Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) – Rrjet i organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale – përpiqet të advokojë për politika efektive të zhvillimit rural të cilat adresojnë prioritetet dhe interesat e komuniteteve rurale.
ANRD hap Thirrjen për Pjesëmarrje në Trajnimin kombëtar dy ditor “Advokacia, lobimi dhe rrjetëzimi i OSHC-ve për zhvillimin e qëndrueshëm rural”. Synimi i përgjithshëm i këtij programi trajnimi është rritja e kapaciteteve të OSHC-ve në hulumtim dhe analizë të politikave publike, advokaci, lobim dhe rrjetëzim, me qëllim lehtësimin e përfshirjes së tyre në nisma advokuese për të influencuar procesin e formulimit dhe zbatimit të politikave rurale. Programi i trajnimit synon gjithashtu të mbështesë përfshirjen dhe pozicionimin e përfaqësuesve të OSHC-ve në proceset vendimmarrëse përsa i përket tematikave të lidhura me zhvillimin rural (zhvillimi lokal me pjesëmarrje nëpërmjet qasjes Leader/CLLD, ekonomika e gjelbër, etj).
Thirrja për pjesëmarrje në këtë Program Trajnimi është e hapur për të gjitha OSHC-të, me fokus të veçantë OSHC-të e angazhuara në tematika të ndryshme të zhvillimit rural (bujqësi, agro-përpunim, agro-turizëm, pylltari, barazi gjinore, të rinjtë, zhvillimi lokal i integruar, ekonomi e gjelbër, dialog civil, kooperim dhe partneritet, edukim dhe ngritje kapacitetesh, përfshirje sociale etj.). Nga çdo organizatë mund të aplikojnë jo më shumë se dy përfaqësues.
Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar dhe dërguar Formën e Aplikimit në adresën e-email [email protected] brenda datës 01 prill 2019, ora 12:00. Vetëm aplikantët e përzgjedhur do të kontaktohen brenda datës 04 prill 2019.
Shpenzimet e transportit, akomodimit dhe ushqimit gjatë ditëve të trajnimit do të mbulohen nga organizatorët.