Komunitetet rurale kanë një rol dhe kontribut të jashtëzakoshëm në progresin social ekonomik të vendit tonë. Ne, jemi të vetëdijshëm për pasurinë e madhe në burime natyrore dhe trashëgimi kulturore të komuniteteve rurale, si dhe për rëndësinë e tyre në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Megjithatë mbetemi të shqetësuar për humbjen e burimeve të jetesës, eksodin e popullsisë, ndikimin e ndryshimeve klimatike, tkurrjen e ekonomisë lokale, varfërinë dhe përjashtimin social.Politikat kanë rezultuar jo-efektive në zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe nuk i kanë plotësuar pritshmëritë në lidhje me zbatimin e politikave evropiane për zhvillimin e qëndrueshëm vendor, siç është qasja Leader.
Në vijim të përpjekjeve tona për të avancuar demokracinë vendore, përfshirjen sociale, dhe për të nxitur progresin në integrimin evropian, në datat 11-13 tetor, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe 34 organizatat tona anëtare në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës, sollëm së bashku rreth 600 aktorë të ndryshëm të interest në Parlamentin e 3-të Rural Shqiptar. Edicion i tretë erdhi me temën “Jeta buron nga fshati”, e cila thekson të vërtetën e madhe se zhvillimi dhe përparimi i Shqipërisë vjen nga zonat e saj rurale.
Me kënaqësi po ndajmë me ju Deklaratën e Parlamentit të Tretë Rural Shqiptar– një dokument i rëndësishëm që lindi nga diskutimet e Parlamentit të 3-të Rural Shqiptar. Ky takim mbarëkombëtar përgatiti terrenin për dialog dhe bashkëpunim konkret mes aktorëve të interesit, për të analizuar realitetin dhe për t’u njohur më mirë me nevojat dhe problemet, për të reflektuar mbi vizionin dhe prioritetet si dhe veprimet kolektive me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet rurale në të gjithë vendin.
Ju ftojmë të lexoni Deklaratën dhe të reflektoni se si ju, së bashku me aktorë të tjerë, mund të përdorni rekomandimet e saj për të sjellë ndryshime konkrete për përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale.