+355 (04) 2400241 [email protected]

Humbjet në biodiversitet, ndryshimet klimatike, ekstremitetet e motit dhe fatkeqësitë natyrore (përmbytjet, zjarret, pandemitë etj), braktisja e tokave dhe copëtimi i saj ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe rural, veçanërisht në fermat e vogla. Akademia nga Ferma në Tryezë synon të mbështesë biodiversitetin, të mbrojë dhe të promovojë modele të ekonomisë qarkuelluese midis fermerëve të vegjël shqiptarë. Akademia krijoi një grup të vogël udhëheqësish lokalë për të ndihmuar fermerët e vegjël të adaptojnë teknikat e tyre bujqësore dhe rurale për të ruajtur biodiversitetin në ferma dhe për të rritur ndërgjegjësimin për cënueshmërinë e ndryshimeve klimatike dhe zgjidhjet e adaptimit teknik / bujqësor / bio-inxhinierik në vetë-qëndrueshmëri efikase dhe me kosto efektive.

Akademia nga Ferma në Tryezë mbështeti financiarisht nëpërmjet çmimeve për përshtatjen e fermave të vogla të mbrojtjes së biodiversitetit tre ide novatore që do të shërbejnë më tej si praktika pilote demonstruese për fermerët e vegjël shqiptarë.  Tre fituesit e Akademisë të mbështetur nga mentorë zbatuan idetë fituese në fermat e tyre gjatë periudhës maj-qershor 2021. Përmes njohurive të fituara nga Akademia tre fituesit, fermerë të rinj, zbatuan në praktikë masa që rrisin qëndrueshmërinë e fermave të tyre të vogla dhe familjare, ruajnë mjedisin dhe parandalojnë humbjen  e mëtejshme në biodiversitet.

Promovimi i përdorimit të teknologjive të zgjuara në fermë dhe përshtatjeve që mbrojnë biodiversitetin, mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe përmirësojnë rezistencën ndaj ndryshimeve të klimës (p.sh. restaurimi dhe ruajtja e varieteteve të vjetra të të korrave dhe larmia e tyre; menaxhimi i qëndrueshëm i tokës, menaxhimi i pemishteve dhe pemëve të vjetra, restaurimi i shkurreve të frutave, mbjellja e fushave me bimë pas korrjes që sigurojnë tokën me fosfor dhe kalium që ruan biodiversitetin, zvogëlimin e numrit të pesticideve; zgjidhje që lejojnë aksesin në treg; menaxhim të erozionit, prezantimi i praktikave novatore të hortikulturës, etj) kanë qenë në themel të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave ndërmjet pjesënmarrësve të Akademisë dhe eskpertëve të vendeve të Visegradit, duke përfshië Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë.

 

Njihuni me tre projektet e vogla fituese dhe realizimin e tyre

 

Ferma Ferro – Sistemi Hidroponik, Mujalli, Fier

Ideja novatore në bujqësi për të zhvilluar një sistem hidroponik është një ndër idetë fituese që u mbështet nga Akademia ‘Nga Ferma në Tryezë’.

Ferma familjare Ferro, ka në përdorim tokë bujqësore arë, të cilën e kanë kultivuar me bimë për përdorim familjar, kryesisht grurë, fasule, shalqinj por edhe për qëllime shitje si misër dhe jonxhë. Në vitin 2019 ferma ka investuar në ndërtimin e një hapësire magazinimi 190m2 për ruajtjen dhe magaziminin e prodhimeve bujqësore më qëllim shitjen e tyre në kohë kur çmimi rritet. Magazina lindi si nevojë për ruajtjen e drithërave deri në shitjen e tyre, dhe shitja e mbyll ciklin: nga punimi i tokës deri tek shitja, proces ky që ka kosto të lartë dhe normë shumë të ulët fitimi. Për këtë arsye, familja kërkon alternativa të tjera për të shfrytëzuar më mirë këto inpute në dispozicion dhe për të nxjerrë fitime. Nëpërmjet idesë Ferma synon të krijojë një makineri për rritjen e grurit në akuakulturë dhe më pas përdorimi i tij si ushqim i njomë për bagëtitë (lopët, delet, pulat).

Falë mbështetjes së Akademisë, Eriselda tashmë ka krijuar sistemin hidroponik dhe ka konkretizuar rritjen e farave të grurit përmes spërkatjes dhe ushqimit të vazhdueshëm me ujë duke mos pasur nevojën për një truall toke bujqësore. Thënë ndryshe, gruri rritet në tava të posaçme për 7 ditë dhe përdoret si ushqim i njomë për bagëtitë (lopët, delet, pulat).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ferma Sali – Bletaria, Gostivisht, Përmet

Ferma Sali ndodhet përgjatë itenerarit turistik të unazës të Parkut Kombëtar Bredh-Hotovë-Dangëlli i cili shfrytëzohet për Jeep Tour, Treking dhe ecje me kuaj. Kërkesa e tregut për mjaltin dhe nënproduktet e tij janë në rritje dhe ofrimi i shërbimeve në këtë zonë është nevojë urgjente dhe të domosdoshme për turistët dhe vizitorët që gjithnjë janë në rritje. Në këtë zonë të pasur me bukuri natyrore dhe pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore, Ferma familjare Sali është e vetme që ofron shërbime agro-turistike. Zona ndër vite është karakterizuar nga largimi i popullsisë lokale drejt zonave urbane për shkak të largësisë dhe izolimit gjeografik.

Flora, fermere e re që drejton fermën frymëzon me punën dhe përpjekjet që bën për të qenë e përfshirë në aktivitete të shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në fushën e zhvilllimit rural. Flora, propozoi për mbështetje idenë për përmirësimin e aktivitetit të bletarisë përmes blerjes së disa paisje që janë të rëndësishme për blerarinë dhe rritjen e numrit të koshereve, Parku i bletëve ndodhet në fshatin Gostivisht dhe infrastruktura e dobët rrugore bën që transporti i mallit të jetë i vështirë, me kosto të lartë duke rezultuar në fitime të pakta. Për këtë arsye, ferma synon të rrisë prodhimin e mjaltit duke u përpjekur të diversifikojë produktet e bletarisë, si për shëmbull propolisi, qumështi i bletës etj., të cilat kanë një kërkesë të lartë në treg. Synimi I fermës është që produktet e bletarisë t’i vendosë në funksion të turizmit duke diversifikuar gamën e produkteve që ofron.

Përmes mbështetjes së Akademisë “Farm to Fork”, Flora shtoi numrin e koshereve të bletëve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kampingu i Fluturave – Labinot Murrja, Hotesh, Dibër

Labinoti,  një sipërmarrës i ri me vizion dhe lidership për të ndërmarrë projekte novatore është fituesi i tretë i Akademisë “Farm to Fork”. – të ngritur nga Labinoti. Kampingu i flutrave një sipërmarrje novatore, buzë lumit Drinit, në fshatin Hotesh, Luzni, Dibër i cili po bëhet gjithnjë e më shumë i njohur falë Kampingut të Flutrave. Kampingu është i spikatur për biodiversitetin e larmishëm dhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të njohura turistike në zonën e Dibrës. Plazh, ecje në natyrë, raftin dhe lojëra janë disa nga shërbimet që ofron Kampingu.

Falë mbështetjes së Akademisë, Labinoti ka përmirësuar ofertën e Kampingut në mënyrë krijuese, përmes krijimit të pularisë në kamping. Tashmë të gjithë vizitorët e Kampingut do të munden të shijojnë përveç natyrës së mrekullueshme edhe gatimet tradicionale të Dibrës, përfshirë këtu pulën e freskët me jufkat.

 

 

 

 

 

 

 

 

Projekti bashkëfinancohet nga qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Visegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Visegradit. Misioni i Fondit është të avancojë idetë për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.