ANRD organizoi Tryezën Kombëtare mbi qeverisjen e tokës bujqësore, të drejtat e fermerëve të vegjël dhe UNDROP
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organizoi më 30 korrik 2026 Tryezën Kombëtare “E ardhmja e bujqësisë familjare në Shqipëri: Qeverisja e tokës bujqësore, të drejtat e fermerëve dhe UNDROP”, duke bërë bashkë më shumë se 30 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, organizatave të fermerëve dhe shoqërisë civile, fereë të rinj, partnerëve ndërkombëtarë, dhe ekspertëve për të diskutuar mbi sfidat dhe perspektivat e bujqësisë familjare në Shqipëri.
Tryeza u zhvillua si një vazhdimësi e dialogut të nisur në Parlamentin e IV Rural Shqiptar, ku forcimi i bujqësisë familjare u identifikua si një ndër prioritete strategjike për zhvillimin rural të vendit. Aktiviteti synoi të zgjerojë debatin publik përtej projektligjit për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj, duke e vendosur diskutimin në një kuadër më të gjerë të qeverisjes së tokës, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore dhe procesit të integrimit evropian.
Në fjalën hapëse, Kryetari i Bordit të ANRD-së, z. Sotiraq Hroni, theksoi nevojën për partneritet të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe rëndësinë e organizimit të fermerëve në struktura përfaqësuese që mbrojnë interesat e tyre dhe mundësojnë pjesëmarrje më të madhe në hartimin e politikave publike.
Në emër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Ilir Ajdini, Drejtori i Përgjithshëm për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural prezantoi zhvillimet më të fundit në proceset e hartimit të politikave dhe legjislacionit në sektor, duke theksuar se projektligji për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj është pjesë e angazhimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe se aktualisht ndodhet në proces konsultimi publik. Ai prezantoi gjithashtu punën e Ministrisë për zbatimin e kushtëzimeve dhe standardeve të BE-së në bujqësi, duke nënvizuar nevojën për një proces të gjerë informimi dhe edukimi të fermerëve, ku organizatat e shoqërisë civile, përfshirë ANRD-në, mund të japin një kontribut të rëndësishëm.
Një moment i veçantë i tryezës ishte prezantimi, për herë të parë në Shqipëri, i Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fermerëve të vegjël dhe Personave të Tjerë që Punojnë në Zonat Rurale (UNDROP). Z. Davit Hakobyan, Nënkryetar i Grupit të Punës të OKB-së për UNDROP, përmes lidhjes online prezantoi arsyet që çuan në miratimin e Deklaratës, rëndësinë e saj për garantimin e të drejtave të fermerëve dhe rolin që ajo luan në orientimin e politikave kombëtare drejt një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut.
Në vijim, znj. Valbona Ylli, Eksperte Kombëtare për Politikat e Zhvillimit Rural pranë FAO Shqipëri, solli një analizë mbi gjendjen e bujqësisë familjare në vend, duke evidentuar sfidat që lidhen me fragmentimin e tokës, regjistrimin e pronës, funksionimin e tregut të tokës, aksesin në financim, shërbimet këshillimore dhe nevojën për politika të bazuara në evidencë. Ajo theksoi se bujqësia dhe zhvillimit rural në Shqipëri.
Më tej, znj. Evelina Azizaj, Koordinatore kombëtare e ANRD, prezantoi Qëndrimin Publik të ANRD-së mbi projektligjin për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj, duke argumentuar se debati nuk duhet të kufizohet vetëm në çështjen e pronësisë, por duhet të shtrihet drejt ndërtimit të një sistemi të integruar të qeverisjes së tokës bujqësore. Dokumenti propozon përshpejtimin e regjistrimit të pronës, hartimin e një politike kombëtare për tokën bujqësore, harmonizimin me strategjitë kombëtare dhe forcimin e konsultimit publik me organizatat e fermerëve dhe aktorët e zhvillimit rural.
Rozeta Gradeci, përfaqësuese e COSPE Shqipëri dhe bashkautore e dokumentit të dytë të ANRD të përgatitur në kuadër të këtij procesi, Të kuptojmë UNDROP – Çfarë do të thotë për Shqipërinë? prezanton për herë të parë në Shqipëri UNDROP si një instrument që mund të kontribuojë në ndërtimin e politikave më gjithëpërfshirëse dhe më të drejta për fermerët dhe komunitetet rurale. Ajo promovon një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut, duke vendosur në qendër njerëzit që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale dhe duke nxitur reflektimin mbi mënyrën se si politikat publike ndikojnë jetesën dhe mirëqenien e tyre.
Në diskutimin e hapur, pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe rekomandime konkrete nga territore të ndryshme të vendit. Përfaqësues të bashkive dhe institucioneve vendore sollën shembuj pozitivë mbi organizimin e fermerëve në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, mbështetjen e varieteteve lokale, shërbimet këshillimore dhe përdorimin e të dhënave statistikore për planifikimin e politikave vendore. U diskutua gjithashtu nevoja për të mbrojtur funksionin bujqësor të tokës, për të vendosur kritere të qarta për përdorimin e saj, për të garantuar akses më të mirë në tokë për fermerët e rinj dhe fermat familjare, si dhe për të zhvilluar procese transparente dhe gjithëpërfshirëse konsultimi gjatë hartimit të legjislacionit.
Një kontribut të rëndësishëm dha edhe Drejtori i Drejtorisë së Administrimit, Konsolidimit dhe Mbikëqyrjes së Tokës në MBZHR, z. Eduart Aliaj i cili prezantoi ecurinë e punës për hartimin e ligjit të ri për konsolidimin e tokës bujqësore. Ai nënvizoi se konsolidimi i tokës është një instrument efektiv për rritjen e konkurrueshmërisë së fermave familjare dhe adresimin e problemeve të trashëguara nga fragmentimi i pronësisë, duke informuar se drafti i ligjit pritet të përfundojë gjatë muajve të ardhshëm dhe se Ministria do të zhvillojë konsultime të gjera me aktorët e interesit.
Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e krijimit të një dialogu të strukturuar ndërmjet institucioneve publike, organizatave të fermerëve, shoqërisë civile dhe partnerëve të zhvillimit për të ndërtuar politika më efektive dhe më gjithëpërfshirëse për bujqësinë familjare. Tryeza konfirmoi se qeverisja e tokës bujqësore duhet të trajtohet si një çështje që lidhet ngushtë me zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, qëndrueshmërinë e territorit dhe procesin e integrimit evropian, ndërsa UNDROP ofron një kornizë të rëndësishme ndërkombëtare për forcimin e të drejtave të fermerëve dhe komuniteteve rurale në Shqipëri.
***
Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në kuadër të projektit “Mbështetje për zhvillim rural gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Shqipëri”, me mbështetjen financiare të We Effect dhe Qeverisë së Suedisë. Përmbajtja e aktivitetit dhe e materialeve të përdorura është përgjegjësi e ANRD-së dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e We Effect apo të Qeverisë së Suedisë.




