Më 23 shtator 2021, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Menaxhues të IPARD në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizoi Takimin Kombëtar të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV) dhe GLV potenciale. Qasja Leader në Shqipëri: Si mund ta shndërrojmë mbështetjen IPARD III në instrumentin kryesor për zbatimin e suksesshëm mbarëkombëtar të qasjes Leader? Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për BRDN në zhvillimin institucional për të revitalizuar komunitetet rurale në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga We Effect.
Synim kryesor i takimit ishte për t’i dhënë një hov të ri zbatimit të Qasjes Leader në Shqipëri pas një periudhe të gjatë pritje për të pasur një autoritet kombëtar që mbështet qasjen Leader në komunitetet rurale të vendit tonë. Takimi bëri bashkë 35 pjesëmarrës në rolin e drejtuesve të GLV-ve, GLV-eve potenciale, përfaqësues të shoqërisë civile, autoritete kombëtare dhe lokale, donatorë që mbështesin sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural të tillë si: FAO, UN Ëomen, GIZ etj.
Takimi u hap nga Koordinatorja Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, e cila pas prezantoi një përmbledhje të dinamikave të zbatimit të qasjes Leader në Shqipëri: nisma, territore dhe struktura partneriteti të krijuara përmes proceseve gjithëpërfshirëse dhe me orientim nga poshtë-lart. Pas këtij prezantimi, përfaqësuesit e GLV-ve dhe GLV-ve potenciale prezantuan raste konkrete të nismave të tipit/ose të ngjashme me qasjen Lider dhe Grupet Lokale të Veprimit duke ndarë përvojën dhe njohuritë e tyre mbi sfidat në terren në lidhje me zbatimin e qasjes Leader.
Takimi vijoi më tej me prezantimin e Autoritetit Menaxhues të Programit IPARD në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Grigor Gjeci, i cili prezantoi mundësitë që IPARD III ofron për qasjen Leader. Z. Gjeci gjithashtu diskutoi mbi mundësitë që ofron masa e Asistencës Teknike IPARD II dhe subjektet përgjegjëse dhe rolin përkatës të tyre në lidhje me zbatimin e masës Leader. Prezantimi kishte natyrë informuese duke qartësuar pritshmëritë që duhet të kenë drejtuesit e GLV-ve në lidhje me IPARD III dhe masën e Asistencës Teknike.
Informacioni i ndarë nga z.Gjeci mbi IPARD III dhe masën e Asistencës Teknike inkurajoi shkëmbime mes pjesëmarrësve të takimit, duke ofruar hapësirë për të ndarë opinione dhe drejtuar pyetje në lidhje me mundësitë që do të ofrojë Programi IPARD III.
Këtu mund të gjeni agjendën e takimit.