Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), në frymë bashkëpunuese me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm publik dhe jo-publik të sektorit bujqësor dhe rural, organizoi Konferencën Kombëtare “Forcimi i Pozicionit të Fermerëve në Zinxhirët e Vlerës”. Kjo konferencë mblodhi rreth 70 pjesëmarrës nga institucione publike, organizata të shoqërisë civile, fermerë, akademikë dhe ekspertë të fushës, duke krijuar një platformë të hapur për diskutim dhe shkëmbim të ideve mbi sfidat dhe mundësitë për fermerët shqiptarë.
Kjo konferencë u zhvillua në vijim të procesit konsultues me pjesëmarrje, realizuar gjatë vitit 2024, i cili përfshiu më shumë se 100 fermerë dhe aktorë të tjerë të sektorit bujqësor në dy zinxhirë të vlerës: bimët mjekësore dhe aromatike (BMA) dhe qumështi. Qëllimi i konsultimeve ishte përcellja e zërit të fermerëve të vegjël, shoqatave rurale dhe aktorëve të tjerë të interesit në identifikimin e sfidave me të cilat ata përballen dhe advokimi për forcimin e pozicionit të fermerëve në zinxhirët e vlerës.
Konferenca synoi, së pari prezantimin dhe validimin e gjetjeve të detajuara në Raportin Kombëtar: ‘Konsultimi dhe dialogu me pjesëmarrje drejt forcimit të pozitës së fermerëve në zinxhirët e vlerës’ dhe së dyti të sillte përballë dhe nxiste diskutimet midis aktorëve kryesorë, duke përfshirë politikëbërësit, aktorët publikë dhe privatë, fermerët dhe shoqatat e tyre mbi alternativat që përmirësojnë pozicionin e fermerëve të vegjël brenda këtyre sektorëve.
Në fjalën e saj hyrëse, Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e ANRD, theksoi: “Fermerët janë themeli i bujqësisë dhe zhvillimit rural. Megjithatë, ata vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha dhe shpesh nuk arrijnë të përfitojnë plotësisht nga puna e tyre. Ky konsultim ka synuar të unifikojë perspektivën e tyre mbi sfidat dhe prioritetet dhe rekomandimet rreth politikave efektive”.
Ndërsa, Sotiraq Hroni, Kryetar i Bordit të ANRD, vuri theksin te rëndësia e dialogut të hapur me politikëbërësit: “Ashtu siç e dëshmon pjesëmarrja e gjerë në këtë konferencë, ANRD është forumi më i mirë për të bashkuar të gjithë aktorët e angazhuar në bujqësi dhe zhvillim rural. Kjo pasqyron besimin e madh tek ANRD dhe nevojën e komuniteteve rurale për mbështetje dhe shpresë. Politikëbërësit duhet të punojnë për të krijuar mekanizma më të fortë për rrjetëzim dhe bashkëpunim, duke nxitur kooperimin dhe fuqizimin e fermerëve në zinxhirët e vlerës”.
Në fjalën e tij, Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Arian Jaupllari, theksoi angazhimin e qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me fermerët dhe aktorët e sektorit rural për të fuqizuar fermerët dhe për të përmirësuar zinxhirët e vlerës.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e gatshme të mbështesë nisma si kjo, të cilat gjenerojnë ide dhe zgjidhje për të forcuar sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural. Sot na bashkon ANRD dhe angazhimi ynë i përbashkët për të shtuar vlerën dhe sigurinë ushqimore për konsumatorët, veçanërisht në një kohë sfidash si këto. Në kuadër të integrimit në BE, është e rëndësishme që legjislacioni të jetë i qartë dhe i kuptueshëm për fermerët dhe të gjithë aktorët që do ta zbatojnë atë. Për këtë arsye, ne do të nisim një proces të gjerë konsultimesh me grupet e interesit për të garantuar që kuptimi dhe zbatimi i politikave zhvillohen paralelisht. Organizatat dhe shoqatat si ANRD kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces, duke na ndihmuar të afrohemi më shumë me komunitetet rurale”.
Ndërkohë, Laszlo Arendas, Program Menaxher për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, u ndal në rëndësinë e përafrimit të politikave bujqësore me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP): “Për Shqipërinë dhe fermerët shqiptarë, këto janë kohë vendimtare . Duhet të mësoni dhe të studioni se cilat janë mundësitë tuaja brenda kuadrit rregullator të CAP, të ndiqni prioritetet gjatë negociatave të anëtarësimit dhe të përfitoni maksimalisht nga kjo politikë”.
Gjatë konferencës, Prof. Anila Boshnjaku, eksperte kombëtare, prezantoi analizën e detajuar të sfidave dhe mundësive për fermerët në sektorët e BMA-ve dhe qumështit. Disa nga gjetjet kryesore përfshijnë:
- Mungesa e fuqisë punëtore. Shpopullimi i zonave rurale dhe largimi i të rinjve ka krijuar vështirësi të mëdha në sigurimin e krahut të punës. Si rezultat, shumica e fermave mbështeten kryesisht në punën familjare.
- Kostot e larta të inputeve bujqësore. Fermerët përballen me çmime të larta për ushqimin e bagëtive, qiranë e tokës, mekanikën, farat, plehrat kimike dhe pesticidet. Mbështetja financiare nga skemat kombëtare është e kufizuar, ndërsa aksesimi i kredive mbetet i vështirë.
- Mungesa e infrastrukturës përpunuese dhe aksesit në treg. Fermerët shpesh janë të detyruar të shesin produktet e tyre përmes grumbulluesve, duke marrë çmime shumë më të ulëta se vlera e tregut. Kjo i vë ata në një pozitë vulnerabël dhe me fuqi të kufizuar negociuese.
- Kapacitetet e kufizuara ruajtëse dhe magazinuese. Mungesa e pajisjeve të duhura (si tanket ftohëse për qumështin apo magazinat e përshtatshme për BMA-të) sjell humbje të konsiderueshme të produktit dhe ulje të cilësisë.
- Mungesa e bashkëpunimit dhe kooperativave. Niveli i ulët i organizimit të fermerëve në kooperativa i bën ata më të dobët në negocimin e çmimeve dhe në sigurimin e kushteve më të mira të tregut.
- Akses i kufizuar në teknologji moderne. Fermerët përdorin ende metoda tradicionale të prodhimit dhe përpunimit, për shkak të kostove të larta të pajisjeve dhe vështirësive burokratike në përfitimin e subvencioneve.
Pjesëmarrësit e pranishëm në event theksuan rëdësinë e rritjes së mbështetjes buxhetore nga skema kombëtare, duke marë në konsideratë se investimet në sektorin bujqësor dhe rural gjithmonë janë më të lartë sesa fitimet që gjenerohen. Për këtë arsye subvencionimi nga shteti do të shërbejë si një instrument që do të fuqizojë prezencën e tyre në treg dhe qëndrueshmërinë. Nevoja për laboratore për kryerjen e analizave të domosdoshme për aksesin e tregjeve evropiane ishte një tjetër rekomandim nga pjesëmarrësit për të adresuar vështirësitë dhe kostot e larta që fermerët u duhet të përballojnë nga analizat në laboratoret jashtë vendit. Shumë sfida të diskutuara mund të adresohen përmes bashkëpunimit të rritur ndërmjet fermerëve; shoqërizimi u identifikua si një nga instrumentet me të rëndësishëm për fuqizimin e fermerëve në zinxhirët e vlerës.
Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për të mbështetur fermerët dhe për të forcuar zinxhirët e vlerës.