+355 (04) 2400241 [email protected]

Që prej dhjetorit 2019, ANRD po bën përpjekje për të konsoliduar ANRD Rural Youth Hub. Rural Youth Hub është një grup pilot që vepron nën ombrellën e ANRD, që shpreh zërin e të rinjve në Shqipërinë rurale dhe promovon vetë-aktivizimin e rinisë rurale. Rural Youth Hub krijon mundësinë për të mundësuar të rinjtë, veçanërisht ata të zonave rurale, të ushtrojnë ‘zërin’ e tyre për të ndikuar politikëbërjën bujqësore dhe rurale, për t’i bërë këto procese të orientuara dhe të lidhura ngushtë me shqetësimet, interesat dhe prioritet e të rinjve. Me rastin e dy vjetorit të nismës për krijimin e Rural Youth Hub, ANRD organizoi vizitën shkëmbyese ‘Rinia Rurale: Shkëmbim i eksperiencave dhe njohurive në lidhje me mundësitë, sfidat dhe nevojat e tyre për konsolidimin e Rural Youth Hub’ më 21-22 dhjetor në zonat rurale tw bashkisë Durrës. Aktiviteti u fokusua në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes të rinjëve aktiv në organizata dhe nisma të ndryshme në zhvillimin e qëndrueshëm rural, me fokus rininë nw zonat rurale.

Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit është vizita studimore në Agroturizëm Huqi, përfaqësues i së cilës na tregoi mbi historinë, sfidat dhe peripecit e biznesit së tyre. Në fjalën e tij ai përmendi se të rinjtë rural në Shqipëri përfaqësojnë pjesën më vitale të zhvillimit bujqësor dhe rural dhe kontributi i tyre është i paçmueshëm. Gjatë diskutimit me anëtarët e Qendrës Rinore Rurale ai u shpreh se të rinjtë kanw potencial të kontribuojnë dhe investojnë si në mirëqenien e familjes së tyre, jetës komunitare dhe më gjerë. Përvoja e mirë dhe suksesi i Agroturizëm Huqi inkurajoi të rinjtë pjesëmarrës në rëndësinë e sipërmarrjeve agroturistike në zhvillimin e komuniteteve rurale.

Një moment tjetër i rëndësishëm i aktivitetit është edhe vizita virtuale në Klubin e Sipërmarrësve, e cila u dha mundësinë të rinjve të njihen me organizatën dhe të dinë më tepër në lidhje me hapat që ajo ka ndërmarrë në procesin e konsolidimit të organizatës. Organizata “Klubi i Sipërmarrësve të Rinj” – është organizatë e hapur për të gjithë ata të rinj dhe individë të cilët kanë eksperienca apo njohuri në fushën e biznesit apo disiplina të ngjashme, si dhe dëshirojnë të përfshihen në sipërmarrje biznesi.

Në të vërtetë, të rinjtë ndeshen me shumë sfida në përditshmërinë e tyre, dhe në krahasim me të rinjtë e zonave urbane ata kanë më shumë vështirësi që lidhen kryesisht me aksesin e ulët në shërbime publike bazë, infrastrukturë, tregje, teknologji dhe informacion. Duke pasur parasysh të gjitha këto, gjatë vizitës shkëmbyese u krijua hapsira e nevojshme për të zhvilluar një workshop me dy sesione. Sesioni i parë i workshopit u fokusua në temën “Si e perceptojnë të rinjtë suksesin në një kohë kur vetë të rinjtë kanë akses të kufizuar në asete prodhuese?” dhe sesioni i dytë me temë “Cilat janë veprimtaritë ekonomike kryesore me të cilat merren të rinjtë në komunitetet e tyre rurale?” Në të dyja sesionet e workshopeve të rinjtë kontribuan aktivisht duke ndarë përvojat dhe mendimet e tyre.