Me rastin e fillimit të zbatimit të nismës “Nxitja e aftësive kompjuterike dhe komunikuese tek të rinjtë në zonat rurale për të përmirësuar integrimin e tyre në tregun e punës” organizatat partnere të projektit, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe Agritra Vizion, organizuan më 3 Maj 2019 aktivitetin prezantues të tij. Ky takim synoi të njohë me objektivat e projektit, rezultatet e pritshme, si dhe rolin e aktorëve vendorë për ta bërë nismën rast suksesi.
Aktiviteti u përshëndet nga përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Dibër, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të rinj e të reja nga komuniteti, biznesi dhe sipërmarrës vendor.
Aktiviteti vijoi ndër të tjera me një sesion dedikuar vlerësimit të nevojave të të rinjve për kualifikime dhe aftësi, i cili u realizua nëpërmjet një panairi idesh. Të rinjtë dhe përfaqësues të sektorit privat në komunitet, patën mundësinë të identifikojnë një sërë elementësh që favorizojnë dhe pengojnë zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Duke u ndalur në 10 stacione të dedikuara njohjes së vetes dhe fuqive, njohjes së komunitetit dhe burimeve të tij, mundësitë që ofrohen, fushat potenciale për punësim dhe angazhim, nevojat për ngritje kapacitetesh dhe vizioni për të ardhmen, pjesëmarrësit kishin mundësinë të artikulonin nevojat dhe prioritetet për ndërhyrje.
Të ndërgjegjshëm se vendi i tyre ofron një sërë burimesh natyrore, mundësi për zhvillimin e turizmit dhe sipërmarrjes, të rinjtë shprehën nevojën për më shumë praktika profesionale, shkëmbim informacioni, dhe më shumë mundësi për kualifikime në fusha që i shërbejnë zhvillimit ekonomik të tyre. Në anën tjetër, përfaqësues të biznesit identifikuan një sërë fushash që ofrojnë mundësi për zhvillim, të tilla si bletari, bujqësi, agro-turizëm, blegtori, etj., por që mungon kërkesa për t’u përfshirë në këto aktivitete. Panairi i Ideve shërbeu për një komunikim interaktiv mes pjesëmarrësve të rinj dhe përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes kryesisht.