+355 (04) 2400241 [email protected]

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, më 15 Tetor 2022, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural organizoi Edicionin e Katërt të eventit “Pro-grave Rurale”, në Shirgjan, Elbasan. Ky event  mblodhi së bashku mbi 110 pjesëmarrës nga zona të ndryshme rurale të Shqipërisë, institucioneve të qeverisjes kombëtare dhe vendore, organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, akademisë dhe medias. Lexoni këtu agjendën e aktivitetit.

“Pro-grave Rurale” 2022 me tematikën Gratë rurale kultivojnë ushqim cilësor për të gjithë vuri në qendër gratë që janë përfshirë dhe kontribuojnë në sektorin agro-ushqimor. Edicioni IV ofroi mundësi për t’u njohur me rolin dhe kontributin e paçmueshëm të grave në sektorin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, sigurinë ushqimore dhe zbutjen e varfërisë, duke i dhënë zë sukseseve dhe sfidave të sipërmarrëseve nga zonat rurale. Në komunitetin e vogël të Shirgjan vajza dhe gra nga zonat rurale të bashkive Kolonjë, Korçë, Elbasan dhe Pukë diskutuan mbi sfidat e tyre në sektorin agro-ushqimor. Për më tepër, ato kërkuan të ndërmerren veprime për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe për të pakësuar kufizimet  që zvogëlojnë produktivitetin dhe potencialin e tyre sipërmarrës.

Edicioni i vitit 2022 u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për fuqizimin ekonomik dhe social të grave rurale në bashkitë Elbasan dhe Kolonjë” i cili zbatohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural në kuadër të projektit Barazi Gjinore Rurale dhe Turizëm (GREAT), i financuar nga Qeveria Italiane dhe zbatuar nga UN Women and FAO, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndaj eventi u hap me vizitën e përfaqësuevse të institucioneve partnere të projektit GREAT në ambientet e Federatës Bujqësore të Elbasanit, ku u njohën me organizimin dhe shërbimin që ofron kjo Ferderatë për fermerët e vegjël në zonë. Gjithashtu, të pranishmit u njohën edhe me projektin e ndërtimit të inkubatorit të frutave dhe perimeve të freskëta, përfituese të së cilit do të jenë fermerët e zonës, vecanërisht gratë.

Organizatorët dhe të ftuarit përshëndetën pjesëmarrësit, kryesisht gra të zonave rurale të disa prej bashkive të vendit. Në fjalën e saj Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural, theksoi se Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural e ka cilësar Ditën Ndërkombetare të Gruas Rurale si një mundësi për të advokuar për mirëqenenin e grave dhe vajzave në zonat rurale. Ndaj eventi i Pro Grave Rurale bën bashkë aktorët të angazhuar në fuqizimin social ekonomik të grave për të përftuar një kuptim real dhe të fortë të asiptaratave, prioriteteve dhe shqetësimeve të tyre, duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e rritur për instrumente dhe veprimeve për të përmirësuar mirëqenien e tyre, vecanërisht në kohë të sfidave të mëdha sociale, ekonomike, shëndetësore dhe politike.

Sipas Zv. Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeci, problematika e formalizimit të aktiviteteve të grave në zonat rurale do të gjej zgjidhje nëpërmjet iniciativës së re për barazi gjinore rurale. “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë dhe Gratë, janë angazhuar me anë të projektit GREAT të arrijnë zhvillimin e kapaciteteve të grave nëpërmjet formalizimit të aktiviteteve të tyre, forcimin e rolit dhe kontributit të tyre në zhvillimin rural”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj Angelica Ranieli, përfaqësuese e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ndër të tjera tha: “Të jesh një grua është e vështirë, të jesh një grua rurale është dyfish e vështirë dhe kjo gjë është vështirësuar edhe më shumë për shkak të pandemisë dhe tërmetit që preku Shqipërinë prandaj ky projekt synon fuqizimin ekonomik dhe social të grave në zonat rurale.”

Në diskutimin mbi kufizimet që zvogëlojnë potencialin produktiv dhe sipërmarrës të grave në zonat rurale, Estela Bulku, Drejtuese e Programeve të UN Women në Shqipëri tha se “Sot, vetëm 8% e fermave në Shqipëri drejtohen nga gratë, pavarësisht se ato luajnë rolin më të rëndësishëm në sektorin e  bujqësisë. Gratë në zonat rurale përballen me diskriminime të ndryshme që kanë të bëjnë me pabarazi në vendimmarrje, stereotipe gjinore si dhe me ndarje të pabarabartë të kontributit dhe të punës së papaguar”, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët për përmirësimin e mirëqenies së vajzave dhe grave.

Eventi vijoi me zëra të grave rurale të cilat prezantuan veten, aktivitetet dhe produktet e tyre. Gjithashtu ato shprehën nevoja dhe sfidat me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre dhe mënyra se si mund të adresohen këto problematika. “Nga pushteti qendror mund të dalin ligje të kulluara si uji i përroit, por ato turbullohen rrugës dhe ndaj sot kemi këto vështirësi. Të flasësh për gratë e zonave rurale duhet që fillimisht ta njohësh mirë realitetin. Po të shohësh duart e grave rurale është për t’i vënë duart kokës dhe ndaj i bëj thirrje pushtetit vendor të ndërhyjë dhe të mbështesë grupet e grave rurale, të cilat fatmirësisht janë ekzistente, në formalizimin e aktivitetit” – tha Maria Frroku, përfaqësuese e grupit të grave Gjegjan, Pukë.

Pjesë e eventit ishte edhe një panel diskutimi i fokusuar në adresimin e pabarazive gjinore në zinxhirin e vlerës agroushqimor. Tatjana Dishnica, Drejtore Ekzekutive e Gruaja në Bujqësinë e Qëndrueshme dhe pedagoge në Universitetin Bujqësor të Tiranës trajtoi sfidat dhe kufizimet qe përjetojnë gratë e përfshira në zinxhirët e vlerave me ndjeshmëri gjinore dhe se si ato mund te adresohen. “Kjo ditë është një thirrje për rritjen e bashkëpunimit midis pushtetit qendror dhe organizatave të shoqërisë civile për mbështetjen e agroekologjisë si një qasje e re. Problemi dhe zgjidhja janë shumëdimensionale, është e domosdoshme që të gjithë të bshkëpunojmë për të ndihmuar dhe fuqizuar ekonomikisht gratë në zonat rurale”- theksoi ajo. Gjithashtu, një nga çështjet e rëndësishme që u trajtua ishte e drejta pronësore e grave në zonat rurale si një nga sfidat e mëdha që pengon gratë në fuqizimin e tyre social  dhe ekonomik. Sipas Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës ekziston një problem shumë i madh në mentalitetin patriarkal, mungesën  e të dhënave me bazë gjinore nga institucionet përkatëse dhe mungesën e formalizimit për gratë angazhuara në këto aktivitete. Ndër të tjera ajo shprehet se: “Ne kemi një papunësi shumë të madhe në sektorin e bujqësisë kur në fakt gratë punojnë në bujqësi. Për shkak të problemeve me pronësinë e tokës gratë nuk kanë mundësi të rregjistrohen si të punësuara dhe kjo sjell një pabarazi shumë të madhe sepse ato nuk përfitojnë nga sigurimet shoqërore apo pensione.”

Eventi u përmbyll me panairin e produkteve lokale të prodhuara mjeshtërisht dhe në mënyrë artizanale nga gratë pjesëmarrëse në aktivitet të cilat janë të përfshira në zinxhirë të ndryshëm të vlerave si frutat e pyllit, zahiretë e dimrit, mollës, frutave dhe perimeve të freskëta. Në ditët në vijim do të publikohet Deklarata e Pro Grave Rurale 2022.