Pa fshatarë dhe fermerë nuk mund të ketë demokraci dhe pa demokraci nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm
Nga Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural
Rozeta Gradeci, Përfaqësuese e COSPE për Shqipërinë
Në fillim të muajit dhjetor në Bukuresht u organizua një aktivitet rajonal në të cilën morën pjesë aktorë të ndryshëm nga rajoni i Evropës Qendrore dhe Lindore. Aktiviteti përfshinte Forumin Social dyditor “Fermerët e vegjël advokojnë për të drejtat dhe agroekologjinë“ si dhe Konferencën Publike “Fermerët e vegjël advokojnë për demokraci, të drejtat dhe agroekologjinë”.
Demokraci është respektim i të drejtave të fshatarëve dhe fermerëve të vegjël
Forumi Social dhe Konferenca Publike u organizuan nën lidershipin e EcoRuralis, duke kombinuar sesione plenare me diskutime interaktive dhe vizita praktike. Aktivitetet u zhvilluan në vende simbolike si Muzeu Kombëtar i Gjeologjisë dhe Muzeu Kombëtar i Fshatarëve Rumunë duke u dhënë pjesëmarrësve nga vendet e tjera të rajonit një mundësi reale për të vendosur lidhje direkte me kulturën dhe historinë rurale vendase.
Diskutimet në të dyja aktivitetet ishin të rëndësishme për formësimin dhe konsolidimin e strategjive efektive, ndërtimin e rrjeteve dhe aleancave si dhe advokacinë për të drejtat e fshatarëve dhe fermerëve të vegjël dhe qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të komuniteteve rurale në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Me këtë rast u trajtuan tema si:
– Të drejtat e fshatarëve, ashtu siç përcaktohen në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Fshatarëve dhe personave të tjerë që punojnë në zona rurale (UNDROP), një kornizë kjo shumë e rëndësishme që thekson dinjitetin dhe mirëqenien e komuniteteve rurale. Pa dyshim, të drejtat e fshatarëve, duke nisur nga sigurimi i të drejtave për burimet natyrore deri te mbrojtja e trashëgimisë kulturore, janë themeli i ekonomive rurale të qëndrueshme.
– E drejta mbi tokën, farat dhe biodiversitetin si e drejtë thelbësore për jetën e fshatarëve dhe fermerëve të vegjël. Pjesëmarrësit në diskutimet e tyre vunë theksin në faktin se, toka dhe fara, si dhe ruajtja e biodiversitetit, nuk janë vetëm çështje të sigurisë ushqimore, por edhe garant i qëndrueshmërisë mjedisore dhe komunitare. Në këtë kontekst, u theksua se agroekologjia ofron një qasje holistike dhe të qëndrueshme për bujqësinë, duke promovuar praktika bujqësore që janë në harmoni me mjedisin dhe që mbështesin jetesën dhe ekosistemet lokale.
– Perspektiva e integrimit evropian për vëndet e Evropës Lindore, duke marrë në konsideratë ndikimet dhe përfitimet e mundshme të këtij procesi, si dhe mënyrën se si politikat evropiane bujqësore dhe rurale, financimet etj. mund të mbështesin ose sfidojnë popullatat rurale.
– Solidariteti në kohë krizash në eksplorimin e mënyrave për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe mbështetje të ndërsjelltë midis fermerëve të vegjël të cilët përballen me sfida për shkak të krizave dhe konflikteve.
Temë mjaft interesante ishte edhe lidershipi i grave si dhe pjesëmarrja e të rinjve në avancimin e qasjeve të bazuara në të drejtat e njeriut për zhvillimin rural, konform ndikimit dhe proceseve të mbështetura nga FAO (Organizata Botërore e Ushqimit), HRC (Këshilli për të Drejtat e Njeriut) dhe OHCHR (Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut).
Një nga temat kryesore të këtij aktiviteti ishte Advokacia për Demokracinë, të Drejtat e Fshatarëve dhe Agroekologjinë, e cila u trajtua në ambientin e Muzeut Kombëtar të Fshatarëve Rumun në Bukuresht. Me këtë rast në vëmendje të të pranishmëve u soll tema mbi demokracinë dhe të drejtat e fermerëve, si pjesë të të drejtave të njeriut.
Gjithë aktiviteti treditor u organizua përmes sesioneve plenare të cilët përfshinë diskutime nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare si FAO dhe OHCHR. Diskutimet trajtuan tema si:
– Fshatarët dhe fermerët e vegjël si element të rëndësishëm për demokracinë. Fshatarët, fermerët e vegjël, bletërritësit dhe punëtorët e sektorit agro-ushqimor përfaqësojnë një grup të rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë. Të drejtat e tyre, të përkufizuara në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Fshatarëve dhe Personave të tjerë që Punojnë në Zona Rurale (UNDROP), kërkojnë respekt dhe masa konkrete mbështetëse. Konferenca nënvizoi se pa fshatarë dhe fermerë nuk mund të ketë demokraci dhe pa demokraci nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm rural dhe bujqësor.
– Zgjedhjet politike dhe përfaqësimi i interesave të fshatarëve dhe fermerëve. Një nga temat më të diskutuara si në forum dhe në Konferencë ishte shqetësimi për rrezikun e rritur të ekstremizmit të djathtë i cili përmes retorikës manipuluese mashtron fshatarët me zgjidhje false për problemet dhe nevojat e tyre. Ramona Duminicioiu, presidente e Eco Ruralis, theksoi alarmin për të shpëtuar demokracinë dhe se zgjidhjet reale të sfidave të fermerëve nuk vinë kurrë nga ekstremistët.
– Solidaritet në rajon dhe më gjerë. Konferenca përfshiu mesazhe solidariteti nga përfaqësues të vendeve të ndryshme të rajonit si Gjeorgjia dhe Ukraina. Mbi këtë temë Mariam Jorjadze, Drejtore e shoqatës Elkana në Gjeorgji, nënvizoi rëndësinë e luftës për liri dhe demokraci në vendin e saj, ndërsa Anna Danyliak nga Ukraina ndau përvojën prekëse të fermerëve në Ukrainë dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur tokat dhe komunitetet e tyre.
– Mbështetja e Organizatave Ndërkombëtare. FAO është një nga organizatat ndërkombëtare që mbështet zbatimin e UNDROP dhe advokacinë për mirëqenien e fermerëve të vegjël dhe të tjera grupe vulnerabël në bujqësi dhe zhvillim rural. Me këtë rast, Viorel Guțu, përfaqësues rajonal i FAO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, nënvizoi se FAO, veç tjerash mbështet fuqishëm edhe politikat e UNDROP mbi qeverisjen e përgjegjshme të tokave.
Në përfundim të kësaj konference u përcoll një mesazh i qartë: është i domosdoshëm denoncimi i çdo forme të manipulimit me qëllim që të ndërtojmë së bashku një demokraci të fortë dhe të drejtë.
Kjo konferencë, përveçse shërbeu si platformë për dialog dhe bashkëpunim, fuqizoi zërin e komuniteteve rurale përballë sfidave të reja dhe ndërgjegjësoi për rëndësinë e të drejtave të tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme.
Farat lokale – pjesë e identitetit kulturor të fshatarëve dhe fermerëve të vegjël
Tregu Ndërkombëtar i Farave ishte padyshim një nga aspektet e veçanta të eventit, i cili u organizua në Tregun Obor në Bukuresht. Farat dhe tregu përfaqësojnë dy vlera bazë të bujqësisë dhe ekonomisë rurale. Tregjet janë hapësira ku miliona konsumatorë takohen me prodhuesit e vegjël dhe me njerëzit e përfshirë në ekonominë bujqësore dhe rurale, ndërsa farat lokale jane pjesë e identitetit kulturor të komuniteteve rurale dhe baza e prodhimit të ushqimit të shëndetshëm.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë grupe informale të njohura dhe aktive në promovimin e shkëmbimit falas të farave. Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të rajonit ekspozuan koleksionin e farave lokale tradicionale, të perimeve, drithërave, bimëve aromatike dhe mjekësore që kishin përzgjedhur për këtë aktivitet. Rozeta, përfaqësuese e COSPE, kishte sjellë me vete, nga Banka Lokale Gjenetike e Shkollës Profesionale “Ndre Mjeda” Bushat, Shkodër, dy varietete farash nga qindra të tilla që Banka disponon: faren e misrit të bardhë qelqor të Zadrimës dhe fara të fasules së bardhë të Kallmetit, që përdoret shumë në veri të Shqipërisë për cilësitë dhe shijen që kanë. Prezantimi i farave dhe shpërndarja e tyre ishte simbolike për të shkëmbyer pasurinë e varieteteve tona që përdoren gjerësisht në kulinari si dhe për të promovuar Bankën Lokale Gjenetike të farave dhe eksperiencën që COSPE ka në Veri të Shqipërisë në promovimin e agroekologjisë, mbështetjes për fermerët e vegjël dhe punën per mbledhjen, ruajtjen dhe kultivimin e varieteteve lokale të farave. Gjatë shpërndarjes së farave, u shpjeguan edhe karakteristikat e tyre për të gjithë të interesuarit, që treguan interes për të patur farat shqiptare në kopshtet e tyre.
Të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në shkëmbimin e farave e duan dhe respektojnë tokën. Ata janë njerëz të ditur mbi praktikat dhe njohuritë lokale dhe promovojnë farat si pjesë e identitetit kulturor të komuniteteve të tyre lokale.
UNDROP-i dhe rëndësia e tij
Një nga temat themelore të forumit dhe konferencës ishte Deklarata e OKB-së për të Drejtat e Fermerëve të vegjël dhe personave të tjerë që punojnë në zonat rurale (UNDROP), një kornizë e rëndësishme që thekson dinjitetin dhe mirëqenien e komuniteteve rurale.
UNDROP (Deklarata e OKB-së për të Drejtat e Fshatarëve dhe Personave të tjerë që Punojnë në Zona Rurale) është një instrument ndërkombëtar që synon të mbrojë dhe promovojë të drejtat e fshatarëve, fermerëve të vegjël dhe punëtorëve ruralë në të gjithë botën. Kjo Deklaratë, e miratuar në vitin 2018 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përfaqëson një hap të rëndësishëm për të siguruar mirëqenien dhe dinjitetin e komuniteteve rurale, duke u përqendruar në këta kompondentë: a) Të drejtën për tokën, farat dhe biodiversitetin – garantimi i aksesit në burimet natyrore dhe mbrojtja e tyre nga degradimi dhe grabitja; b) Të drejtën për ushqim të sigurt dhe të mjaftueshëm – njohja e rolit të fshatarëve si prodhues të ushqimit dhe rëndësia e mbështetjes së tyre për sigurinë ushqimore; c) Të drejtën për kulturë dhe trashëgimi – mbrojtja e njohurive tradicionale, kulturës dhe praktikave që pasqyrojnë identitetin e komuniteteve rurale; d) Të drejtën për mbrojtje sociale dhe kushte të drejta pune – sigurimi i aksesit në kujdes shëndetësor, arsim, dhe kushte pune të sigurta dhe të drejta.
Zbatimi i UNDROP është i rëndësishëm për të krijuar mjedisin ku komunitetet rurale mund të sigurojnë cilësi jetese të mirë në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë. Mungesa e zbatimit efektiv të UNDROP rrezikon shumë fshatarë dhe fermerë të vegjël të mbeten të pambrojtur përballë sfidave të tilla si pabarazitë në qasje ndaj burimeve natyrore, ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe politikat që favorizojnë interesat e mëdha ekonomike.
Në mbështetje të zbatimit dhe monitorimit të UNDROP, Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së ka krijuar Grupin e punës për të Drejtat e Fshatarëve dhe Personave që Punojnë në Zona Rurale. Ky grup përgatit raporte dhe rekomandime periodike për të ndihmuar shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të përmirësojnë politikat dhe praktikat e tyre në përputhje me Deklaratën. Grupi i Punës gjithashtu promovon ndërgjegjësimin për UNDROP dhe u siguron mbështetje teknike vendeve që kërkojnë të përfshijnë parimet e saj në legjislacionin dhe strategjitë kombëtare.
Roli i ANRD, organizatave anëtare dhe e ardhmja
Monitorimi i zbatimit të UNDROP nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve ndërkombëtare dhe qeverive, por gjithashtu kërkon angazhimin aktiv të shoqërisë civile si dhe grupeve dhe komuniteteve që preken nga ky dokument i rëndësishëm. Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kritik në fuqizimin e zërit të fermerëve dhe banorëve të komuniteteve rurale dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Kjo Deklaratë synon përmirësimin e jetës në zonat rurale, duke siguruar një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Gjithësesi, UNDROP është një deklaratë dhe jo një traktat. Deklaratat shprehin angazhime dhe vendosin standarde, por nuk imponojnë detyrime ligjore për shtetet, përveçse nëse një shtet zgjedh t’i përfshijë dispozitat e saj në legjislacionin kombëtar. Si rrjedhim ajo nuk është ligjërisht e detyrueshme për shtetet. “Nuk ka të drejtë shteti, ka të drejtë populli lokal” – është një nga parimet kryesore të UNDROP. Kjo Deklaratë vendos të drejtat e fshatarëve, fermerëve të vegjël dhe komuniteteve rurale në qendër të vëmendjes, duke tejkaluar interpretimet e drejtuara nga shteti. Deklarata synon fuqizimin e popullsisë rurale përballë shfrytëzimit, margjinalizimit dhe humbjes së qasjes në burime jetësore si toka, farat dhe uji. Në thelb është mbrojtja e të drejtave të individëve dhe komuniteteve që merren me bujqësi dhe jetesën rurale, duke siguruar autonominë e tyre, burimet, dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje për çështje që ndikojnë në jetën e tyre.
Për sa më sipër, dhe duke marrë në konsideratë sfidat aktuale të fermerëve dhe popullsisë rurale në Shqipëri, zbatimi i UNDROP do të sillte vërtet ndryshime cilësore në të drejtat dhe mirëqenien e fermerëve dhe komuniteteve rurale. Institucionalizimi i UNDROP është hap i rëndësishëm për të integruar parimet e saj në kornizën ligjore, politikat dhe praktikat kombëtare në vendin tonë. Megjithatë, në mungesë të njohjes së një Deklaratë të tillë në Shqipëri, është i domosdoshëm ndërgjegjësimin midis autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe komuniteteve rurale rreth Deklaratës dhe ndikimit të saj.
Njohja dhe kuptimi i mirë i Deklaratës, do të lehtësonte përpjekjet e vazhdueshme të advokacisë duke siguruar përfshirjen e dispozitave të UNDROP në legjislacionin kombëtar për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fermerëve te vegjël dhe punonëtorëve të tjerë në zonat rurale.
UNDROP në Shqipëri
Si rrjedhim, për të arritur këtë qëllim, janë të nevojshme të ndërmerren disa hapa konkret! Fillimisht do të duhet të krijohet një grup pune tematik i përhershëm në ANRD i cili do të monitorojë dhe raportojë mbi zbatimin e UNDROP në Shqipëri dhe, më tej të inicojë dhe ndërmarë nisma të lidhura me UNDROP. Gjithashtu, hap tjetër i domosdoshëm është ndërtimi i kapaciteteve të administratës publike në nivel qendror dhe lokal, OSHC-ve, medias dhe popullsisë rurale për të kuptuar të drejtat që parashikon deklarata dhe mënyrat për t’i kërkuar ato. Po kaq e rëndësishme do të jetë edhe bashkëpunimi dhe rrjetëzimi me organizata të tjera aktive në monitorimin dhe zbatimin e UNDROP si dhe me organizata ndërkombëtare, donatorë për të përforcuar zbatimin përmes nismave të ndryshme, asistencës teknike dhe shkëmbimit të njohurive dhe praktikave pozitive.
Arritja e këtij qëllimi do të lehtësohet nga ANRD e cila do të angazhohet aktivisht në monitorimin dhe zbatimin e UNDROP duke realizuar në afat shkurtër përkthimin e UNDROP në gjuhën shqipe, organizimin e sesioneve informuese me anëtarët e ANRD dhe RYH si dhe duke përgatitur projekte për aplikime të mundshme me fokus monitorimin dhe zbatimin e UNDROP në Shqipëri. I patjetërsueshëm do të ishte edhe forcimi i rrjetëzimit me rrjetin e organizatave që bashkëpunojnë me Scuola Campesina për të shkëmbyer dhe rrjetëzuar me fokus UNDROP. Po ashtu, ANRD së bashku me organizatat ndërkombëtare po diskuton përfshirjen e UNDROP si tematikë e rëndësishme në programin e Parlamentit të ardhshëm rural shqiptar me qëllim informimin e aktorëve të ndryshëm të interesit mbi këtë Deklaratë.
Pra, institucionalizimi i UNDROP në Shqipëri është i rëndësishëm për të përkthyer parimet e saj në përfitime konkrete për popullsinë rurale. ANRD do të luajë një rol aktiv në këtë proces duke udhëhequr monitorimin dhe zbatimin, si dhe duke mobilizuar aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për mbështetje të qëndrueshme.