+355 (04) 2400241 [email protected]

Një mundësi për të njohur rolin dhe kontributin e rëndësishëm të grave në bujqësi dhe zhvillimin rural si dhe për të ripërtërirë angazhimin kolektiv në përmirësimin e mirëqënies së tyre.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, më 15 tetor 2021, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) organizoi Edicionin e Tretë të eventit ‘Pro-Grave Rurale’, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Edicioni i këtij viti u organizua  nën kujdesin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zj Frida Krifca, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare të ANRD si dhe me pjesëmarrjen e grupeve të grave nga zona të ndryshme rurale të vendit. Rreth 75 pjesëmarrës, nga të cilat 55 ishin gra dhe vajza të ardhura nga komunitete të ndryshme rurale të vendit, u mblodhën për të diskutuar nevojat, sfidat dhe aspiratat e grave dhe vajzave në fshat,  për të ndarë modele frymëzuese në fuqizimin social-ekonomik të tyre si dhe për të identifikuar bashkërisht zgjidhje praktike të sfidave kryesore.  Edicioni i tretë i Pro Grave Rurale u mbështet nga We Effect dhe Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin Rural.

Katër grupe lokale të grave dhe vajzave nga komunitete të ndryshme rurale të vendit udhëtuan për të marrë pjesë në këtë taktim. Krijimi dhe mbështetja e gruvepeve lokate të grave dhe vajzave rurale mbështeten nga organizatat anëtare të ANRD të tillë si: Agro Puka aktive në zonën e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, Agrinet në zonën e Korçës dhe Elbasanit, ADAD Malore në Korçë, CoSPE dhe Qëndra e Gruas ‘Hapa të Lehtë’ në Shkodër dhe Lezhë. Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile që janë aktivë dhe mbështesin barazinë gjinore dhe fuqizimin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave të tillë si: UN Women, Gruaja në Bujqësinë e Qëndrueshme, RTM etj, ishin të pranishëm në aktivitet.

Edicioni u hap nga një takim i shkurtër i Ministres zj. Krifca me një grup përfaqësues të grave dhe vajzave të zonave rurale në zyrën e saj për të biseduar nga afër rreth nevojave, interesave dhe prioriteteve të grave. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë duke mundësuar shkëmbimin e mendimeve dhe kërkesave specifike për mbështetje.

Sekretarja e Përgjithshme e ANRD, Zj Tatjana Dishnica mirëpriti të pranishmit dhe theksoi tematikën e këtij viti të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale. ‘Gratë që kultivojnë ushqim të shëndetshëm për të gjithë’ – një temë që thekson rolin thelbësor që luajnë gratë dhe vajzat në sistemin e ushqimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Zj. Frida Krifca përforcoi angazhimin për ruajtjen  dhe promovimin e produkteve lokale që janë trashëguar ndër vite brez pas brezi. Gjithashtu, ajo theksoi se gratë dhe vajzat në fshat meritojnë të bëjnë një jete dinjitoze për vetë kontributin e jashtëzakonshëm dhe rolin e paçmueshëm në sigurinë ushqimore, qëndrueshmërinë e jetës familjare dhe komunitare. Zj Krifca garantoi mbështetjen e Ministrisë për të rikuperuar kohën e humbur në lidhje me reformat e sektorit dhe veçanërisht në fuqizimin e gruas në bujqësi dhe zhvillimin rural.

I pranishëm në event, z Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women Albania, pasuroi kontekstin e këtij eventi me  disa fakte dhe evidenca mbi rolin e vajzave dhe grave në komunitetet rurale. Gratë rurale përfaqësojnë ¼ e popullsisë shqiptare dhe kanë një rol tejet të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe rural. Pavarësisht se ato privohen për të dhënë kontributin e tyre, ato kanë shumë potencial për t’u kthyer në raste suksesi. 50% e grave rurale punojnë tokën, por nuk janë pronare të tokave. Gratë rurale kanë role multifuniksionale në familje, në komunitet dhe më gjerë dhe mungesa e kohës e bën më të vështirë fuqizimin e tyre.”

Në qendër të ‘Pro Grave Rurale’ janë prioritet, interesat dhe aspiratat e grave dhe vajzave në bujqësi dhe zhvillimin rural. Ato luajnë një rol dhe kontribut të rëndësishëm në sigurinë ushqimore, reduktimin e varfërisë rurale dhe qëndrueshmërinë e jetës në fshat. Në një sesion ndërveprues gratë dhe vajzat pjesëmarrëse të ardhura nga zona të ndryshme të vendit prezantuan veten, grupin dhe komunitetin, produktet lokale, sfidat dhe ëndrrat. Emrat e Elona Bejo, Ejona Zaimaj, Sentiliana Marku e shumë grave të tjera dhe sipërmarrjet e tyre janë të dëgjuara nga shqiptarët dhe më   gjerë në rajon dhe pse jo edhe në Evropë. Kjo është e besueshme nëse përmendim emrat e sipërmarrjeve që ato kanë ngritur dhe drejtojnë si Ferma Grand Albanik, Ferma Amalthia etj, çka përfaqësojnë sipërmarrje të suksesshme të drejtuara nga menaxhere. Përvoja e tyre përforcon besimin se gratë dhe vajzat mund të jenë po aq produktive dhe sipërmarrëse sa burrat nëse ato kanë aksesin e duhur në tokë, kredi, inpute, tregje dhe zinxhirë ushqimorë.

Zëra të tjera të grave dhe vajzave të pranishme sollën histori dhe realitete të ndryshme lokale nga Munella, Vithkuqi, Shirgjan, Zadrima etj. Flora, Pavlina, Ledina dhe Ana të cilat qëndronin pas tavolinave të rregulluara aq bukur dhe të mbushura me produkte që grupet lokale të grave prodhojnë mjeshtërisht, folën dhe cekën problemet kryesore që ato ndeshin në punën e tyre. Disa prej problematikave të prezantuara janë:

  • Nevoja për informacion dhe këshillim bujqësor dhe rural të fermerëve në zonat e thella malore;
  • Nevoja për mjete të vogla përpunuese për grupet e grave në mënyrë që ato të angazhohen në zinxhirët ushqimore me vlerë të lartë (sikurse është manaferra në zonën e Pukës, Fushë Arrëz etj)
  • Vështirësia e aksesit në tregje për produktet bujqësore lokale. Ka nevojë për njohuri dhe teknologji digjitale për gratë dhe vajzat për të përmirësuar marketingun dhe shitjet;
  • Nevoja për qendër grumbullimi, magazinimi dhe përpunimi në çdo Njësi Administrative. Këto qendra janë të nevojshme për sigurimin e cilësisë së produktit, si një mënyrë për të rritur të ardhurat e grave dhe vajzave në zonat rurale. Kjo problematikë pengon gratë të dalin me produkte të unifikuara. Prodhimi në kushte shtëpie nuk ndihmon gratë të ruajnë cilësinë e produkteve, të ruajnë raportin e drejtë të sasisë së nënprodukteve (sheqer, ujë, fruta), ngjyrën e produktit dhe ambalazhimin e tij etj. Të gjitha këto probleme cënojnë garancinë që grupet e grave prodhuese mund t’u japin klientëve.
  • Nevoja për lehtësira në procedura për tokat bujqësore publike që jepen me qera;
  • Problemet e grave dhe vajzave në zonat rurale u thelluan gjatë pandemisë duke përmendur ato më kryesoret: dhuna me bazë gjinore në familje u përshkallëzua, gratë ishin më pak të informuar  mbi mundësitë dhe ndihmat që ofrohen në këto situata; humbja e burimeve të jetesës, shumë nga gratë rurale janë shitëse ambulante tek dera e shtëpisë apo anës rrugëve kryesore, rritja e ngarkesës me punët e  shtëpisë duke mbajtur njëkohësisht edhe barrën e punëve bujqësore; shëndeti dhe ushqyerja e fëmijëve janë përgjegjësi ekskluzive e grave, gjatë periudhës së karantinimit u vështirësua aksesi në shërbimin shëndetësor, por dhe në sigurimin e një diete ushqimore të mirë ekuilibruar për të rritur imunitetin, si për vete dhe për fëmijët dhe familjen. Këto probleme ishin më evidente në gratë kryefamiljare.
  • Etj.

Në përfundim të fjalëve të ndarë nga vajzat dhe gratë pjesëmarrëse, Koordinatorja Kombëtare e ANRD, Evelina Azizaj prezantoi platformën prioritare për aktivizimin e plotë të potencialit krijues dhe prodhues të grave dhe vajzave rurale. Kjo platformë përfaqëson një komponent pune të rëndësishëm të ANRD dhe organizatave anëtare të veta për fuqizimin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave në zonat rurale. Më konkretisht, ky komponent është pjesë e strategjisë afatmesëm të ANRD që lidhet me ndërmarrjen e nismave për të sjellë ndryshime konkrete. E gjithë kjo për të nxitur krijimin e solidaritet mbarëshoqëror dhe për të luftuar për dinjitetin njerëzor për barazi dhe drejtësi për gratë dhe vajzat.

Në vijim të prezantimit të platformës dhe në përfundim të këtij edicioni, Lorena Totoni, Menaxhere Projekti në ANRD prezantoi nismën më të fundit që ANRD po ndërmerr për të ofruar mbështetje grave dhe vajzave që jetojnë në komunitetet rurale të vendit dhe i përkasin grupeve më të cënueshme të shoqërisë. Fushata për ngritjen e fondeve “Ti Nuk Je e Harruar! Financo mjete pune për jetën gruas në fshat sot dhe ajo do të ushqejë veten, familjen dhe komunitetin për gjithë jetën!”, e prezantuar në këtë aktivitet synon të hedhë një hap konkret për mbështetjen e pjesës më vulnerabël të grave rurale: zonjave, nënave, grave dhe vajzave të cilat janë jashtë radarit të mundësive të përfitimit të mbështetjes publike, të donatorëve dhe institucioneve të tjera për shkak të gjendjes familjare,  mungesës së pronës, mundësive të pakta të kreditimit, informacionit të pakët dhe kontakteve të pamjaftueshme.