+355 (04) 2400241 [email protected]

Zhvillimi rural dhe bujqësor- Një perspektivë për të rinjtë nga AGIA-CIA

Në kuadër të konsolidimit të Rural Youth Hub – si një platformë funksionale drejt proceseve dhe politikave të orientuara drejt rinisë në zhvillimin rural

21-24 qershor 2022

Në datat 21-24 qershor, mbi njëzet e pesë të rinj, anëtarë të Rural Yout h Hub (platforma e aktivizimit rinor të promovuar nga ANRD dhe të mbështetur përmes projektit Rural You) u mblodhën në Tiranë për t’u frymëzuar nga praktika të suksesshme evropiane në angazhimin e të rinjve në zhvillimin rural, për të shkëmbyer dhe diskutuar së bashku me të tjerë të rinj studentë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me përfaqësues të shoqatës italiane AGIA-CIA (Agia Giovani Imprenditori Agricoli) dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ky takim është pjesë e një serie aktivitetesh rrjetëzuese që nga 2021 të cilat synojnë konsolidimin e RYH si një platformë funksionale drejt proceseve dhe politikave të orientuara drejt rinisë në zhvillimin rural. Për këtë arsye Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe Volontari nel Mondo (RTM) mirëpritën në Shqipëri z. Enrico Calentini, Zv. President i organizatës AGIA-CIA (Shoqata e Sipërmarrësve të Rinj Bujqësorë të Konfederatës Italiane të Fermerëve). Duke marë në konsideratë rolin e rëndësishëm të AGIA-CIA në sektorin bujqësor dhe rural në Itali dhe Evropë (një nga rrjetet më prestigjioze me një përvojë shumëvjecare në përfaqësimin e interesave të fermerëve italianë dhe sipërmarrëve rural) ANRD në bashkëpunim me RTM organizuan disa aktivitete për të dëgjuar përvojën unike të AGIA-CIA dhe për të shkëmbyer dhe diskutuar ndërmjet përfaqësuesit të AGIA-CIA-s dhe të rinjve, studentëve, sipërmarrësve dhe entuziastëve të zhvillimit rural. Programi i plotë gjendet këtu.

Fillimisht, më 21 qershor u organizua takimi institucional me Zv. Rektorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës me qëllim ndarjen e përvojave dhe diskutimin rreth mundësive të bashkëpunimit të mëtejshëm.  Më tej, u zhvillua Leksioni i Hapur “Zhvillimi rural dhe bujqësor, një prespektivë për të rinjtë nga AGIA-CIA” i cili u ndoq nga studentë të UBT, të rinjtë e RYH dhe të tjerë të interesuar.  Pas prezantimit të përvojës së AGIA-CIA në sektorin bujqësor dhe rural në Itali dhe Evropë, të rinjtë pjesëmarrës ngritën pyetje dhe diskutuan mbi shumë cështje me përfaqësuesin e lartë të AGIA-CIA.

Pjesa e dytë e datës 21 krijoi hapësirë më të afërt diskutimi për të rinjtë e RYH. Në ambjentin e një ferme agro-turistike, të rinjtë e RYH diskutuan me z. Enrico Calentini dhe mësuan më shumë rreth përvojës së AGIA-CIA, vecanërisht në lidhje me fuksionimin dhe organizimin e konfederatës, përfaqësimin e interesave të të rinjve, grave fermere dhe të tjerë grupe sociale, advokacinë për cështje bujqësore dhe rurale si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian. Modeli dhe përvoja e ndarë e AGIA-CIA ishte frymëzuese për të rinjtë e RYH dhe vet ANRD. Sesionet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve shërbyen si ushtrime vizionimi dhe planifikimi strategjik për RYH drejt konsolidimit më tej të platformës. Përvoja e AGIA -CIA shërbeu si model për anëtarët e RYH dhe ndihmoi ata të kuptojnë se ku duan të arrijnë pas 10 vitesh.

Më datën 22, z. Enrico Calentini, i shoqëruar nga Koordinatorja Kombëtare e ANRD Zj. Evelina Azizaj, Drejtuesi i Ekipit të RTM, z. Alberto Sartori, Koordinatorja e RYH, Ilda Metani, dhe përfaqësuesja e përzgjedhur e të rinjve Martina Dedaj zhvilluan një takim produktiv me zv. Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Enio Civici. Takimi u fokusua në prezantimin dhe njohjen me përvojën e AGIA-CIA, prezantimin e projektit Rural Youth dhe rezultatet e arritura, si dhe prezantimin e RYH dhe rëndësia e përfshirjes aktive të RYH në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe strategjive të sektorit. Gjithashtu, takimi ishte i rëndësishëm për të lidhur të rinjtë e RYH me përfaqësues të lartë të MBZHR. Martina Dedaj në komunikim me zv.Ministrin, duke ndjerë edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të RYH tha ndër të tjera …. “Të rinjtë në zonat rurale duhet të dëgjohen më shumë”. Në përfundim të takimit, u diskutuan edhe aktivitete të tjera në vijim dhe Zv. Ministri shprehu angazhimin për të ofruar mundësi për të përfshirë të rinjtë në zbatimin e agjendës bujqësore dhe rurale të vendit.

Të rinjtë e RYH, në të njëjtën kohë, zhvilluan një sesion pune për organizimin e RYH dhe hodhën diskutime për alternativat që do të ndihmojnë RYH të formalizohet si një organizatë jo-fitimprurëse për të përmbushur misionin: Në shërbim të komuniteteve rurale të vendit përmes fuqizimit të të rinjve duke iu ofruar mundësitë për të qenë qytetarë aktivë dhe për të gjeneruar të ardhura dhe mirëqenie edhe në zonën më të largët dhe të varfër rurale, si dhe duke ofruar mundësi për interesin publik.

Në përfundim të sesionit, të rinjtë e RYH konkluduam se:

“Koha dhe sfidat kërkojnë politika që pasqyrojnë nevojat dhe përparësitë reale të rinisë rurale, dhe që orientohen nga aspiratat e të rinjve për të ardhmen rurale. Jemi të vetëdijshëm se koha nuk pret dhe finalizimi i procesit të formalizimit të RYH është prioritare drejt një platforme të aktivizmit rinor funksional dhe me ndikim në agjendën zhvillimore dhe integruese të vendit.”

Të rinjtë finalizuan Deklaratën për Shtyp ku ndër të tjera prezantuan hapat që do të ndjekin drejt suksesit.  Lexoni DEKLARATEN PER SHTYP.

Në ditët e tjera, z. Enrico Calentini udhëtoi në veri të Shqipërisë për t’u takuar dhe biseduar me organizatat partnere, agjentët e zhvillimit lokal dhe te tjerë aktorë interesi në zonat që mbulohen nga projekti Rural YOU, konkretisht, qarqet Shkodër, Kukës, dhe Dibër.

Projekti Rural-You është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Volontari nel Mondo RTM në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar për Zhvillim Rural, ADAD Malore, AgroPuka, Fondacioni Partneritet për Zhvillim dhe Associazione Giovani Imprenditori Agricoli (Cia – Agricoltori Italiani).