OP-ED│Reflektim mbi tryezën kombëtare “Bujqësia 2030”

Jeta buron nga fshati: Një frymë e re në zhvillimin rural
Autore: Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare

Fjalimi i Kryeministrit Rama në Tryezën Kombëtare “Bujqësia 2030” shënoi, ndoshta për herë të parë, një kthesë jo vetëm në diskursin politik, por edhe në mënyrën si konceptohet dhe trajtohet zhvillimi rural në Shqipëri. Fshati dhe jeta në fshat, dhe jo thjesht bujqësia si sektor, u vunë në qendër të vëmendjes së aktorëve institucionalë dhe jo vetëm. Nuk u fol për subvencione apo prezantim i ndonjë programi qeveritar, por për frymë zhvillimi, për një filozofi të re politike dhe zhvillimore që e percepton fshatin si territor zhvillimi dhe jo thjesht si zonë prodhimi bujqësor.

Kryeministri e tha troç se bashkitë e shohin fshatin si çështje të urbanizimit, të infrastrukturës rrugore, pastrimit, ndriçimit, por jo si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social.

Për Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) ky fjalim është jo thjesht një moment konfirmimi, por një mundësi strategjike për të ndërtuar partneritet të qëndrueshëm midis qeverisjes dhe komuniteteve rurale. Për më shumë se 10 vite, ANRD ka sjellë zëra nga terreni, ka propozuar modele të suksesshme bashkëpunimi dhe ka ndërtuar ura ndërmjet fermerëve, bashkive dhe institucioneve kombëtare, gjithmonë me synimin për ta kthyer fshatin në qendër të zhvillimit, me fokus tek mirëqenia sociale, ekonomike dhe mjedisore e komuniteteve vendore.

Njësitë e qeversijes vendore përfaqësojnë si hallkën më të rëndësishme, ashtu edhe me rolin më të dobët në zinxhirinin aktorëve institucionale përgjegjës për zhvillimin social ekonomik të komuniteteve rurale. Reforma administrative-territoriale nuk ka arritur të gjenerojë zhvillim të integruar të territorit, si rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe kapaciteteve në bashki, e kombinuar me mungesën e decentralizimit real financiar. Pushteti vendor ende nuk është katalizator zhvillimi për zonat rurale, në një kohë kur modelet evropiane të zhvillimit rural (si qasja LEADER/CLLD – zhvillimi vendor i udhëhequr nga komuniteti) i japin bashkive rol të rëndësishëm në krijimin dhe funksionimin e strukturave të partneritetit tripalësh të njohura si Grupe Vendore të Veprimit.

Deklarata e parë e Parlamentit Rural Shqiptar në shtator 2017 propozon se prioritetet e qeverisë shqiptare duhet të konsiderojnë zhvillimin rural si strategjinë themelore për të mundësuar jo vetëm rritjen e prodhimit dhe produktivitetit, por edhe diversifikimin e aktiviteteve lokale dhe rritjen e fuqisë vepruese të aktorëve lokalë. Një nga rekomandimet e Deklaratës përfshin vlerësimin e zbatimit të suksesshëm të qasjes LEADER për të ndihmuar reformën territoriale dhe për të integruar territorin urban, periferik dhe rural, duke nxitur përfshirjen e të gjithë aktorëve vendorë në praktikat bashkëkohore të zhvillimit.

Pas më shumë se një dekade nga reforma territoriale, bashkitë e vendit vijojnë të jenë të papërgatitura për të përmbushur funksionin e tyre si aktorë të zhvillimit rural. ANRD ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht në analizat e saj, në pozicionet dhe deklaratat e Parlamentit Kombëtar Rural si dhe në komunikimet me institucionet vendore dhe qendrore. E njëjta mungesë vizioni ka ndikuar që shumë politika dhe instrumente mbështetëse, të tillë si IPARD II, programi i 100 fshatrave, apo strategjia e agroturizmit (me gjasa dhe Paketa e maleve), të mos kenë dhënë ndikimin e pritshëm, pikërisht sepse nuk janë ndërtuar mbi partneritet real me pushtetin vendor.

Zhvillimi rural që të jetë efektiv kërkon politika me bazë territorin që mbështeten në nevojat reale, burimet dhe aktorët lokalë. Ky është thelbi i qasjes LEADER që ANRD ka promovuar pa ndërprerje dhe e ka bërë temë kryesore të tre edicioneve të Parlamentit Rural Shqiptar (2017) (2021) (2023) dhe rekomandimeve të kësaj platforme si dhe pozicionimeve të ndryshme ndër vite. Qasja LEADER/CLLD, e mbështetur nga BE, është modeli që ANRD ka propozuar si mënyrë për të rivitalizuar partneritetin në territor, për të ndërtuar struktura vendimmarrjeje vendore dhe për të lidhur bashkitë, shoqërinë civile, komunitetin dhe biznesin në një qasje të përbashkët. Tashmë është koha për ta zbatuar atë.

Tryeza vuri theksin në nevojwn e dukshme pwr njw filozofi tw re zhvillimi me qendwr fshatin si njw hapwsirw zhvillimi ku qeverisja, sipwrmarrja dhe komuniteti bashkwpunon. Që prej vitit 2017, ANRD ka organizuar Parlamentin Rural Shqiptar (2017, 2021, 2023) si një hapësirë për diskutim dhe konsultim të vërtetë me komunitetet rurale. Ky format, që tani është kthyer në platformë kombëtare dhe mekanizëm i testuar për dialog dhe partneritet, ka krijuar hapësira reale për të dëgjuar, mbledhur dhe propozuar zgjidhje nga vetë aktorët e territorit. Tashmë që Parlamenti i 4 Rural Shqiptar (2026) është në hapat e parë të planifikimit, kemi një mundësi reale për ta kthyer këtë mekanizëm në instrument politikëbërës, që ndihmon në ndërtimin e politikave kombëtare nga poshtë-lart.

Kërkesat e ANRD për këtë proces janë formuluar në Deklaratën e Parlamentit të tretë rural (2023): i) Vendosja e partneritetit të përhershëm me Kuvendin dhe Komisionet Parlamentare për të monitoruar dhe ndikuar politikëbërjen për zhvillimin rural, dhe ii) Formalizimi i bashkëpunimit me MBZHR për të organizuar Parlamentin Rural çdo 2 – 3 vjet si platformë kombëtare me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Përmbushja e dy kërkesave do të rriste impaktin institucional në funksion të zhvillimit rural dhe bujqësor dhe garantimin e qeverisjes së mirë në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë dhe progresin social ekonomik të  vendit.

Fjalimi i Kryeministrit në tryezën “Bujqësia 2030” ishte një thirrje për kthesë në mënyrën si mendojmë dhe veprojmë për fshatin shqiptar. Por megjithatë, tashmë është momenti për ta kthyer këtë frymë në partneritete, veprime konkrete dhe politika aktive për zhvillimin e fshatit. ANRD është e gatshme të jetë pjesë aktive e këtij procesi, duke ofruar përvojën, ekspertizën dhe rrjetin e saj të gjerë të anëtarëve, mbështetësve dhe entuziastëve të punës sonë. Parlamenti i katërt i planifikuar për mars 2026, përfaqëson momentin ideal për ta konkretizuar këtë frymë të re zhvillimi përmes një partneriteti gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm midis qeverisë, pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe komuniteteve rurale.