+355 (04) 2400241 [email protected]

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim organizoi më 12 shkurt në ambientet e EU House Tryezën kombëtare mbi Qeverisjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Tryeza solli së bashku rreth 80 pjesëmarrës nga gjithë vendi, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe autoriteteve lokale, të shoqërisë civile, organizatave anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), të shoqatave të fermerëve dhe sipërmarrjeve rurale, akademikë, ekspertë, etj. Tryeza solli perspektivën e fermerëve dhe të aktorëve të tjerë të sektorit si dhe atë të integrimit evropian mbi politikat dhe instrumentet e mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural. Tryeza, sikurse synoi, rriti ndërgjegjësimin e aktorëve të ndryshëm mbi sfidat dhe çështjet e rëndësishme të politikave kombëtare të sektorit.

Tryeza kombëtare u organizua në vijim të procesit të konsultimit mbarëkombëtar me forumet rajonale të Drinit, Arbërit, Egnatias dhe Vjosës i cili u zhvillua përgjatë muajit nëntor 2018. Tetë takime konsultuese sollën së bashku rreth 250 pjesëmarrës, të cilët përfaqësojnë fermerë, organizata të shoqërisë civile, autoritete lokale, duke përfshirë bashkitë dhe këshillat e qarqeve, drejtoritë e bujqësisë, universitetet dhe sipërmarrës në agroturizëm, bujqësi, bimë medicinale, blegtori, bletari, etj.

 

Letra e Pozicionimit mbi Qeverisjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e përgatitur me inputin e fermerëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin e konsultimit trajton problematikat dhe mangësitë kryesore të kuadrit kombëtar të politikave të sektorit si dhe ofron rekomandime për adresimin e barrierave për politika efektive.

Tryezën e çeli Kryetari i Bordit të ANRD, Sotiraq Hroni, i cili ofroi një panoramë të përgjithshme të përpjekjeve të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe rolit aktiv në proceset dhe reformat në bujqësi dhe zhvillimin rural. Ai theksoi ndër të tjera se objektivi kryesor i Rrjetit është advokacia nga poshtë lartë për formulimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rural. Letra e Pozicionimit përfaqëson një dokumemt rrallëherë të konsultuar e të dakortësuar nga aktorët vendor në katër forumet rajonale të Drinit, Arbërit, Egnatias dhe Vjosës”.

Z. Grigor Gjeci, Autoriteti Menaxhues i IPARD dhe njëkohësisht Drejtor i Politikave Bujqësore dhe Rurale tregoi rreth progresit në lidhje me akreditimin e institucioneve vendore për të menaxhuar në mënyrë të decentralizuar Programin IPARD. Në fjalën e tij, z. Gjeci theksoi se ANRD konsiderohet partner i besueshëm dhe një instrument në procesin e zbatimit të Programit IPARD.

Koordinatorja kombëtare e ANRD, Evelina Azizaj prezantoi procesin e konsultimit, çështjet kritike dhe mangësitë që pengojnë politikat e sektorit të jenë efektive dhe që lidhen më papajtueshmërinë me frymën dhe parimet e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së.

Në sesionin e diskutimit u përfshinë akademikë të Universtitetit Bujqësor të Tiranës, ekspertë, përfaqësues nga zyra e FAO-s dhe të tjerë donatorë të sektorit, Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, përfaqësues të OSHC-ve të përfshirë në nisma të ngjashme, të organizatave anëtarë të ANRD etj. Pjesëmarrësit mbështetën plotësisht gjetjet dhe rekomandimet të përfshira në këtë dokument politikash.

Në përfundim të diskutimeve përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Mr. Razvan Giteschu, Menaxher Programi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, shprehu shqetësimin për buxhetin e ulët kombëtar për sektorin duke theksuar se financimet e IPARD II nuk duhen të shihen si komplementare për politikat e sektorit. Në lidhje me çështjet e ngritura dhe të trajtuara në Letrën e Pozicionimit ai i bëri ftesë autoriteteve publike dhe gjithë partnerëve social-ekonomik të dialogojnë për të gjetur zgjidhje të mundshme. Ai ndër të tjerë tha: “Partneriteti i fortë dhe transparenca e sistemit janë ndër parimet themelore për zbatimin e suksesshëm të programit IPARD II”

Në mbështetje të diskutimeve të tryezës, ANRD përgatiti Thirrjen ‘Dialogu Kombëtar mbi Qeverisjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Domosdoshmëri Jetike’. Thirrja fton Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe institucione të tjera publike për të ndërtuar dialog të vazhdueshëm për të diskutuar sfidat dhe barrierat që pengojnë politikat dhe instrumentet mbështetës të sektorit për të qenë efektive dhe për të gjetur zgjidhje të mundshme sa më shpejt të jetë e mundur.