+355 (04) 2400241 [email protected]

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe Agritra Vizion kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në eventin përmbyllës të projektit “Nxitja e aftësive kompjuterike dhe komunikuese e të rinjve në zonat rurale për të përmirësuar integrimin e tyre në tregun e punës”, që do të mbahet më 28 qershor 2019, ora 11.30, në ambientet e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit (QEK), Dibër. Ky event shënon përfundimin e projektit të zbatuar përgjatë periudhës prill – qershor 2019, mbështetur nga UNDP Shqipëri, financuar nga Ambasada Britanike në Tiranë.

Aktiviteti fokusohet në prezantimin e punës së bërë në kuadër të këtij projekti dhe të njohjes me rezultatet e arritura nëpërmjet ndarjes së përvojave konkrete nga të rinjtë pjesëmarrës. Projekti shërbeu për t’u njohur më mirë me nevojat e të rinjve rreth aftësive në TIK dhe aftësi të buta, informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre mbi rëndësinë e përdorimit të këtyre aftësive, si dhe rritjen e kapaciteteve të tyre në aftësi të buta dhe TIK. Të ndërgjegjshëm që ky projekt i kufizuar në kohë duhet të shndërrohet në një nismë të konsoliduar dhe të qëndrueshme për të fuqizuar të rinjtë e qarkut Dibër për të qënë të suksesshëm në tregun e punës dhe për të përmbushur gjithë potencialin e tyre, eventi do të shërbejë edhe për të diskutuar mbi perspektivën e zgjerimit në të ardhmen.

Eventi do të shërbejë gjithashtu edhe si një moment celebrimi i arritjeve të të rinjve pjesëmarrës të aktiviteteve të trajnimit, që u bënë të mundur si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shumë aktorëve vendorë. Nga projekti përfituan rreth 60 të rinj të zonës të cilët kanë njohuri të rritura dhe janë pajisur me aftësi praktike të buta dhe TIK, duke përmirësuar aksesin e tyre në tregun e punës dhe patur mundësi të tjera zhvillimi.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij eventi, të mësoni më shumë mbi përvojat ekzistuese, të ndani eksperiencën tuaj dhe të bëheni pjesë e përpjekjeve që ndërtojnë komunitetin!

Këtu gjeni Programin e eventit.