Qendra Burimore e të Rinjve Rural të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural.

Shprehim faleminderimet tona për Elona Bejo, Ferma Grand Albanik, Rinaldo Gjolaj, Alpine Bees, Labinot Murrja, Kamping ‘Drini i Zi’. Ana Zacharian, Drejtore Ekzekutive Albanian Skills për kontributet e tyre të vlefshme dhe gjithë të rinjve që morrën pjesë në diskutimin virtual.

Për të shkarkuar këtë dokument në pdf klikoni këtu!

__________________________________________________________________________________________________________

1 Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të vendit z. Edi Rama mbi problematikat dhe rekomandimet në mbështetje të banorëve të zonave rurale në situatën e krijuar nga COVID-19. ANRD (Prill 2020) aksesuar në https://anrd.al/lajme/

2Dokumenti Politik i Përfshirjes Sociale 2016-2020 aksesuar në https://www.undp.org/content/dam/albania/docs/report_shqip_web.pdf

3 FAO (2020). Adresimi i pabarazive në kohën e COVID-19. Aksesuar në http://www.fao.org/3/ca8843en/CA8843EN.pdf

4.World Vision (2020). Vlerësim mbi ndikimin e COVID-19 në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri. Aksesuar në https://www.worldvision.al/gjetjet-kryesore-te-vleresim-mbi-ndikimin-e-covid-19-ne-mireqenien-e-femijeve-dhe-familjeve-ne

5 Ferma Caravan Horse Riding. Pyetsor i zhvilluar nga ANRD mbi nismat vendore. ANRD (2019).

 6 Ferma Grand Albanik. Pyetsor i zhvilluar nga ANRD mbi nismat vendore. ANRD (2019).

 7 Ferma Alpine Bees. Travelling Workshop organizuar nga Qendra Burimore e të Rinjve Rural. ANRD (2019)

8 ENRD (2019) Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural, aksesuar nga https://enrd.ec.europa.eu/smart-and-competitive-rural-areas/smart-villages/smart-villages-portal_en