Një investim tek aftësitë, idetë dhe e ardhmja e zonave rurale 

Në zonat rurale të Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës, dhjetë të rinj kanë bërë një zgjedhje që nuk është gjithmonë e lehtë: të qëndrojnë, të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre. Përmes Programit të Bursave për fermerët e rinj të talentuar në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër ata kanë fuqizuar sipërmarrjen e tyre bujqësore. 

Programi i bursave u zbatua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) në kuadër të projektit Ruralbania, me financim të Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe koordinim nga RTM – Volontari nel Mondo, në partneritet me organizatat partnere lokale Adad Malore dhe Agropuka si dhe me asistencën e Qendrave të Asistencës Bujqësore dhe Rurale në Kukës, Pukë dhe Dibër.  

Qasja e programit është e thjeshtë, por e menduar mirë: të rinjtë nuk mbështeten vetëm me fonde, por me një proces të plotë që i shoqëron nga ndërtimi i aftësive profesionale, te përvoja praktike dhe më pas te investimi në aktivitetin e tyre ekonomik. Kjo qasje e ka kthyer bursën në një shtysë reale të fuqizimit të të rinjve, sipërmarrjes së tyre dhe  zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve rurale në veri të Shqipërisë. 

Në fokus: zinxhirët lokal të vlerës dhe potencialet lokale 

Programi i bursave fokusohet në zinxhirët lokal të vlerës në sektorin bujqësor dhe rural dhe  potencialet specifike të secilit territor: 

Përfituesit e këtij programi vijnë nga kontekste të ndryshme rurale dhe përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë lokale. Në Dibër, të rinjtë janë përqendruar te pemëtaria,  duke punuar me varietete tradicionale dhe teknika të reja që rrisin cilësinë dhe rezistencën e prodhimit. Në Kukës, programi ka mbështetur iniciativa në zootekni dhe pulari, ku fermat familjare po konsolidohen dhe po kthehen në burime të qëndrueshme të ardhurash. Ndërsa në Pukë, bletaria, agroturizmi dhe shërbimet mbështetëse si marketingu digjital dhe dizajni grafik po krijojnë modele të reja zhvillimi që ndërthurin bujqësinë me turizmin dhe tregun. 

 10 histori të rinjsh që po investojnë në zonat e tyre 

Gjatë muajve të programit, të rinjtë ndoqën kurse profesionale të certifikuara, të zgjedhura sipas nevojave dhe interesave të tyre, dhe zhvilluan praktika pranë fermave dhe subjekteve relevante. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që kishin mundësinë të mësonin në mënyrë të strukturuar dhe të aplikonin njohuritë drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre të përditshëm. Njëkohësisht, secili përfitues u mbështet financiarisht për të bërë investime konkrete, nga pajisjet prodhuese dhe inputet bujqësore, te përmirësimi i infrastrukturës, paketimi, brendimi dhe prania në treg. 

Pjesëmarrësit ndajnë: 

“Përvoja më ka motivuar pafund për t’u marrë me bletarinë dhe më ka njohur me shumë bletërritës të zotë që kanë përparuar në këtë fushë” – Daniel Perdeda, bletërritës nga Puka.

“Falë trajnimit kam arritur të kem një prodhim më cilësor dhe më të pastër” – Besian Kica nga Dibra 

 “Kjo është hera e parë që më jepet mundësia të investoj në fermën time. Kjo mbështetje më ka rikthyer besimin për të vazhduar” – Eliona Laçi, fermere e re nga Puka.

Një program që investon tek e ardhmja rurale 

Programi i Bursave Ruralbania na tregoi se kur të rinjtë mbështeten me njohuri, mjete dhe besim, ata zgjedhin të qëndrojnë dhe të investojnë në zonat rurale. Përmes këtij programi, ANRD dhe organizatat partnere kontribuojnë në ndërtimin e një brezi të ri sipërmarrësish ruralë, të aftë për të krijuar vlerë ekonomike, për të ruajtur identitetin lokal dhe për të rigjallëruar komunitetet e tyre.