Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në kuadër të Projektit “Rrjetëzim dhe Mbështetje për Ekonominë e Gjelbër” – NAGE zhvilloi në datën 15 Tetor 2020 në Roskovec aktivitetin “Karvani i Sipërmarrjes së Gjelbër II” që përkoi edhe me Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale. Karvani i Gjelbër dhe festimi i Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale u përfshinë në eventin “Pro Grave Rurale II”, një aktivitet i përvitshëm që këtë vit u përqendruar në fuqizimin e grave rurale përmes sipërmarrjes së gjelbër.
Karvani i Gjelbër këtë edicion udhëtoi në bashkinë Roskovec për tu fokusuar tek praktikat e mira të fuqizimit socio-ekonomik të grave rurale përmes biznesit social dhe të gjelbër. Rreth 50 pjesëmarrës, kryesisht femra, udhëtuan së bashku nga Tirana, Puka, e Korça në drejtim të Roskovecit duke diskutuar dhe shkëmbyer mendime e ide mbi sfidat që përjetojnë grate rurale dhe mundësitë që ekzistojnë për rritjen e kontributit të tyre si agjente ndryshimi në familje dhe në komunitetet ku ato jetojnë. Pjesëmarrës në Karvan ishin përfaqësuese dhe perfaqësues të OSHC-ve rurale, gra fermere, akademike, gazetare, përfaqësuese të pushtetit vendor dhe qendror, sipërmarrës të gjelbër e inovativë si dhe përfaqësues të organizatave anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural.
Edicioni i ekspozoi pjesëmarrësit me praktika të mira që lidhen me përpjekjet e pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale për punësimin e grave rurale duke shfrytëzuar potencialin endogjen dhe resurset e zonave rurale. Pas sesionit plenar të zhvilluar në Pallatin e Kulturës Roskovec, pjesëmarrësit vizituan punishten e sapunit biologjik, një ndërmarrje e mbështetur nga Bashkia Roskovec dhe projekti SDI (Investime për zhvillim social) që synon të ndihmojë gratë e zonës të punojnë së bashku për rigjenerimin socio-ekonomik vendor duke siguruar në të njëjtën kohë zbatimin e parimeve të qëndrueshmërisë dhe ekonomisë qarkulluese përmes përdorimit të vajit dhe brumit të ullirit për prodhimin e sapunit, shampos dhe nënprodukteve të tjera kozmetike.
Aktiviteti u shoqërua edhe nga një mini panair me produkte të gjelbra dhe etike të grupeve prodhuese të grave dhe vajzave rurale i përgatitur me mbështetjen e organizatave anëtare të ANRD AgroPuka dhe AgriNet. Në fund, për pjesëmarrësit u shtrua një drekë pune në një ambient të gjelbëruar në zonën e Luarës i cili ofroi një mundësi të mirë për shkëmbim përvojash, rrjetëzim dhe identifikim partneritetesh për rritjen e mirëqenies së vajzave dhe grave rurale nëpërmjet sipërmarrjes së gjelber.