Nga Alba Tema, hulumtuese pranë Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural.
Alba ka përfunduar studimet në Master i Shkencave “ Ekonomi dhe Politika të Zhvillimit Rural” si studente e shkëlqyer, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Gjatë studimeve të saj Alba ka qenë gjithmonë e tërhequr nga lëndët e orientuara drejt kërkimit. Pasioni për këtë fushë e ka motivuar që gjatë kësaj periudhe të angazhohej pranë qendrave kërkimore dhe të marrë pjesë në konferenca të ndryshme.
Në fillim të Nëntorit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural filloi procesin e konsultimit për projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”. Projektligji synon rritjen e mundësive të financimit në bujqësi përmes dy instrumenteve financiarë “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm” dhe “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar”. Në kuadër të procesit të konsultimit Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural përmes një procesi konsultativ me anëtarët e rrjetit dhe aktorë të tjerë relevantë ju drejtua ministrisë me disa komente dhe sugjerime, të cilat u pasuan nga ndarja e tyre në media.
Në mbi 30 vite tranzicion, institucionet financiare në Shqipëri dështuan të ofronin produkte financiare të lidhura me sfidat dhe nevojat e sektorit të bujqësisë, me përjashtim të orientimit drejt fitimit. Në një kohë kur fermerët përballen me mungesë të financimit në sektor, sistemi bankar nuk ofron produkte financiare në përshtatje me kërkesat dhe nevojat reale të tyre. Të gjendur në këtë situatë ku bankat e nivelit të dytë japin vetëm 1% e kredive fermerëve, këta të fundit iu drejtohen institucioneve mikrofinanciare për nevojat e veta financiare. Në përgjigje të kësaj situate, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po konsulton projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”. Projektligji synon rritjen e mundësive të financimit në bujqësi përmes dy instrumenteve financiarë “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm” dhe “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar”. Dëftesat tregtare do të lëshohen elektronikisht përmes e-Albania. Projektligji pritet të rrisë financimin në bujqësi, sipërfaqen e tokës të kultivuar, sasinë dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore, mirëfunksionimi i gjithë zinxhirit të produkteve bujqësore dhe shmangia e problematikave të shkaktuara nga fragmentarizimi i parcelave të tokës[1].
Sa i qartë është projektligji?
Një aspekt i rëndësishëm në zbatimin e legjislacionit dhe në përgjithësi të gjithë kornizës ligjore të një vendi është qartësia ligjit, koncepteve dhe instrumentet që prezantohen, detyrimeve dhe të drejtave, si dhe çdo element tjetër që përmban një ligj. Në rastin e projektligjit “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” ky aspekt ka nevojë për përmirësim. Është shumë e rëndësishme zëvëndësimi i termave “cedues” dhe “cesionari” me terma shqip. Qëllimi i ligjit, procesi i aplikimit për dëftesat tregtare dhe aspekte të tjera të rëndësishme duhet të jenë qartësisht të kuptueshme nga fermerët. Kjo përbën edhe thelbin për funksionimin e tij.
Në Nenin 6 thuhet: “Dëftesa tregtare përmbushet me kryerjen e pagesës në llogarinë bankare të kreditorit, apo me pagesën me para në dorë, brenda kufirit të lejuar me ligjin nr. 9920, datë 19. 05. 2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.” Blerja me para në dorë sipas ligjit të cituar më sipër përfshin një vlerë të vogël monetare dhe nuk krijon asnjë lehtësi as për shitësin dhe as për blerësin. Është e rëndësishme që në këtë nen të bëhet një përcaktim i vlerës së produktit të blerë me para në dorë, pra të ndryshohet edhe ligji nr. 9920, datë 19. 05. 2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Në nenin 10, ka paqartësi se kush i paguan mallrat e dëmtuara të magazinuara.
Sa i dobishëm është projektligji për fermerët dhe sa i mbron interesat e tyre?
Në rastin e këtij projektligji, janë marrë si sisteme referuese traditat ligjore të Brazilit dhe Ukrainës. Një faktor i rëndësishëm është se në Ukraninë, pavarësisht se pjesa më e madhe e fermave janë të vogla dhe të mesme, ka një dallim të konsiderueshëm në madhësinë mesatare sipërfaqes së tyre krahasuar me ato në Shqipëri. Sipërfaqja mesatare e tokës në pronësi të një familje fermere në Shqipëri është rreth 1.26 ha[2], ndërkohë sipërfaqja mesatare e fermave në Ukrainë në vitin 2020 ishte rreth 385.8 ha[3]. Kjo diferencë e konsiderueshme në sipërfaqen e fermave rezulton edhe aftësi po kaq të ndryshme në prodhim dhe tregëtim, që ndikojnë në efektivitetin e instrumenteve financiare të propozuar në projektligj. Përveç ndryshimeve në strukturën e fermave, nivelet e kapitalit social, në vecanti niveli i besimit, janë shumë më të larta në Ukrainë sesa në Shqipëri[4]. Marrëdhënia midis bankave dhe fermerëve është një marrëdhënie e ngritur mbi besimin midis palëve. Fatkeqësisht, një nga trashëgimitë e lëna nga sistemi komunist është mungesa e besimit dhe dëshira për të bashkëpunuar.
Sigurimi i produkteve bujqësore të magazinuara nuk konsiderohet si proces negativ nga fermerët, madje është i mirëpritur, por në këtë rast vjen si domosdoshmëri, duke përfshirë dhe kompanitë e sigurimit. Përfshirja e kolateralit real dhe përmbaruesit gjyqësor, dhe pse në një moment të dytë, e bën këtë një proces jo komod, sidomos për të fermerët e vegjël, të cilët janë më të cenueshëm kur bëhet fjalë për aksesin në financë. Gjithashtu, vlen të merren në konsideratë edhe kapacitetet dhe kushtet magazinuese të fermerëve të vegjël, elemente të rëndësishme në kontekstin e zbatimit të këtij projektigji. Është evidente se një treg i tillë financiar nuk është i aksesueshëm nga fermat e vogla në Shqipëri, por është i përshtatshëm për subjektet e mesme dhe të mëdha. Ndërsa, ende fermerët kërkojnë përkufizimin e fermës së vogël dhe shtetin garantuesin final të tyre, theksojnë se sistemi që propozohet nuk është aspak joshës për fermerët e vegjël.
Edhe në rastin e dëftesave tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm fermerët janë shumë të hapur ndaj formalizimit, por janë skeptikë për rritjen e mundësive të financimit. Shprehja “Bujqësia është shtëpi pa çati”, thekson nivelin e lartë të riskut që shoqëron prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Ecuria e aktivitetit bujqësor është e paparashikueshme, sidomos për sipërfaqet e kultivuara në fushë të hapur. Të paqartë me synimet e projektligjit, fermerët e kanë të vështirë përdorimin e prodhimit të ardhshëm si garanci.
Si përqafohet projektligji nga institucionet financiare?
Ekspertë të sektorit e vlerësojnë pozitiv ndikimin e projektligjit në formalizimin e sektorit, edhe pse mbeten skeptikë përsa i përket efektivitetit të instrumentave financiarë të propozuar. Risku i lartë i aktivitetit bujqësor është një nga faktorët kryesor që i step bankat në ofrimin e produkteve financiare për fermerët. Në rastin e aplikimeve për kredi nga fermerët, bankat vlerësojnë aspekte të ndryshme të rëndësishme për matjen e kapacitetit pagues të fermerëve duke përfshirë sipërfaqen e tokës në pronësi, zotërimin e pasurive të paluajtshme, të ardhurat etj. Kolaterali është aspekt i rëndësishëm, por aftësia paguese dhe marrëdhënia e besimit me fermerin janë më e rëndësishme. Aftësia paguese e fermerit lidhet me mbarëvajtjen e aktivitetit bujqësor dhe në kushtet e një risku të lartë, dhënia e kredive kufizohet.
Qëndron e diskutueshme vendosja e produktit bujqësor të magazinuar apo të ardhshëm si kolateral. Produki bujqësor qoftë i magazinuar, qoftë i ardhshëm është një aset vazhdimisht në gjendje të ndryshueshme. Edhe në rast të tejkalimit të një paqartësie të tillë, pra pranimit të produktit bujqësor të magazinuar si kolateral, do të nevojitet informacion i detajuar për çdo fazë të procesit të prodhimit. Kjo përfshin informacionin duke nisur që me cilësinë e farave/fidanëve të përdorur deri tek praktikat e vjeljes dhe përpunimit, me qëllim të sigurimit të cilësisë së produktit.
Nevojat e fermerëve në Shqipëri për financime janë të mëdha, por institucionet financiare ende nuk munden të përgjigjen plotësisht ndaj tyre. Nisma si projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” janë më se të mirëpritura nga fermerët. Megjithatë, në momentin e hartimit të tyre, është shumë e rëndësishme që të kryhet një proces konsultimi i gjerë në mënyrë që të sigurohet që instrumentat e propozuara të përshtaten me nevojat reale. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për funksionimin e instrumenteve të propozuar.
[1] Projektligji “ “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”. Ne https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/673
[2] Sallaku, F., (2021). Banka e tokës, një investim i zgjuar sot në Shqipëri. Ne https://ubgreen.al/banka-e-tokes-nje-investim-i-zgjuar-sot-ne-shqiperi/
[3] Khodakivska, O., Pugachov, M., Pugachov, V., Mamchur, V., & Yurchenko, I. (2022). Farm size and technology implementation: a comparison betëeen Canada and Ukraine.
[4] RatingGroup, (2023). Unseen Glue: Social capital in UKRAINE. Ne: https://ratinggroup.ua/en/research/ukraine/nevidimiy_kley_doslidzhennya_socialnogo_kapitalu_v_ukraini.html
Dashi, E., Azizaj, E., dhe Totoni, L., (2020). Dokument Politikash Dinamikat e zbatimit të qasjes LEADER në Shqipëri dhe e ardhmja. Ne: https://anrd.al/ëp-content/uploads/2021/01/ANRD-LEADER-Dokument-Politikash-AL.pdf