Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) zhvilloi në Pogradec, trajnimin e dytë kombëtar “Bujqësia e Qëndrueshme dhe Zhvillimi Rural” në datat 25-26 Prill 2024. Trajnimi solli bashkë 24 pjesëmarrës nga 6 qytete të ndryshme* të Shqipërisë, përfaqësues të shoqëria civile, të rinj të interesuar për zhvillimin rural, bisnese lokale që merren me bujqësine etj. Trajnimi zhvillohet si vijim i trajnimit të dytë rajonal mbi të njëjtën temë mbajtur në Durrës me përfaqësues të shoqërisë civile nga 6 vendet partnere të projektit rajonal, në kuadër të Akademisë nga Ferma në Tryezë.
Qëllimi i trajnimit ishte të zhvilloheshin kapacitetet e pjesëmarrësve për bujqësinë e qëndrueshme dhe zhvillimin rural në mënyrë që secili të luajë një rol të rëndësishëm ndryshimi në nivel lokal për orientimin drejt tranzicionit të gjelbër duke transmetuar njohuritë e fituara.
Profesore. Tatjana Dishnica e përqëndroi prezantimin e saj në modulet: Agroekologjia, Hortikultura e qëndrueshme, Bujqësia Organike, Ekonomia qarkulluese në Bujqësi. Trajnerja solli një përspektivë të re nëpërmjet temës “Etika bujqësore, dilema dhe sfida drejt një zhvillimi të qendrueshëm” që zgjoi interesin e pjesëmarrësve.
“Trajnim motivues, që sjell inkurajim për atë që është duke ndodhur rreth nesh lidhur më zhvillimin e qëndrueshëm në bujqësi”- tha Oltjan Drabo, Fondacioni Mëshirë pa Kufij për Shqipërinë, Korcë.
Trajnimi, përtej informacionit të sjellë, siguroi për pjesëmarrësit një ambient bashkëbisedues, ndërveprues “Në trajnime të tilla rëndësia qëndron në krijimin e ndërveprimit midis pjesëmarrësve, pasi rrjetëzimi është i rëndësishëm”-Shprehet Esmeralda Bardhoshi, Shoqata, Gratë Fermere Tregtare, Elbasan.
Pjesëmarrësit në fund të trajnimit dakordësuan njëzëri për rëndësinë e vlerësimit të situatës së zonës rurale në terren dhe se përpos informimit dhe ndërgjegjësimit i grupeve të interesit në zonën rurale, ka po ashtu rëndësi informimi dhe ndërgjegjësimi i politikëbërësve.
“Politikat që propozojnë politikanët nuk janë të lidhura me realitetin, me fermerin, mendimet duhet të merren nga disa aktorë dhe duhet të merren nga fermerët që të pasqyrohen nevojat reale të tyre” – shprehet Valentina Pashollari, Forumi Gruas Rurale, Korcë.
Gratë e zonës kishin sjellë në trajnim produkte lokale (narden, fiq ë thatë etj) për promovimin e produktit lokal të punuar në mënyrë jo industriale, por duke u bazuar në parimet e qendrueshmërisë. Fotot e aktivitetit mund t’i shihni në faqen e Facebook të ANRD.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të projektit rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin e Gjelbër Perëndimor – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane” financuar nga @European Union to Albania dhe zbatuar nga konsorciumi i rrjeteve të zhvillimit rural në 6 Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia dhe nga platforma e Rrjetit Ballkanik për Zhvillim Rural (BRDN).
*Përfaqësuesit në trajnim ishin nga: Berati, Elbasani, Pogradeci, Erseka dhe Tirana.