Titulli i projektit Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane
Financimi Komisioni EvropianMbështetje për rrjetet tematike rajonale të Organizatave të Shoqërisë Civile EuropeAid/174154/DH/ACT/Multi

Lot 3: Tranzicioni i Gjelbër dhe Dixhital

Zona e zbatimit Gjashtë vende e Ballkanit Perëndimor (BP-6) dhe Kroacia
Drejton projektin Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural
Kohëzgjatja 16.01.2023 – 15.01.2027
Buxheti 1,442,183.16 Euro

 

Projekti rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane” përfshin shtetet: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovë*, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Kroaci. Projekti “Akademia nga Ferma në Tryezë” – zbatohet bashkërisht nga familja e Rrjeteve Kombëtare të Zhvillimit Rural (NRDNs) në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP-6), në Kroaci dhe nga platforma e tyre rajonale e bashkëpunimit, Rrjeti Ballkanik për Zhvillim Rural (BRDN). Për shumë më shumë informacion Fact Sheet_Farm to Fork Academy for Green Western Balkans – Shqip (002)

 

Thirrje e Hapur për Aplikime: Mbështetje për Organizatat e Shoqërisë Civile përmes Fondit të Akademisë nga Ferma në Tryezë 

Projekti Farm to Fork Academy for Green Western Balkans mbështet aktorët e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe Kroaci për të përparuar tranzicionin e gjelbër dhe të drejtë, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe Strategjinë Farm to Fork (F2F). Ky fond synon të forcojë rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit në BE, veçanërisht në bujqësinë e qëndrueshme dhe zhvillimin rural. 

Objektivat: 

Qëllimi i përgjithshëm: Forcimi i kontributit të shoqërisë civile në procesin e integrimit në BE, me fokus të veçantë në sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe ndryshimet klimatike.
Qëllimi specifik: Promovimi i zgjidhjeve inovative, të gjelbra dhe gjithëpërfshirëse për jetesën e qëndrueshme, duke adresuar ndryshimet klimatike dhe humbjen e biodiversitetit. 

Temat e Propozimeve: 

  • Praktika të qëndrueshme në bujqësi dhe zhvillim rural
  • Mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e biodiversitetit
  • Zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike 

Kriteret e Përshtatshmërisë: 

  • Fondi F2F Academy Linja 1: Grupet Vendore të Veprimit (GVV) të regjistruara si OJF me të paktën gjashtë muaj përvojë. 
  • Fondi F2F Academy Linja 2: OJF lokale dhe organizata të bazuara në anëtarësi (shoqata fermerësh, kooperativa, etj.) me të paktën dy vite përvojë. 

Detajet e Grantit: 

  • Shuma e Grantit: 3,000 – 5,000 EUR (100% e kostove të pranueshme mbulohet)
  • Shpërndarja e Fondit: 120,000 EUR për çdo linjë fondi, me një buxhet prej 20,000 EUR për çdo vend. 
  • Kohëzgjatja e Projektit: Minimumi 6 muaj, maksimumi 9 muaj. 

Vendi i Zbatimit: 

Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi 

Afati i Aplikimit: Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 25 Prill 2025, ora 23:59, në F2FAcademyFund@anrd.al. 

Dokumentet e Kërkuara: 

Paketa e Aplikimit

 Dokumentet Mbështetëse 

PYETJET MË TË SHPESHTA 

A është e mundur që në kuadër të projektit të blihet një serë e vogël e destinuar për kultivimin e bimëve aromatike dhe mjekësore? Kjo nismë do të mundësonte përfshirjen e një numri më të madh grash të papuna, duke qenë se gratë janë zakonisht më të angazhuara në këtë fushë.

  • Po, është e mundur të blihet një serë e vogël në kuadër të projektit, për sa kohë që kjo përputhet me qëllimet dhe objektivat e projektit. Përfshirja e grave të papuna në një nismë të tillë është në përputhje me fuqizimin e grupit përfitues, pasi gratë janë shpesh pjesëmarrëset kryesore në aktivitete të tilla.

A ekziston mundësia që në kuadër të projektit të blihen pajisje, konkretisht makineri, kultivatorë, etj., për përdorim nga familje individuale?

  • Po, blerja e pajisjeve si makineri dhe kultivatorë lejohet. Megjithatë, pajisjet duhet të përdoren për qëllime komunitare. Qëllimi duhet të jetë përfitimi i komunitetit të gjerë, jo vetëm i familjeve individuale. Për më tepër, pajisjet duhet të pasqyrohen dhe raportohen financiarisht në dokumentacionin e organizatës, duke garantuar transparencë dhe mbikëqyrje të duhur financiare.

A është e mundur që, për shembull, katër organizata të ndryshme të dorëzojnë një aplikim të përbashkët, ku secila organizatë paraqet propozimin e vet, por së bashku formojnë një projekt më të madh në të cilin secila zbaton një komponent të ndryshëm të aktiviteteve?

  • Jo, aplikimet e përbashkëta apo partneritetet ndërmjet organizatave nuk lejohen në kuadër të këtij projekti. Edhe pse ideja mund të duket e realizueshme në teori, një qasje e tillë sjell rreziqe në koordinimin dhe sigurinë e projektit. Rregullat e projektit kërkojnë që çdo propozim të dorëzohet nga një organizatë e vetme dhe të gjitha aktivitetet të jenë të harmonizuara dhe të mbështetura nga një organizatë aplikante.

Kur blihet pajisje për fermat demonstrative, a duhet që pajisja të regjistrohet në emër të organizatës, apo mund të përdoret nga një familje?

  • Pajisja duhet të blihet dhe të regjistrohet në emër të organizatës. Megjithatë, pasi blihet, organizata mund t’ia dhurojë më pas një familjeje përmes një akti dhurimi. Pavarësisht kësaj, pajisja duhet të pasqyrohet financiarisht dhe të raportohen të gjitha të dhënat në dokumentacionin e organizatës, duke siguruar transparencë dhe mbikëqyrje të duhur financiare.

Çfarë ndodh me buxhetin nëse vendoset të mos blihen pajisje?

  • 40% i përcaktuar për shpenzime që lidhen me pajisje në buxhet nuk është i detyrueshëm. Kjo shifër është orientuese dhe përfaqëson shumën maksimale të lejuar për shpenzime të tilla. Ju jeni të lirë ta rialokoni këtë pjesë të buxhetit drejt aktiviteteve të tjera, për sa kohë që ato janë në përputhje me objektivat dhe udhëzimet e projektit. Fondet mund të përdoren për komponentë të tjerë të projektit sipas nevojës.

A lejohen dieta (per diem) për individët e përfshirë në projekt gjatë vizitave monitoruese në terren?

  • Po, ato janë të parashikuara në seksionin: 2.1 Transporti Lokal.

A është e mundur të paguhen pagat e personelit të punësuar (grupi buxhetor Burime Njerëzore) përmes agjencisë sipërmarrëse të vetë personit të punësuar?

  • Po, është e mundur, për sa kohë që pagesa është në përputhje me legjislacionin lokal dhe kodin e punës në fuqi. Agjencia duhet të lëshojë dokumentacionin përkatës (p.sh., faturë) dhe marrëveshja duhet të jetë e justifikuar financiarisht dhe transparente. Duhet të mbahen evidenca të qarta për qëllime auditimi, dhe shërbimi duhet të pasqyrojë punë të kryer realisht, në përputhje me objektivat e projektit.

A mund të negociohet fillimi i zbatimit të projektit për në një datë më të vonë dhe jo menjëherë pas përzgjedhjes së fituesit të grantit?

  • Data e fillimit të zbatimit pritet të vijë menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit. Megjithatë, një vonesë e shkurtër mund të diskutohet me autoritetin kontraktues nëse ka arsye të justifikuara (p.sh., administrative ose logjistike). Çdo ndryshim duhet të miratohet paraprakisht dhe zyrtarisht përpara fillimit të zbatimit.

A ka kufizime në lidhje me llojin e pajisjeve që mund të blihen?

  • Po, ka kufizime. Edhe pse blerja e pajisjeve lejohet, ajo duhet të jetë qartë e justifikuar si thelbësore për arritjen e objektivave të projektit. Megjithatë, blerja e pajisjeve të zakonshme të zyrës, si printerë, kompjuterë, telefona celularë etj., nuk është e pranueshme, përveç rasteve kur këto janë absolutisht të domosdoshme për zbatimin e projektit dhe të justifikuara në mënyrë të qartë. Të gjitha pajisjet duhet të jenë me kosto të arsyeshme, të nevojshme dhe në përputhje të plotë me udhëzimet financiare të projektit.

A mund të jetë një vizitë studimore pjesë e aktiviteteve të projektit? Nëse po, a mund të zhvillohet në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor (p.sh. një organizatë nga Serbia të organizojë një vizitë në Mal të Zi)?

  • Po, vizitat studimore janë aktivitete të pranueshme, për sa kohë që ato kontribuojnë në objektivat e projektit dhe janë të justifikuara në aplikim. Vizitat studimore mund të zhvillohen edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Shkëmbimi ndërkufitar i praktikave të mira dhe i përvojave inkurajohet, veçanërisht kur kontribuon në bashkëpunimin rajonal dhe fuqizimin e kapaciteteve.

A mund një shoqatë të blejë pajisje me vlerë më të lartë se sa lejohet nga kjo Thirrje për Propozime dhe të raportojë vetëm pjesën që mbulohet (p.sh. deri në 40% të vlerës totale të projektit) ndaj autoritetit kontraktues?

  • Po, kjo është e mundur. Një shoqatë mund të blejë pajisje me vlerë më të lartë se tavani i lejuar në thirrje (p.sh. kufiri 40% për pajisje), për sa kohë që raportohet vetëm pjesa e pranueshme – në këtë rast, deri në 40% e buxhetit total të projektit. Pjesa tjetër e kostos duhet të mbulohet nga vetë organizata. Kjo procedurë duhet të dokumentohet qartë, dhe të gjitha kostot duhet të mbështeten me fatura përkatëse dhe ndarje të detajuar që tregon kontributin bashkëfinancues.

Nëse një organizatë ka në zbatim një projekt tjetër, a lejohet që granti prej 5,000 euro i parashikuar nga kjo thirrje të përdoret si bashkëfinancim për të mbështetur zbatimin e atij projekti?

  • Për sa i përket bashkëfinancimit, nuk ka një kufizim të përcaktuar. Megjithatë, është thelbësore që shpenzimet të ndahen qartë dhe të dokumentohen në mënyrë të tillë që të shmanget çdo formë dyfinancimi për të njëjtat aktivitete apo linja buxhetore. Gjithashtu, duhet të përshkruhen qartë objektivat dhe rezultatet që do të arrihen falë mbështetjes së kësaj thirrjeje, në mënyrë që ndikimi i financimit të jetë i matshëm dhe i gjurmueshëm.