+355 (04) 2400241 [email protected]

Në datat 11-13 tetor, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe 34 organizatat anëtare të veta në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës, sollën së bashku më afërsisht 500 pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme rurale të Shqipërisë dhe aktorë të rëndësishëm të zhvillimit rural për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete që duhet të ndërmerren për përmirësimin e mirëqenies së banorëve të zonave rurale. Parlamenti kombëtar rural përfaqëson përpjekjen më të qëndrueshme të advokacisë nga poshtë-lart, duke krijuar hapësirë për dialog dhe bashkëpunim, shkëmbim të këndvështrimeve rreth çështjeve të rëndësishme dhe aktuale të zhvillimit rural dhe bujqësor, si dhe për të ofruar rekomandime për gjallërimin e jetës dhe ekonomisë rurale.  

Edicion i tretë erdhi me temën “Jeta buron nga fshati”, e cila thekson të vërtetën e madhe se zhvillimi dhe përparimi i Shqipërisë vjen nga zonat e saj rurale. “Jeta buron nga fshati” thekson rëndësinë e mbështetjes së ekonomive rurale, investimit në infrastrukturë, arsim dhe krijimit të mundësive për të rinjtë brenda komuniteteve të tyre. Zhvillimi i qëndrueshëm i zonave rurale mund të bëhet vetëm duke punuar me të gjithë elementët përbërës të këtyre zonave, prandaj në këtë edicion kjo platformë ishte gjithëpërfshirëse, duke krijuar për herë të parë mundësi për të rinjtë nga zonat rurale, fermerët e rinj dhe sipërmarrësit të mblidhen në Asamblenë e tyre Rinore: “Me të rinjtë, për të rinjtë, nga vetë të rinjtë”. Gjithashtu, Edicioni i 5-të i Pro-Grave rurale 2023 u organizua në kuadër të Parlamentit Rural për të fuqizuar advokacinë për një sektor bujqësor dhe rural, për komunitetete dhe një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë. 

Parlamenti u hap me fjalën e Znj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural.  Midis të tjerave ajo u shpreh: “ Ndërsa jam këtu para jush, ndihem e prekur nga dedikimi që secili prej jush sjell ndaj kauzës së zhvillimit të qëndrueshëm rural. Jemi këtu sot, jo vetëm si advokues, por edhe si forcë shtytëse e zhvillimit rural. Këtu sot gjendet zemra e zhvillimit rural të Shqipërisë, përfaqësues të ndryshëm të institucioneve, strukturave, grupeve dhe komuniteteve rurale në gjithë Shqipërinë. Të gjithë ne jemi pjesë të së tërës, jemi mozaik perspektivash të ndryshme, cka do të na mundësojë të diskutojmë cështjet më kritike me të cilat përballen zonat rurale. Ky është parlamenti i të gjithëve. Askush të mos mbesë pas, kjo thënie në zhvillimin rural merr një rëndësi të vecantë duke ditur që në masë të madhe komunitete rurale nuk janë të lidhura me proceset dhe dinamikat ku drejtimet kryesore, vendime qe influencojnë jetën e tyre rrihen, diskutohen dhe merren.”. 

Në vijim,  Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Z. Fatbardh Sallaku u ofroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve dhe falenderoi Rrjetin Shqiptar për Zhvillim Rural për organizimin e këtij eventi gjithëpërfshirës. Fjala përshëndetëse vijoi me zëvendës ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Arian Jaupllari, , Z. Kim Smedslund, anëtar i grupit drejtues të Parlamentit Rural Evropian, z. Ekrem Hyseni, përfaqësues i GIZ, Maqedonia e Veriut.  

Programi vijoi me sesionin plenar “Realitete rurale shqiptare mes sfidave dhe mundësive për zhvillim”. Ndryshe nga panele të tilla, diskutimin dhe parashtrimin e çështjeve kyçe e bënë pjesëmarrësittë ardhur nga zona të ndryshme rurale të vendit tonë. Aldo Shelqetja, fermer i ri nga zona e Bushatit, “Unë jam një fermer i ri dhe mbarështoj një tufë blegtorale prej 100 krerë lopë dhe vazhdimisht has problematika në lidhje me sigurimin e ushqimit për blegtorinë për shkak të përmbytjeve të shpeshta të zonës. Gjithashtu përballemi edhe me mungesë të mbështetjes financiare nga institucionet publike. Neve na mungon subvencionimi për sasi të prodhuar.” Rasti i dytë ishte rasti i sjellë nga Paskal Vogli, drejtor i GVV Kolonja e Gjelbër i cili prezantoi: “Pavarësisht se qasja Leader dhe GVV-të  është një nga metodat më të rekomanduarat për zhvillimin e qëndrueshëm rural, ne përballemi me vështirësi në akreditim dhe njohje nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.” Florentini, një i ri nga Mirdita i cili ka investuar në blegtori solli çështjen e paqëndrueshmërisë së skemave të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe  kritereve të përfitimit të  ndryshueshme çdo vit si problem kryesor me të cilët përballen fermerët. Gjergj Kodrari një fermer i ri nga Dukagjini i angazhuar në blegtori dhe bletari ndau përvojën e vet rreth çështjes së problemeve të pronësisë, infrastruktura e dobët rrugore, aksesin e vështirë në tregje, mungesën e shërbimit veteriner  në zonë. Pasi u njohën me disa nga problematikat me të cilat përballen komunitetet e zonave rurale ishin të ftuarit e panelit që do të jepnin sugjerimet dhe zgjidhjet e tyre. Z. Arian Jaupllari, zëvendës ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në përgjigje të problematikave të ngritura u shpreh: “Qëllimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural gjatë përcaktimit të kritereve për përfituesit nga skema kombëtare është që fermerët të rrisin numrin e krerëve që ata mbarështojnë, si dhe të rrisin bashkëpunimin midis tyre.”  Gjithashtu ai u shpreh se është e nevojshme që të hartohet legjislacion dhe politika të reja për përshtatjen me ndryshimet klimatike. Z. Sallaku u shpreh: “Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron ekspertizë për të gjitha trajnimet e nevojshme dhe po punon për kapitujt që po negociohen me Bashkimin Evropian. UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Shqipëri që cdo vit nxjerr në treg specialistë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.” Nënkryetarja e bashkisë Vlorë, Znj Aulona Veizi u fokusua te vështirësitë që fermerët hasin në zinxhirin e vlerës, sikurse janë mungesa e kapaciteteve ruajtëse dhe përpunuese apo edhe gjetja e tregjeve të eksportit. Gjithashtu, Znj Veizi theksoi rolin e bashkive që tashmë kontribuojnë në të gjitha asptet e zhvillimit rural, përtej prodhimit bujqësor, sikurse i është dhënë rëndësi e veçantë zhvillimit të turizmit. 

Kryetari i Bordit të ANRD, Sotiraq Hroni vuri theksin te dimensioni i demokracisë pjesëmarrëse të nismës së parlamentit rural, që në thelb lidhet me njerëzit, me investimin te  besimi i njerëzve. Z. Hroni, ndau perspektivën e ANRD mbi praktikën e  zbatimit të Programit qeveritar të100 fshatrave, i cili nëse do të harmonizohej me qasjen Leader për zhvillimin e partneriteteve publik-privat n zonat ku do të investohej  do të rezultonte një program i suksesshëm në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm rural. Z. Arben Shkodra – Sekretar i Përgjithshëm, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, u fokusua tek cilësia dhe standardet e produkteve të prodhuara në Shqipëri si dhe kërkesat e tregjeve ndërkombëtare. Ai ngriti si shqetësim mungesën e qartësisë së fermerët të legjislacionit në lidhje me kërkesat e cilësisë. Ky sesion do të mbyllej me një nga të rejat më aktive të zonave rurale, Marjana Koçeku, e cila menaxhon agroturizmin “Neomalsore”. Marjana filloi nga problematikat që hasin të rinjtë e zonave rurale dhe u ndal tek thirrja për t’i parë të rinjtë si e ardhmja.  

Sesioni plenar u pasua nga Asambleja e Parë Kombëtare e të Rinjëve në Zonat Rurale, nën sloganin “Me të rinjtë, për të rinjtë, nga vetë të rinjtë”. Kjo asamble bashkoi më shumë se 100 të rinj nga i zona të ndryshme rurale të Shqipërisë. Dita e parë e Parlamentit të  3-të Rural Shqiptar u mbyll me ndarjen e pjesëmarrësve në 11 workshope, 3 prej të cilave dedikuar të rinjve. Workshopet ndihmuan në identifikimin e problematikave dhe mundësive të mundshme të zgjidhjes së tyre.  

Dita e dytë e parlamentit ishte dedikuar edicionit të 5 të “Pro Gruas Rurale”. Prej pesë vitesh ky event është kthyer në traditë dhe shërben si një platformë për të bërë bashkë gratë dhe vajzat e komuniteteve rurale për t’u përfshirë në diskutime rreth shqetësimeve të tyre, prioriteteve dhe hapave që institucionet duhet të ndërmarrin. Në këtë event ishin të pranishëm 150 pjesëmarrës, të cilët përfaqësonin grupe interesi të ndryshme.   

Dita e përmbyllëse e Parlamentit të  3-të Rural Shqiptar u zhvillua në formën e një sinteze të diskutimeve të zhvilluara gjatë ditëve të para dhe si një mundësi për përcjelljen e mesazheve kryesore. Sesioni përfundimtar  përmblodhi frymën e bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe ndërtimit të partneritetit, duke ofruar një perspektivë të përbashkët për rrugën e ardhshme. Ky sesion shpalosi mesazhet kryesore nga përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit dhe përfaqësuesve  të qeverisë apo të tjerë të ftuar. Qëndrueshmëria e zonës rurale ndaj krizave, nevoja për solidaritet dhe nevoja për struktura, strategji dhe mbështetje më të mira dominojnë, janë ato çka reflektojnë Deklaratën e Parlamentit të tretë Rural Kombëtar, që së shpejti do të ndahet me të gjithë.