Roskovec, 15 tetor 2020
Sfida shumëdimensionale dhe qasja e integruar e politikave dhe praktikave të fuqizimit social-ekonomik të grave rurale
Rreth pesëdhjetë gra dhe vajza nga komunitetet rurale të vendit u mblodhën në Edicionin e dytë të ‘Pro Grave Rurale’, organizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe bashkia Roskovec me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale. ‘Pro Grave Rurale’, me gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria (Puka, Zadrima, Shkodra, Mirdita, Korca, Berati, Fieri, Tirana etj.) udhëtuan drejt Bashkisë së Roskovecit e vlerësuar si “Bashkia pro-grave rurale” për këtë vit. Ky edicion në përpjekje për t’u kthyer në një traditë të përvitshme, synon jo vetëm për të festuar dhe sjellë në vëmendje gratë që jetojnë e punojnë në zonat rurale të Shqipërisë, por mbi të gjitha për të advokuar njohjen dhe aktivizimin e plotë të potencialit të tyre të jashtëzakonshëm krijues, prodhues dhe rolit të pamohueshëm si agjente ndryshimi në familjet dhe në komunitetet e tyre. (UN Women 2020)
Në përfundim të edicionit të dytë me kontributin e grave pjesëmarrëse u hartua Deklarata ‘Gratë rurale shqiptare kërkojnë drejtësi për realizimin e aspiratave të tyre’.
Lexoni Deklaratën këtu
Kjo ditë është e rëndësishme për të ndërgjegjësuar për rolin dhe kontributin e paçmueshëm të grave dhe vajzave në zonat rurale si dhe për mobilizuar vullnet politik për më shumë mbështetje me qëllim adresimin e sfidave shumë-dimensionale të tyre. Gjatë udhëtimit në autobuz, Koordinatorja Kombëtare e ANRD, zj Evelina Azizaj dha mesazhin hyrës të këtij eventi të rëndësishëm nëpërmjet faqes zyrtare të ANRD në median sociale facebook. https://www.facebook.com/watch/?v=670343656921478
Në mbërritje te Pallati i Kulturës në Bashkinë e Roskovecit, edicioni mirëpritet nga Kryetarja e Bashkisë, Znj. Majlinda Bufi, e cila përshëndeti pjesëmarrëset dhe ndau përpjekjet e bëra nga bashkia në fuqizimin social dhe ekonomik të grave, me fokus punësimin e grave që ndodhen në situatë të pafavorshme.
Sabah Djaloshi, përfaqësues i bordit drejtues të ANRD dhe Drejtor i AgroPuka përshëndeti pjesëmarrësit dhe ceku rolin e grave në vendim-marrje. Ndër të tjera ai tha: “Sikurse kemi kryepleq dhe kryetar fshati, të zgjidhet gruaja si përfaqësuese e të hyjë në fjalorin e gjuhës shqipe edhe fjala Kryeplake dhe Kryetare fshati.”
E pranishme në sesionin e hapjes Znj. Frida Krifca, Drejtore e Përgjithshme, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ndau përzemërsisht fjalë inkurajuese dhe fuqizuese për gratë e pranishme. “42% e grave janë të punësuara në bujqësi por vetëm 10% e tyre janë pronare” – tha Zj Krifca në përpjekje për të përshkruar situatën e disavantazhuar të grave rurale, duke sjellë në vëmendje edhe angazhimin e tyre në punë të papaguar etj. Gruaja rurale ka nevojë për pronësi toke, që puna e përditshme e gruas në bujqësi të ketë mbështetjen paralele nga shteti. Zj Krifca ofroi disa rekomandime për të rritur aksesin e grave në skemën kombëtare të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në panel u ftuan përfaqësueset e grupeve të grave prodhuese nga Puka, Korça dhe Zadrima. Përvoja dhe histori jetësore në rrugën e fuqizimit social-ekonomik të treguara nga vetë gratë ngjallën shumë emocion. Znj. Marije Frroku nga grupi i grave Gjegjan, Pukë, Znj. Adivije Mustafa, Kryetare e Forumit të Gruas Rurale, Korçë, Znj Rozeta Gradeci, COSPE, Prof. Dr. Tatjana Dishnica, Gruaja në Bujqësinë e Qëndrueshme, jehojnë të vërtetën që Shqipëria dhe ekonomia rurale mbahet nga krahët dhe kontributi i grave, qe janë shtylla e padukshme e shoqërisë.
Aktiviteti vijoi me panairin e produkteve lokale te prodhuara nga grupet prodhuese të grave dhe vajzave rurale dhe duke u rrjetëzuar, njohur dhe shkëmbyer përvoja të mira në çështjen e promovimit të mirëqenies së grave dhe vajzave rurale. Më pas, u zhvillua një vizitë në Fabrikën e Sapunit organik e prodhuar nga gratë dhe vajzat e Roskovecit, një shembull suksesi në sipërmarrjen rurale të gjelbër.
Organizata të shoqërisë civile, anëtare të Rrjetit Shqiptar të Zhvillimit Rural, ishin të pranishëm në këtë event, duke mbështetur grupet e grave rurale të jenë pjesëmarrëse dhe të kontribuojnë në këtë event advokacie për status më të përmirësuar social-ekonomik të tyre.