+355 (04) 2400241 [email protected]

Organizata “Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore” e mbështetur nga Qendra EDEN realizoi në kushtet e pandemisë projektin 1 vjeçar “Kodi i Gjelbër- Green Code”. Ky projekt ofroi modele të reja dhe teknika inovative mbi një kulturë të re të menaxhimit të mbetjeve urbane me moton “Për Beratin si pasuri botërore e UNESCO-s.” duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe “ekonominë e gjelbër” në biznese beratase, që veprojnë në fushën e turizmit familjar.

Në qendër të projektit ishin të rinjtë, gratë brenda bizneseve familjare, menaxherët e hoteleve e bujtinave, individë që merren me Guida turistike, operatorë turistikë, përfaqësues të institucioneve arsimore e institucione të tjera të lidhura me Ekonominë e gjelbër” si Ndërmarrja e gjelbërimit apo Administrata e Zonave të Mbrojtura. Përfshirja e tyre me video në fushatën promocionale përgjatë një muaji, mesazhet promocionale, aktivitetet praktike si gropa e kompostimit apo kompostimi nga banorët, ishin risitë e ofruara për publikun beratas e institucione shtetërore.

Këto subjekte mirëpritën e bashkëpunuan me përfaqësues të organizatës, ngritën mjediset e kompostimit e krijuan humusin e luleve që u prezantua në “Fair FEST 2020” krahas punëve të shkëlqyera tradicionale të punës së dorës të bëra nga artizanë beratas. “FAIR FEST 2020” ishte i pari panair në qytetin e Beratit që prezantoi produkte modeste të një projekti të mbështetur mbi konceptet e ekonomisë së gjelbër si dhe kompost nga mbetje të gjelbra, për të rritur lule dekorative për ambjente të jashtme, apo materiale të riciklimit, ku nxënësit e shkollës Llambi Goxhomani, arritën të prezantonin mjete shkollore ndihmëse për vete por edhe për familjet që lëvrojnë turizmin familjar.

Gjithashtu projekti përfshiu edhe aktivitete sensibilizimi e seminare teorike e praktike si edhe  botime si “Biodiversiteti dhe tradita, vlerat kulturore të parkut Kombëtar Tomorri”  realizuar nga vullnetarë të organizatës duke iu referuar edhe punës shkencore të Znj.Mahmutaj, mbi  resurset e Parkut Kombëtar të Tomorrit, duke krijuar një panoramë mbi resurset që ka qyteti i Beratit dhe lidhjen midis mjedisit e turizmit të gjelbër.

Pjesëmarrës vullnetarë të këtij zinxhiri të gjelbër dhe realizues të sukseshëm të tij ishin bujtinat e Rrjetit të Gjelbër: Dëna Guest House, Hani i Xheblatit, Hotel Muzakaj, NOVA- Restorant, Castle Park, Dyqani Hand Made- Mangalem, Familja Goxhomani, Hotel Mangalem, Shtëpia e Bardhë, Hotel Onufri, Hotel Portik, Hotel Colombo, të cilat u mbështetën edhe nga institucionet publike si Prefektura, Këshilli i Qarkut, Bashkia etj .

Rrjeti i parë i gjelbër “Green Code”, i mbështetur nga Projekti GEAR, solli risi dhe koncepte inovative si “kompostimi, riciklimi, efiçenca” në ambjente bujtinash, hotelesh, restorantesh, si dhe ambjente shtetërore. Këto veprime të thjeshta të mbështetura në konceptet e ekonomisë së gjelbër, patën si produkt krijimin e “Arit të zi” të tokës që aq shumë i duhet bimëve, ulën sasitë e mbetjeve të gjelbra apo atyre ushqimore, duke shërbyer edhe për argëtimin e vizitorëve në disa biznese ku filloi implementimi. Organizata arriti të ishte pranë qytetarëve edhe si start up dhe suksesi i ndërhyrjes i dedikohet vetëm bashkëpunimit të ngushtë me ta. (https://www.facebook.com/FSEW.BERAT) (www.natyraberat.org)

Faleminderit!

Erjola Azizolli, gazetare

Organizata: “Per Mireqenie sociale dhe Mjedisore”Berat