+355 (04) 2400241 [email protected]

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), në bashkëpunim me organizatat anëtare, organizoi me sukses Edicionin e V-të ‘Pro Grave Rurale’ më 12 tetor 2023 në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky edicion u organizuar në kuadër të Parlamentit të tretë Rural Shqiptar, i cili u mbajt nën moton “Jeta buron nga fshati”.  Takimi i përvitshëm i ‘Pro-Grave Rurale’ synon të nxisë solidaritetin mbarëshoqëror për fuqizimin e grave dhe vajzave në zonat rurale, si dhe të sensibilizojë publikun mbi nevojën e mbështetjes së qëndrueshme për adresimin e sfidave me të cilat ndeshen gratë rurale në vendin tonë, duke vënë theksin në barazi dhe drejtësi sociale.

Ky edicion bëri bashkë më shumë se 150 pjesëmarrës, kryesisht grupe të grave dhe vajza që udhëtuan nga komunitete rurale të vendit si Erseka, Elbasani, Puka, Malësia e Madhe, Shkodra, Pogradeci, Lushnja, Berati etj, të cilat së bashku me përfaqësues nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, FAO, UN Women, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucione të tjera të qeverisjes qendrore, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, Universiteti Bujqësor i Tiranës, organizata të ndryshme të shoqërisë civile, të rinj, përfaqësues të vetëqeverisjes vendore etj., diskutuan mbi sfidat dhe prioritetet e grave dhe vajzave në zonat rurale si dhe veprimet që duhet të ndërmerren për të përmirësuar mirëqenien e tyre, në veçanti rolin e grave në zinxhirët e vlerës në sektorin agro-ushqimor.

Edicioni u çel nga Zj.Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e ANRD e cila ndër të tjera tha: “Edhe pse gjithnjë e më shumë flitet dhe konstatojmë përpjekje të rritura në lidhje me fuqizimin e grave në zonat rurale dhe të përfshira në bujqësi, dhe ka një rritje të ndërgjegjësimit rreth rolit dhe kontributit të grave në zhvillim rural, ende mbetet shumë për të bërë në promovimin e mirëqenies së tyre”.

Zj. Stefania Vizzaccaro, Drejtore e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në fjalën e vet falenderoi Rrjetin dhe organizatat anëtare ….falë tyre e gjejmë veten në një mjedis sa fuqizues dhe stimulues, një hapësirë ku flasim për shqetësimet dhe zgjidhjet për  fuqizim të grave dhe vajzave në zonat rurale. Jemi të drejtuar nga vetëdija që duhet të luftojmë për barazinë gjinore në zinxhirin e vlerave. Nëse nuk e bëjmë këtë do të përkeqësojmë përfshirjen sociale dhe ekonomike.

Zj.Lorena Pullumbi, Ndihmës Përfaqësuese e FAO-s në Shqipëri në fjalën e saj shtoi: “Organizatat si FAO dhe UN Women janë të angazhuara për të zbatuar instrumente që ndihmojnë gratë dhe vajzat në zonat rurale për të patur më shumë akses dhe mundësi zhvillimi në komunitet vendore. Procesi i fuqizimit të grave dhe vajzave në komunitetet rurale nuk është një proces që imponohet as nga organizatat ndërkombëtare e as nga qeveria,  por është një proces që vjen nga baza, nga poshtë falë dhe kontributit të organizatave të shoqërisë civile.

Z.Deni Guga, Menaxher Projekti pranë UN Women Shqipëri e vlerësoi aktivitetin si jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për t’u dhënë zë problematikave të jetës rurale në Shqipëri, veçanërisht për gratë dhe vajzat, por sidomos për të gjetur zgjidhje konkrete të disa prej këtyre problematikave.

Zj. Irena Mitro, përfaqësuesja e Drejtorisë së Politikave të Përfshirjes Sociale dhe Barazisë Gjinore, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, theksoi se zhvillimi është i lidhur ngushtë me fuqizimin e grave në të gjitha sferat. Sipas saj “Qeveria shqiptare ka në vëmendje barazinë gjinore përmes Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2023, në të cilën parashikohen objektiva të rëndësishëm për fuqizimin e grave dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në shoqëri, në aksesin për punë, pronë dhe kapital”.

Zj.Selvije Lufo përfaqësuese e grave  nga zonat rurale malore të Pogradecit krahina e Mokrës, fshati Velçan solli sfidat dhe nevojat si një grua sipërmarrëse që po përpiqet të krijojë një biznes akomodues në zonat malore. Në fjalën e saj, Selvija solli zërat e gjithë grave të krahinës së saj: “Gratë në fshatrat malore të zonës së Mokrës janë artizane shumë të zonja, punojnë tokat, ruajnë  bagëtinë, madje ndonjëherë e teprojnë me punën si fermere sepse tregojnë më shume kujdes për bagëtinë sesa për veten e tyre.Ato dhe unë dëshirojmë  të vazhdojmë të jetojmë aty por mbështetja finaciare nuk iu përgjigjet dëshirave tona për investime në këtë zonë”.

Një nga momentet më emocionuese të eventit ishte prezantimi i çmimit “Liljana Isakaj” për Fuqizimin e Grave Rurale, një nismë kushtuar nderimit të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Zj.Liljana Isakaj, e cila ia kushtoi jetën e saj zhvillimit rural dhe fuqizimit ekonomik të grave rurale. Si epitomë e grave rurale, Liljana hapi rrugën për progres, lidership dhe ndryshim pozitiv në komunitetet rurale. Pjesëmarrësit kishin mundësi të njiheshin me punën dhe kontributin e Liljanës së dashur përmes një video të përgatitur me kujtime të ndara nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e Liljanës. Trashëgimia e saj është e gjallë, e pasur dhe frymëzuese. Organizata Adad malore, në të cilën Liljana ka dhënë kontributin e vet,  vlerësoi me këtë çmim Zj.Pavlina Sumbulla nga Vithkuqi, Korçë. Pavlina është aktivisht e angazhuar  në promovimin e produkteve lokale të Vithkuqit dhe ka bashkëpunuar, frymëzuar nga përvoja e Liljanës.  me Pavlinën dhe të tjerë fitues të këtij çmimi në vitet e ardhshme do të mundim të krijojmë këtë trashëgimi me vlerë që nxit zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të komuniteteve rurale shqiptare.

Eventi u përmbyll me panairin “Shije fshati” të produkteve lokale të prodhuara nga gratë pjesëmarrëse të Edicionit të pestë të Pro-Grave Rurale si një mundësi për të festuar diversitetin dhe pasurinë e zonave rurale shqiptare përmes ushqimeve, produkteve lokale dhe kostumeve popullore.

Çështjet e diskutuara në lidhje me sfidat e grave dhe vajzave në zonat rurale dhe rekomandimet për përmirësimin e mirëqenies së tyre do të formulohen në vazhdim në Deklaratën e Grave dhe Vajzave nga zonat rurale 2023.

Edicioni i V-të i “Pro Gruas Rurale” u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” që po zbatohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural, në rolin e nënkontraktorit, së bashku me UN Women Albania, të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.