Forcimi i rrjetit, bashkëpunimit dhe zërit të komuniteteve rurale
Më 2 tetor 2026, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme, duke mbledhur së bashku organizatat anëtare për të reflektuar mbi rezultatet e arritura, për të diskutuar sfidat aktuale dhe për të përcaktuar drejtimet kryesore të punës për periudhën e ardhshme.
Në një atmosferë bashkëpunimi dhe solidariteti, Asambleja shërbeu si një hapësirë për shkëmbimin e mendimeve mbi rolin e ANRD-së, forcimin e anëtarësisë dhe nevojën për një angazhim më të madh të organizatave në nismat e përbashkëta për zhvillimin rural në Shqipëri.
Miratohen Raporti Vjetor dhe Raporti Financiar për vitin 2025
U prezantua Raporti Vjetor, duke theksuar rëndësinë e vitit 2025, i cili shënoi përmbylljen e dekadës së parë të veprimtarisë së Rrjetit. Gjatë kësaj periudhe, ANRD ka konsoliduar rolin e tij si një zë përfaqësues i zonave rurale dhe si urë lidhëse ndërmjet komuniteteve, institucioneve publike dhe aktorëve të ndryshëm të zhvillimit. Raporti pasqyron aktivitetet dhe rezultatet e ANRD-së, angazhimin në dialogun për politikat e zhvillimit rural, partneritetet dhe projektet e zbatuara, si dhe nismat që kanë krijuar mundësi për organizatat anëtare, të rinjtë dhe komunitetet rurale. Në vijim, u prezantua Raporti Financiar për periudhën janar-dhjetor 2025, duke paraqitur një përmbledhje të të ardhurave, shpenzimeve dhe situatës financiare të Rrjetit.
Raporti Vjetor dhe Raporti Financiar për vitin 2025 u miratuan unanimisht nga Asambleja e Përgjithshme. Miratimi i tyre riafirmon rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtarinë e ANRD-së.
Forcimi i anëtarësisë dhe bashkëpunimit në nivel territorial
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua angazhimit të organizatave anëtare, shtrirjes territoriale të Rrjetit dhe mundësive për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet organizatave. Anëtarët theksuan nevojën për një përfaqësim më të gjerë territorial, shkëmbim më të rregullt informacioni dhe identifikim të përbashkët të mundësive për bashkëpunim dhe financim. U nënvizua gjithashtu rëndësia e forcimit të lidhjes ndërmjet punës së ANRD-së në nivel kombëtar dhe nevojave të organizatave e komuniteteve në terren.
Në këtë kuadër, u diskutua riaktivizimi i forumeve rajonale të ANRD-së, si hapësira bashkëpunimi ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, bashkive, fermerëve, bizneseve dhe aktorëve të tjerë lokalë. Forumet do të kontribuojnë në identifikimin e problematikave territoriale, koordinimin e aktorëve dhe përcjelljen e rekomandimeve nga niveli lokal drejt proceseve kombëtare të dialogut dhe advokimit.
Gjithashtu, u prezantuan rezultatet e procesit të vlerësimit të nevojave dhe kënaqshmërisë së anëtarëve me shërbimet e ANRD-së. Ky proces do të vijojë me vetëvlerësimin e organizatave përmes metodologjisë Octagon, me synimin për të kuptuar më mirë kapacitetet, nevojat dhe pritshmëritë e tyre dhe për të orientuar mbështetjen e ardhshme të Rrjetit.
Advokim më i fortë dhe zgjidhje konkrete për zhvillimin rural
Diskutimet mbi prioritetet për periudhën 2026-2027 evidentuan nevojën që ANRD të forcojë më tej rolin e tij në advokacinë dhe dialogun me institucionet, duke u mbështetur në evidenca, analiza dhe rekomandime konkrete. Ndër çështjet e ngritura ishte nevoja për të analizuar zbatimin e kuadrit ligjor për Grupet Vendore të Veprimit, si dhe sfidat që lidhen me financimin dhe mbështetjen institucionale të tyre. Anëtarët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit më të strukturuar me bashkitë dhe institucionet përkatëse, për të krijuar mekanizma më të qëndrueshëm mbështetjeje për këto struktura lokale.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe strukturave që veprojnë në nivel rajonal dhe vendor. U theksua se mbivendosjet, mungesa e komunikimit dhe përdorimi jo i unifikuar i të dhënave mund të kufizojnë efektivitetin e politikave dhe shërbimeve për komunitetet rurale. Në këtë drejtim, u propozua që problematikat të analizohen më tej dhe të shqyrtohen mundësi për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, ku forumet rajonale të ANRD-së mund të luajnë një rol të rëndësishëm lidhës ndërmjet komuniteteve, organizatave dhe institucioneve.
Diskutimi për prioritetet e ardhshme përfshiu gjithashtu rëndësinë e krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë në zonat rurale, mbështetjen e fermerëve dhe lidhjen më të fortë ndërmjet prodhimit vendas, tregut dhe turizmit rural.
ANRD mirëpret një organizatë të re anëtare
Asambleja miratoi unanimisht pranimin e shoqatës “Opportunity Balance and Overcoming” si anëtare me të drejta të plota të ANRD-së. Anëtarësimi i ri përfaqëson një mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të forcuar më tej rrjetëzimin ndërmjet organizatave që kontribuojnë në zhvillimin rural.
Drejt një rrjeti më aktiv dhe me ndikim më të madh
Asambleja e Përgjithshme riafirmoi rëndësinë e një ANRD-je aktive, gjithëpërfshirëse dhe të lidhur ngushtë me organizatat anëtare dhe komunitetet rurale. Forcimi i advokacisë, riaktivizimi i forumeve rajonale, përmirësimi i koordinimit territorial dhe rritja e angazhimit të anëtarëve do të jenë elemente të rëndësishme në përcaktimin e punës së Rrjetit për periudhën 2026-2027.
Në përfundim të diskutimeve, anëtarët dakordësuan përgatitjen e një Letre të Hapur drejtuar institucioneve përgjegjëse, për të ngritur problematikat e koordinimit dhe bashkëpunimit në zhvillimin rural dhe për të nxitur dialogun mbi mekanizma më të efektshëm të mbështetjes për komunitetet rurale. Për ANRD-në, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve dhe institucioneve mbetet thelbësor për të siguruar që zëri i komuniteteve rurale të dëgjohet dhe nevojat e tyre të reflektohen në politikat dhe proceset e zhvillimit.
Së bashku, ANRD dhe organizatat anëtare vijojnë angazhimin për një zhvillim rural më gjithëpërfshirës, të koordinuar dhe të qëndrueshëm në Shqipëri.