+355 (04) 2400241 [email protected]

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve

 

Më 30 mars, 2021 përfaqësuesit e Rrjetit Shqiptar të Zhvillimit Rural morrën pjesë në një vizitë kortezie në Universitetin Epoka në vazhdimësi të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy institucioneve në kuadër të organizimit të Parlamentit të dytë rural shqiptar më 4-5 mars.  Përfaqësuesit e ANRD, z. Sotiraq Hroni Kryetari i Bordit, Koordinatorja Kombëtare zj. Evelina Azizaj si dhe Udhërrëfyesi i Qendrës Burimore të të Rinjve Rural të ANRD, z. Gent Imeraj u mirëpritën në ambientet e Universitetit nga Rektori z. Gungur Turan. Gjatë vizitës përfaqësuesit e lartë të dy institucioneve firmosën Marrëveshjen e Bashkëpunimit me qëllimin për të forcuar bashkëpunimin e nisur ndërmjet dy institucioneve në organizimin e nismave të përbashkëta në të ardhmen.

Marrëveshja vjen pas organizimit të suksesshëm të Parlamentit të dytë Rural Shqiptar, një përpjekje e përbashkët e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural në koordinim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin Epoka, i cili solli së bashku rreth 600 pjesëmarrës nga komunitetet e ndryshme rurale dhe aktorë të rëndësishëm të zhvillimit bujqësor dhe rural për të diskutuar sfidat konkrete dhe veprimet që do të ndërmerren për të përmirësuar mirëqenien e banorëve rurale. Në kushtet e pandemisë, Parlamenti kombëtar u zhvillua në formatin hibrid mundësuar nga Universiteti Epoka.

Marrëveshja e nënshkruar parashikon bashkëpunim ndërmjet Epokës dhe ANRD si dhe organizatave anëtare të ANRD për organizimin e leksioneve, konferencave, seminareve; shkëmbimin e asistencës profesionale; ndërmarrjen e nismave pilot që lidhin fushat kryesore të aktivitetit të Universitetit me disa nga çështjet konkrete të zhvillimit rural dhe punës tematike të ANRD (si psh. fshatrat e zgjuara, bujqësia inteligjente, dhe çështje të tjera që lidhen me inovacionin). Gjithashtu, Marrëveshja lehtëson krijimin e mundësive për studentët e Universitetit Epoka në lidhje me praktikat profesionale pranë ANRD-së dhe organizatave anëtare të veta, shkëmbimin e dyanshëm të njohurive dhe informacionit  si dhe orientimin e studentëve para dhe gjatë procesit të hartimit të tezave të diplomës, doktoraturës etj.

Duke vlerësuar bashkëpunimet e deritanishme, ANRD mirëpret thellimin e partneritetit me botën akademike dhe institucionet e edukimit dhe kërkimit shkencor në dobi të realizimit  të objektivit për të krijuar kushte të një zhvillimi rural të qëndrueshëm dhe të bazuar tek  kërkimi, studimi, evidencat  shkencore dhe arritjet më të fundit të shkencës dhe të teknikës.