+355 (04) 2400241 [email protected]

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural organizoi virtualisht dy Forumet rurale rajonale të cilat ishin pezualluar për shkak të pandemisë COVID-19.  Forumet rurale rajonale i Arbërit të Vjosës u organizuan në muajin qershor  përmes platformës Zoom.

Forumi i Arbërit ishte forumi i parë i zhvilluar në formatin digjital, në datat 17 dhe 18 qershor, me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm të zhvillimit rural nga rajoni i Arbërit, përkatësisht qarqet Durrës, Tiranë dhe Dibër. Forumi u ndërtua si kombinim i prezantimeve të folësve kryesorë nga institucionet kombëtare planifikuese dhe menaxhuese të zhvillimit bujqësor dhe rural, përfaqësues të qeverisjes vendore, kontribues të zhvillimit rural nga organizata të shoqërisë civile dhe donatorë, përfaqësues të botës akademike, të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV) dhe iniciativave GLV, sipërmarrës të spikatur të fushës, të rinj me qasje inovative ndaj zhvillimit rural etj. Forumi u zhvillua përgjatë dy ditëve me diskutime në panel, sesione pyetjesh, komentesh dhe diskutimesh dinamike midis pjesëmarrësve. Gjatë Forumit u trajtuan sfidat zhvillimore të rajonit të Arbërit dhe kuadri rregullator kombëtar dhe evropian i sektorit, për t’u pasuruar në vijim me fakte, përvoja dhe realitete nga jeta e aktorëve të zhvillimit bujqësor dhe rural në Shqipëri e për të konkluduar me një analizë të pritshmërive dhe konkluzione mbi ecurinë në të ardhmen.

Edhe Forumi i Vjosës u zhvillua në formatin digjital dhe i treti nga forumet rajonale në rrugëtimin drejt Parlamentit II Rural. Ai u zhvillua gjatë datës 30 qershor 2020, në dy sesione me pjesëmarrjen e aktorëve të zhvillimit rural nga rajoni i Vjosës, përkatësisht qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër. Në forum dhanë kontributin dhe ndanë përvojat e tyre aktorë të rëndësishëm të zhvillimit rural të Rajonit të Vjosës e më gjerë si përfaqësues nga bashkitë me profil të sukseshëm rural e bujqësor, përfaqësues të lartë të Programit IPARD dhe AZHBR të cilët sqaruan perspektivën e politikave kombëtare dhe evropiane të sektorit, përfaqësues nga institucionet menaxhuese të zhvillimit rajonal që sollën informacion mbi kuadrin e ri ligjor të fushës, përfaqësues të donatorëve në fushën e zhvillimit të resurseve turistike me përvojat e tyre nga zonat rurale, sipërmarrës në fushën e turizmit malor, përfaqësues aktivë nga akademia dhe shoqëria civile që folën mbi aktivitetin e tyre në fushën e kërkimit shkencor bujqësor dhe mbrojtjes së mjedisit, aktivistë dhe jetësues të qasjes Leader, përfitues të IPARD etj.

Forumet mblodhën virtualisht shumë përfaqësues të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile, shoqatave të fermerëve dhe grupeve prodhuese, të rinj, qytetarë aktivë e të tjerë të interesuar  për të  reflektuar nevojat, prioritetet dhe interesat e aktorëve vendorë dhe të komuniteteve rurale të rajoneve të Arbërit dhe Vjosës. Forumet krijuan një perspektivë të gjerë të zhvillimit rural në rajonet pëkatëse, duke identifikuar aktorë, nisma, procese, pritshmëri, nevoja por edhe bashkëpunime, resurse e krijuar sinergji të reja në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve rurale në këtë rajon.

Rrugëtimi drejt Parlamentit II Rural do të vazhdojë duke u përmbyllur me Forumin Rural të Rajonit të Egnatias, përkatësisht qarqet Korçë, Elbasan, Berat që do të zhvillohet në muajin korrik.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit: Rrjetëzim për Zhvillimin Rural me Pjesëmarrje

Foto nga aktiviteti: