+355 (04) 2400241 [email protected]

Lodhja për Beruzen nuk njeh stinë. Ajo është infermiere, merret me fermën, me vreshtat, kultivon produkte në serë dhe kujdeset për ullinjtë. Nga tetori deri në janar, ditët për Beruzen nuk kanë fund. Ajo dhe bashkëshorti i saj Agroni, janë çdo ditë tek fabrika e vajit të ullirit. Një ambient që i ka dhënë mundësi punësimi dhjetëra banorëve të zonës dhe rreth 125 anëtarëve të federatës, për të prodhuar vaj ulliri ekstra të virgjër.

“Në fshat është mirë me jetu, por ka ngarkesë të madhe pune fizike, sidomos për gratë. E keqja më e madhe është se ka dhe punë të pa paguar. E nis duke bërë punët e shtëpisë, pastaj do kujdesesh për familjen, do dalësh për të punuar tek puna jote… Do apo nuk do, je apo nuk je e lodhur, nuk pret dot që të shplodhesh. Dita tjetër ka ngarkesën e vet. Nuk ka fundjavë tek ne.”

Sa i përket vështirësive që has në fshat, Beruzja thotë se si grua, vështirësia më e madhe është puna e papaguar. Kur bëhet fjalë për angazhimin në sektorin agro-ushqimor, është mungesa e një tregu fiks, që thotë se ua ka vështirësuar shumë jetën.

“Tregu është shumë i vështirë. Punon dhe nuk shitet, të priten krahët. Problemi është se nuk e lë dot, edhe po nuk u shit do punosh sepse bima gjithësesi e do shërbimin. Unë kam dy vite që rakinë e vajin e kam aty dhe nuk shitet. Por gjithësesi ajo i do të gjitha, do përkushtimin, plehun, përpunimin, krasitjen do spërkatjen do çdo gjë.” 

Kohën e lirë e ka të pakët, – “në kohën e lirë dua vetëm të shtrihem e të qetësohem, nuk dua as televizor, asnjë gjë”, – thotë Beruzja. Por kjo nuk e ka penguar të formojë grupin e grave në Shirgjan për të biseduar rreth problematikave që, për të marrë pjesë në panaire apo aktivitete të tjera.

“Në fillim ishim vetëm dy gra dhe e kam pasur pak të vështirë t’i bind, se nuk i linin aq kollaj, iu thoshin ku do shkosh ti pa burrin. Por sot është tjetër gjë, jemi kemi krijuar një grup me 12 persona dhe janë të gjitha gati kudo që të kemi aktivite sepse është një ndër mundësitë e pakëta për t’u shplodhur fizikisht e për të dalë nga rutina.”

 

Ky album fotografik synon t’i japë lexuesit një vështrim të Shqipërisë rurale, ku gratë marrin shumë role. Përmban histori të ndryshme të grave dhe vajzave nga zonat e Pukës, Elbasanit dhe Kolonjës, me fokus tek sfidat e jetës së tyre të përditshme, familja, puna dhe koha e lirë. Realizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në rolin e nën-kontraktorit në kuadër të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” i cili po zbatohet së bashku me UN Women Albania, të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shfleto Albumin e plotë KËTU.