Shqipëri, 29 qershor – 3 korrik 2021
Impuls dhe mekanizma të reja për nxitjen e zhvillimit të zonave rurale të Shqipërisë – Projekti “Akademia nga ferma në tavolinë – From Farm to Fork – V4 për Bujqësinë e Qëndrueshme në Shqipëri”
Në kuadër të projektit “Akademia nga ferma në tavolinë – From Farm to Fork” i financuar nga Fondi i Visegradit, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) zhvilloi një zinxhir aktivitetesh me pjesëmarrjen e fermerëve përfitues nga projekti, ekspertëve nga vendet e Visegradit si edhe përfaqësues të organizatave partnere të rrjetit në nivel vendor.
Aktivitetet u çelën me një vizitë në fermën e familjes Ferro në fshatin Mbrostar të Fierit në 30 Qershor 2021, ku u prezantua Impianti Hidroponik i implementuar nga ekonomistja e re dhe energjike Eriselda Ferro me fonde të këtij projekti. Impianti plotësisht funksional shërben për prodhimin e ushqimit për kafshët me një kosto të ulët dhe duke respektuar biodiversitetin dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Gjatë workshopit u prezantua projekti pilot, mjedisi i zbatimit, avantazhet dhe vështirësitë, mundësitë për tu pilotuar edhe në fermat e tjera si edhe elemente të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, së bashku me postulatet e Marrëveshjes së re të Gjelbër. Ekspertët e huaj dhe vendas pasi vlerësuan efektivitetin dhe efiçencën në realizimin e investimit iu përgjigjën interesit të të rinjve të pranishëm rreth mundësive për të jetuar një jetë dinjitoze në fshat kundrejt dëshirës për të emigruar. Të rinjtë shprehën interes për të ditur më shumë rreth mundësive për investime novatore në zonat rurale e për të rritur aksesin tek ato. Ekspertët e Visegradit dhe përfaqësuesit e ANRD premtuan për përfshirje më të madhe të të rinjve ruralë në projektet e fondit të Visegradit si edhe rritjen e shkëmbimeve dhe kontakteve me ta.
Në datën 1 korrik udhëtimi vijoi në qytetin e Përmetit ku të pranishmit u drejtuan për në fshatin e largët Gostivisht për të vizituar Fermën e bletëve Sali e për të takuar bletërritësen e apasionuar Flora Sali. Flora prezantoi bujtinën dhe fermën e saj të bletëve duke i rrethuar të gjithë të pranishmit me një mikpritje të ngrohtë e të sinqertë. Ekspertët nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia shkëmbyen ide dhe përvoja me Florën dhe familjen e saj rreth mënyrave të zhvillimit të agroturizmit në zonat rurale, diversifikimit të ekonomisë, rritjes së vizibilitetit të këtyre zonave dhe resurseve të tyre të rralla si edhe rritjes së shkëmbimit e rrjetëzimit që do të silltë më shumë vizitorë e më shumë të ardhura për sipërmarrjet e vogla rurale. Duke shijuar natyrën e mrekullueshme dhe traditën më të mire të kulinarisë lokale, ata u shprehën entuziastë për tu rikthyer më vonë si turistë në këtë kënd kaq të veçantë të natyrës shqiptare.
Aktivitetet u përmbyllën në datën 2 Korrik në Durrës ku u bë virtualisht edhe prezantimi i investimit të tretë pilot “Ferma e pulave në Kampingun e Fluturave” nga Labinot Murrja, Luzni, Dibër. Labinoti prezantoi para të pranishmëve kampingun e ngritur buzë lumit në Kanionin e fluturave, i nisur si një investim modest i një të riu idealist dhe i shndërruar në një destinacion të njohur për të gjithë vizitorët e apasionuar pas turizmit malor dhe atij të aventurës. Ai shpjegoi idenë për të pasuruar zinxhirin e vlerës së shërbimit turistik që ai ofronte edhe me hallkën e ushqimit tradicional të bazuar në përbërës të freskët të marrë në fermën e sapo ngritur të pulave. Optimizmi për të ndenjur në fshat dhe dëshira e tij për të ecur përpara u vlerësuan si një faktor i rëndësishëm që do të ndihmonte të rinjtë ruralë të punësoheshin e të ndryshonin realitetin e zymtë duke çelur perspektiva të reja për zonat rurale.
Eventi vijoi më tej me Tryezën e rrumbullakët rreth mësimeve të nxëna nga investimet pilote dhe vlerësimit të tyre. Këtu ishin ekspertët e Visegradit që nëpërmjet prezantimeve të tyre shpalosën përvoja dhe ide shumë interesante nga realitetet rurale të vendeve nga vinin. Ata vlerësuan sinqerisht përpjekjet e kolegëve shqiptarë në rrugën e nismave për një zhvillim rural të qendrueshëm, smart dhe në mbrojtje të biodiversitetit. U nënvizua qëllimi kryesor i workshopeve demonstruese për tu dhënë vizibilitet këtyre investimeve si mundësi e mirë për tu pilotuar edhe në zona të tjera rurale të Shqipërisë duke i orientuar fermerët e vegjël drejt rritjes së qendrueshmërisë dhe diversifikimit të aktiviteteve të tyre me qëllim final përmirësimin e jetës në zonat rurale dhe ndalimin e hemoragjisë së braktisjes dhe shpopullimit të vendit.