+355 (04) 2400241 [email protected]

Interes dhe ndjeshmëri e madhe rreth çështjeve të zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe kuadrit mundësues të saj në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, treguar nga aktorët e interesit në debatin “Identifikimi i sfidave dhe mundësive në lidhje me procesin e përafrimit të legjislacionit mbi ekonominë e gjelbër” në kuadër të projektit NAGE.  

Në datën 25 mars 2021, në mjediset e Hotel “Mondial” Tiranë, në kuadër të projektit NAGE (Networking & Advocacy for Green Economy), financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), u zhvillua debati publik  “Identifikimi i sfidave dhe mundësive në lidhje me procesin e përafrimit të legjislacionit mbi ekonominë e gjelbër”. 

 

Eventi synoi adresimin e mundësive dhe sfidave që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit mbi ekonominë e gjelbër me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së. Diskutimi u zhvilluar rreth studimit të kryer nga ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë me temë  “Situata ekzistuese e kuadrit për nxitjen e ekonomisë së gjelbër në bujqësi dhe zhvillim rural: Analiza krahasuese e programeve dhe masave kombëtare në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroaci”. Ky studim reflekton përpjekjet e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit Rural (BRDN) dhe anëtarëve të tij për të rritur ndikimin e tyre në politika dhe vendimmarrje, përmes përfshirjes në proceset e reformimit të politikave dhe programeve bujqësore dhe rurale për prezantimin e konceptit të ekonomisë së gjelbër. 

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore (politikbërëse), qendrore dhe lokale, Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), agjencive ligj zbatuese, shoqatave të ndryshme që lidhen me cështjet mjedisore, të bujqësisë dhe zhvillimit rural, produkteve biologjike, ekspertë si dhe media. Fjalën e hapjes e mbajti Zj. Evelina Azizaj – Koordinatore Kombëtare e ANRD-së, e cila prezantoi projektin NAGE dhe rezultatet e arritura deri tani, duke vënë theksin në rritjen e bashkëpunimit dhe përfshirjen në proceset advokuese mbi ekonominë e gjelbër të sa më shumë aktorëve të interesit nga shoqëria civile, komunitetet vendore, institucionet e qeverisjes vendore e qendrore etj. 

Në këtë kontekst e mori fjalën  Z. Gjergj Simaku, Zv.Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ekspert i fushës së energjive të ripërtëritshme. Ai paraqiti një panoramë të kuadrit ligjor mbi ekonominë e gjelbër duke u ndalur më pas në dy çështje kryesore: Prodhimin e biokarbureve dhe lëndës së parë nga ekonomitë bujqësore e rurale si edhe zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit të energjisë nga sistemet fotovoltaike për tu përdorur nga fermerët gjatë proceseve të punës (si psh për ujitje,  sera etj). Duke vlerësuar  rritjen e  mbështetjes për zbatimin e iniciativave të ndërmarra nga fermerët në kuadër të Programit IPARD ai theksoi nevojën e bashkëpunimit midis institucioneve dhe grupeve të interesit për shfrytëzim më të mirë të potencialeve që ofron kjo fushë.

Lidhur me këtë të fundit, Zj. Lauresha Grezda- Drejtore e Politikave dhe Programeve të Bujqësisë e Zhvillimit Rural, pranë MZHBR prezantoi situatën aktuale të bujqësisë e zhvillimit rural, marrëveshjen e gjelbër si dhe mbështetjen e Ministrisë si nëpërmjet dokumentave strategjikë që po draftohen (1. strategjia e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore dhe peshkimit; 2. Programi IPARD III), por edhe instrumentave të ndryshëm financiarë në drejtim të zhvillimit të sektorit bujqësor duke përfshirë edhe konceptin e ekonomisë së gjelbër. 

 

Një prezantim interesant ishte ai i  Z. Darko Znaor – ekspert ndërkombëtar në fushën e shkencave mjedisore që bëri një panoramë të përpjekjeve dhe eksperiencës së Kroacisë, politikave publike, institucioneve përgjegjëse, kuadrit ligjor dhe institucional, instrumenteve financiare etj  në drejtim të nxitjes dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. 

Në vijim, Z. Edvin Zhllima – ekspert i politikave të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural prezantoi shkurtimisht situatën ekzituese të kuadrit ligjor për nxitjen e ekonomisë së gjelbër në bujqësi dhe zhvillim rural në Shqipëri. Midis të tjerave u theksua fragmentarizmi i lidershipit lidhur me ekonominë e gjelbër, nevoja për të thithur mendimin e ekspertëve nga vendi dhe rajoni,  prezantimi i skemave shpërblyese në masat kombëtare që zbatojnë praktikat e ekonomisë së gjelbër, konsultimi me grupet e interesit i masave IPARD etj. 

Pas këtyre prezantimeve, pjesëmarrësit e ftuar diskutuan dhe sollën përvojat e tyre lidhur me sfidat dhe mundësitë e zbatimit të konceptit të ekonomisë së gjelbër  në Shqipëri. Si një nga ekspertët më të njohur të bujqësisë biologjike, Z. Enver Isufi, Drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike paraqiti një panoramë të zhvillimeve në këtë fushë duke theksuar perspektivën e sektorit dhe nevojat e tij. Ai i informoi pjesëmarrësit për organizimin e Kongresit të Bujqësisë Biologjike – aktivitet mjaft i rëndësishëm i cili kërkon mbështetjen dhe pjesëmarrjen e shumë aktorëve. Ndërkaq Zj. Tatjana Dishnica – Pedagoge e UBT u përqendrua në përfshirjen e çështjeve të ekonomisë së gjelbër në curriculat universitare, propozim i cili gjeti mbështetje edhe nga eksperti kroat, Z. Znaor, bazuar në eksperiencën kroate. Një ndërhyrje interesante ishte ajo e drejtuesve të Shoqatës Ishmi, Z. Isuf Shehu dhe Z. Sulejman Mezini që sollën shqetësimin e komunitetit lokal në lidhje me mbrojtjen e lumit të Ishmit dhe mjedisit përreth, duke identifikuar problemet, nevojat dhe burimet e domosdoshme për kthimin e situatës në normalitet dhe duke theksuar rritjen e bashkëpunimit komunitet-institucione vendore e qendrorë në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për komunitetin.  

  1. Artan Leskoviku, Drejtor i Energjive të Rinovueshme në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, bëri një panoramë të projekteve në fushën e shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme si biomasa etj. duke ndarë ide dhe përvoja të vlefshme të ekonomisë së gjelbër dhe qarkulluese për kontekstin rural në lidhje me zhvillimin e fshatrave nëpërmjet trajtimit të mbeturinave, menaxhimin e kafshëve të fshatit, etj. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për projekte të reja në funksion të konceptit të ekonomisë së gjelbër.

Si përfaqësuese nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit Zj. Orjana Hanxhari nënvizoi se në kontekstin e integrimit në BE çështjet mjedisore konsiderohen gjithnjë e më shumë të lidhura ngushtësisht me zhvillimin ekonomik. Duke vlerësuar eventin si një risi, ajo theksoi rëndësinë e trajtimit të konceptit të ekonomisë së gjelbër si një çështje nder sektoriale që kërkon kuadrin e nevojshëm ligjor e institucional, kapacitetet njerëzore dhe financiare e mbi të gjitha vullnet politik.  

Në mbyllje të takimit Zj. Etleva Dashi – Pedagoge në UBT,  vuri në dukje që konkretizimi i interesit dhe vullnetit për të realizuar një kuadër bashkëkohor për ekonominë e gjelbër në Shqipëri, duhet të shoqërohet me përllogaritjen e kostos së zbatimit të programeve përkatëse, ndërgjegjësimin e  aktorëve të interesit për zbatimin e këtyre iniciativave pa lënë mënjanë bashkëpunimin institucional midis tyre ku edhe akademia – veçanërisht Universiteti Bujqësor i Tiranës,  të jetë pjesë e kësaj trupe dhe iniciativave të ndërmarra. 

 

Në përfundim të takimit dhe diskutimeve u evidentuan qartazi nevojat për:  

  • përfshirjen e konceptit të ekonomisë së gjelbër në dokumentet strategjikë të sektorit; 
  • hartimin e kuadrit ligjor për të adresuar këtë koncept (deri tani i fragmentuar në strategji të sektorëve të ndryshëm); 
  • përcaktimin e  institucioneve përgjegjëse dhe qartësimin e  përgjegjësive të tyre; 
  • prezantimin e incentivave të ndryshme si dhe sigurimin e instrumenteve financiarë të nevojshëm duke përfituar edhe nga bashkëpunimi me donatorët për të nxitur investimet drejt ekonomisë së gjelbër. 
  • përfshirjen e të gjithë aktorëve të interesit në këtë proces; 

 

Në vijim të debatit dhe duke u bazuar në gjetjet dhe konkluzionet e tij, ANRD në bashkëpunim me aktorët e tjerë të interesit do të vazhdojë dialogun dhe përpjekjet advokuese në dobi të nxitjes së një kuadri mundësues për zhvillimin e konceptit dhe iniciativave të ekonomisë së gjelbër në Shqipëri si një pjesë integrale e zhvillimit bujqësor e rural të qëndrueshëm që kontribuon gjallërisht në përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve rurale në Shqipëri.