Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në kuadër të Projektit “Rrjetëzimi dhe Mbështetje për Ekonominë e Gjelbër” – NAGE zhvilloi gjate datave 4 dhe 5 Prill aktivitetin “Karvani i sipërmarrjes së gjelbër”.
Karvani i sipërmarrjes së gjelbër u konceptua si një seri aktivitetesh të njëpasnjëshme në trajtën e një karvani me synim ndërgjegjësimin e publikut mbi konceptin e ekonomisë dhe sipërmarrjes së gjelbër në nivel vendor dhe evropian. Pjesëmarrës në karvan ishin përfaqësues të OSHC-ve rurale, nxënës të shkollave të mesme, studentë të Universitetit Bujqësor, akademikë, gazetarë, sipërmarrës të gjelbër e inovative si dhe përfaqësues të organizatave anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural. Karvani do të zhvillohet një herë në vit, për tre vite radhazi.
Në datën 4 Prill, ora 9.00-10.30 am: Karvani shënoi stacionin e parë me ekspozitën “Ekonomia e gjelbër përmes artit” me vizatime dhe instalacione nga nxënësit e Liceut Artistik që kishin në fokus konceptin e mbrojtjes së mjedisit dhe krijimin e sipërmarrjes dhe ekonomisë së gjelbër. Tre punimet më të mira u vlerësuan me çmime dhe stimuj materiale. Ekspozita u vizitua nga qytetarë dhe turistë të shumtë të cilët shprehën mjaft interes për temën e trajtuar. U shperndanë edhe mjaft materiale promocionale. Këtij aktiviteti i parapriu një sesion informues me nxenësit dhe mësuesit mbi ekonominë e gjelbër dhe mënyrën sesi ajo ndikon në përmirësimin e cilësisë së jetesës së njerëzve.
Në datën 5 Prill, nga ora 10.00-13.00, u zhvillua mbledhja vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të ANRD. Çështje e agjendës së takimit ishte edhe prezantimi para Asamblesë i Karvanit të Sipërmarrjes së Gjelbër dhe promovimi i konceptit të ekonomisë së gjelbër. Në takim morën pjesë pervec anëtarëve të Asamblesë edhe nxënësit fitues të ekspozitës “Ekonomia e gjelbër përmes artit” të cilët prezantuan punimet dhe idetë e tyre.
Nga ora 13.30-14.00, ku me pjesëmarrësit u bashkuan edhe studentë ekselentë të Universitetit Bujqësor u zhvillua një vizitë në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe një takim me Drejtorin e Energjive të Rinovueshme dhe Eficencës Energjitike, Z.Artan Leskoviku. Përvec prezantimeve të ndërsjellta të organizimit dhe funksionimit të AKBN dhe ANRD diskutimet u fokusuan në cështjet e energjisë së rinovueshme dhe perspektivës së efiçencës energjitike në Shqipëri.
Nga ora 14.30-15.15, vizitë pranë Tirana Business Park. Pjesëmarrësit të shoqëruar nga punonjësit e Parkut u njohën me zgjidhje inovative në fushën e efiçencës energjitike në biznese dhe banesa, sisteme biologjike të pastrimit të ujit të pijshëm dhe ujrave të ndotura dhe çështje të tjera që lidhen me ekonominë e gjelbër. Në fund u bë një vizitë në stacionin e furnizimit të makinave elektrike.
Ora 15.30 -17.30. Mbërritja në sipërmarrjen e gjelbër Uka Farm , një nga modelet e para të këtij lloji. Mënyra e organzimit, arritjet dhe sfidat e kësaj sipërmarrje ishin në qendër të diskutimeve të të pranishmëve. Dreka e përbashkët me gjithë pjesëmarrësit do të shënonte mbylljen e Karvanit të sipermarrjes së gjelbër 2019.