Takimi “Animimi i zhvillimit rural në komunitetet lokale të bashkisë Mirditë” është mbajtur në Tenë, Malaj, me pjesëmarrjen e aktorëve kyç të këtij komuniteti. Pjesëmarrës të këtij takimi kanë qenë fermerë dhe përfaqësues të sektorit të zhvillimit rural në bashki. Si rrallë më parë, pjesëmarrëse në këtë takim ka qenë dhe Gjela Doda, nëna 103 vjecare e cila ofroi kontributin e saj në diskutime.
“Ka mbush plot 103 vjeç dhe mbahet me shëndet të plotë, me shtatin si selvi, me teshat bilur të pastra, siç e kanë zakon loket mirditore, personi që vjen nga thellësitë shekullore, sot e mot vazhdon të shërbejë si boshti kryesor rreth të cilit vazhdon të sillet familja e madhe që me djem, nipa e mbesa shkon tek numëri 28-të, ku 16 pjesëtarë të kësaj dere punëtorësh e mikpritësish kanë mbaruar shkollën e lartë.”
Mbajtur në fermën agropërpunuese “Dodaj”, takimi synoi të prezantojë të ftuarit me projektin dhe rezultatet e pritshme të tij, si dhe njëherazi të ndajë me ta momente kyçe që kanë të bëjnë me një këndvështrim europian të zhvillimit rural të fermave në Mirditë.
Ju ftojmë të lexoni artikullin e plotë në https://revista.mapo.al/e-rralle-gjyshja-103-vjece-merr-pjese-ne-seminarin-per-zhvillimin-rural/
Takimi është realizuar në kuadër të projektit “Animimi i zhvillimit rural në komunitetet lokale të bashkisë Mirditë”, mbështetur nga Programi i Grantit për Ngritjen e Kapaciteteve të Shoqërisë Civile dhe Advokimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të projektit ALTER (Territore Aktive Lokale për Zhvillimin Ekonomik të Zonave Rurale), financuar nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga Rrjeti Serb për Zhvillimin Rural, në emër të konsorciumit të partnerëve: Fondacioni për Zhvillimin e Turqisë, Turqi; Rrjeti për Zhvillimin Rural i Malit të Zi; Rrjeti për Zhvillimin Rural i Maqedonisë; Rrjeti për Zhvillimin Rural i BiH – Bosnja dhe Hercegovina; Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Shqipëri; Rrjeti i Organizatave për Zhvillimin Rural të Kosovës; Rrjeti Kroat për Zhvillimin Rural; dhe Forumi Rural i Letonisë.