Organizuar më 15 tetor, 2021, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale
Ky komunikim vjen pas organizimit të edicionit të tretë të eventit ‘Pro-Grave Rurale’ që mbahet çdo vit që nga viti 2019 me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, më 15 tetor. Edicioni i vitit 2021 u organizua nën kujdesin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, zj. Frida Krifca, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) si dhe me pjesëmarrjen e grupeve prodhuese të grave nga zona të ndryshme rurale të vendit. Gati 75 pjesëmarrës, nga të cilat 55 ishin gra dhe vajza që udhëtuan nga komunitete të ndryshme rurale të vendit, u mblodhën për të diskutuar nevojat, sfidat dhe aspiratat e tyre, për të ndarë modele frymëzuese në fuqizimin e tyre social dhe ekonomik si dhe për të identifikuar së bashku zgjidhje praktike për sfidat e tyre kryesore. Për më shumë informacion mbi edicionin e tretë të ‘Pro Grave Rurale’ ju lutemi lexoni raportin këtu: https://anrd.al/lajme/eventi-i-pro-grave-rurale-organizohet-per-te-tretin-vit-radhazi/
Ky tubim vjetor shënon një moment reflektimi dhe angazhimi për të gjetur instrumente që synojnë përmirësimin e mirëqenies së grave dhe vajzave rurale. Gratë dhe vajzat rurale kanë nevojë për trajtim të drejtë për të përmbushur aspiratat e tyre. Ky edicion përforcon Deklaratën e Edicionit të 2020-tës mbi Trajtimin e Drejtë për Gratë Rurale për t’u mundësuar atyre të jenë jo vetëm nëna të mira, por edhe sipërmarrëse të suksesshme dhe pjesëtarë aktive të komunitetit.
Përfundimet kryesore nga Edicioni 2021:
- Përvojat e grave menaxhere shqiptare në bujqësi dhe zhvillim rural përforcojnë besimin se gratë dhe vajzat mund të jenë po aq produktive dhe sipërmarrëse sa burrat nëse kanë aksesin e duhur në tokë, kredi, inpute, tregje dhe zinxhirë ushqimor;
- Fermeret shqiptare, veçanërisht ato që jetojnë në zona të thella dhe malore, kanë nevojë për informacion dhe këshillim bujqësor; mjete të vogla përpunuese për t’u angazhuar në zinxhirët ushqimorë të vlerës së lartë; njohuri dhe teknologji dixhitale për t’iu mundësuar atyre të përmirësojnë marketingun dhe shitjet e produkteve lokale;
- Njësi grumbulluese, magazinuese dhe përpunuese me përdorim të përbashkët në nivel lokal për t’u mundësuar fermerëve të vegjël të sigurojnë cilësi të lartë të produkteve të tyre lokale;
- Kriza Covid-19 ka përkeqësuar pabarazitë gjinore ekzistuese në zonat rurale. Qeverisja vendore, OSHC-të dhe aktorët e tjerë zhvillimorë duhet të punojnë për të përballuar efektet dëmtuese të pandemisë në jetesën dhe mirëqenien e grave rurale;
- Platforma prioritare për aktivizimin e plotë të potencialit krijues dhe prodhues të grave dhe vajzave rurale bën thirrje për nisma të realizueshme që sjellin ndryshime konkrete tek ato. Kjo platformë promovon solidaritetin shoqëror me qëllim mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe sigurimin e barazisë dhe drejtësisë për gratë dhe vajzat rurale;
- Ofrimi i mbështetjes për gratë rurale për t’u përfshirë në veprime kolektive: sipërmarrje sociale, klastera të grave në bujqësi dhe zhvillim rural, grupe prodhuese të grave, kooperativa, etj;
- Lidhja e nismave lokale dhe organizatave vendore aktive në çështjet e barazisë gjinore, të drejtave të grave dhe fuqizimit të tyre social-ekonomik, në një rrjet kombëtar për përmirësimin e ndikimit të tyre për mbrojtjen e të drejtave të grave rurale;
- Fuqizimi i OSHC-ve lokale dhe punës së tyre tematike me grate, veçanërisht gratë në komunitetet rurale, mbi solidaritetin shoqëror për të luftuar për dinjitetin njerëzor duke ofruar drejtësi për gratë dhe vajzat në këto komunitete;
- Promovimi i historive të suksesit në fuqizimin e grave rurale për të ruajtur frymën pozitive dhe për të ndërtuar momentum pozitiv për përpjekjet e ANRD dhe aktorëve të tjerë në lidhje me barazinë gjinore;
- Ofrimi i mbështetjes për gratë e komuniteteve rurale për sigurimin e mjeteve të qëndrueshme të jetesës dhe diversifikimin e të ardhurave: sigurimi i mjeteve të punës për gratë vulnerabël, duke përfshirë viktimat e dhunës në familje:
- Fushata për mbledhjen e fondeve “Ti Nuk Je e Harruar! Mbështet me mjete pune për jetën gruan në fshat sot dhe ajo do të ushqejë veten, familjen dhe komunitetin për gjithë jetën.”- është iniciativa më e re e ANRD e prezantuar në këtë aktivitet që synon të ndërmarrë një hap konkret për të mbështetur pjesën më vulnerabël të grave rurale, ato që janë jashtë radarit të mbështetjes publike, mbështetjes së donatorëve dhe institucioneve të tjera për shkak të statusit vulnerabël familjar, të qënit viktima të dhunës në familje, të mungesës së pronësisë mbi tokën, mundësive të kufizuara të kreditimit, aksesit të ulët në informacion dhe njohjeve të pamjaftueshme. Na ndihmoni të ndryshojmë jetën e grave rurale për më mirë!
Duke mbështetur gratë dhe vajzat rurale, ne kontribuojmë në zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të Shqipërisë. Gratë dhe vajzat rurale janë të rëndësishme, ato duhet të jenë në qendër të axhendës së zhvillimit të Shqipërisë sepse ato janë zemra e çdo shoqërie, komuniteti e familje.
Ne të gjithë duhet të prekim shqetësimet, aspiratat dhe energjinë e grave dhe banorëve në komunitetet rurale dhe të punojmë së bashku për ta kanalizuar këtë energji në nisma konkrete nga të cilat do të përfitojnë jo vetëm komunitetet rurale por e gjithë shoqëria shqiptare!