Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) zhvilloi në Shkodër, Trajnimin e Tretë Kombëtar “Bujqësia e Qëndrueshme dhe Zhvillimi Rural” në datat 27 dhe 28 Qershor 2024. Trajnimi solli bashkë 18 pjesëmarrës nga 8 qytete të ndryshme* të Shqipërisë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të rinj të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe subjekte lokale kryesisht të angazhuara në zinxhirin e vlerës së bimëve mjekësore dhe aromatike etj. Ky trajnim vjen në vazhdën e dy trajnimeve të para kombëtare të zhvilluara në Durrës dhe Pogradec.
Qëllimi i trajnimit ishte të zhvilloheshin kapacitete e pjesëmarrësve në bujqësinë e qëndrueshme dhe zhvillimin rural në mënyrë që secili të luajë një rol të rëndësishëm në nivel lokal për orientimit drejt tranzicionit të gjelbër. Pjesëmarrësit e pajisur me njohuri përmes këtij trajnimi do të shërbejnë për ndarjen e këtyre njohurive në komunitetet ku ata veprojnë.
Trajnimi i ofrua nga Z.Tomi Pikuli, Drejtor i Agrinet, Korçë i cili ka një eksperinecë shumë vjeçare në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Trajnimi dy ditor u përqëndrua nga trajneri në zhvillimin e 4 temave të Akademisë nga Ferma në Tryezë: Agroekologjia, Hortikultura e Qëndrueshme, Bujqësia Organike dhe Ekonomia Qarkulluese në Bujqësi.
Pjesëmarrësit në këtë trajnim kishin eksperienca dhe njohuri të ndryshme, kjo e bëri trajnim që të kishte dinamika të vazhdueshme në diskutime dhe në ndarje mendimesh
“Duke qenë e angazhuar në një organizatë joqeveritare që punon në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural kam lexuar shpesh në literaturën ndërkombëtare në lidhje me Ekonominë Qarkulluese në Bujqësi, megjithatë ishte hera e parë që pata mundësinë të jem pjesë e një trajnimi që e trajton këtë tematikë në Shqipëri. Nisma të tilla duhet të jenë më të shpeshta nëse duam të jemi sa më afër integrimit në Bashkimin Europian”- Nermin Shurdha, VIS Albania, Malësi e Madhe.
Gjithashtu trajnimi u pa me shumë vlerë nga të rinj të cilët kanë vendosur t’i dedikohen zhvillimit të zonave rurale: “Do të doja t’i kisha patur këto njohuri në momentin që vendosa të filloj aktivitetin tim. Gjatë këtyre dy ditëve përfitova njohuri të cilat më është dashur shumë kohë dhe përpjekje ti mësoj duke u bazuar në punën time në terren”– Sentiljana Marku, Ferma organike, Mjedrat e Danjes, Vau i Dejës.
“Problemet e Bujqësisë janë kudo në vend, dhe risitë e njohuritë që mora përgjatë këtyre dy ditëve do i përdor jo vetëm në punën time të përditshme, por do bëhem zë për tejçimin e tyre në zonën e veriut”-Benito Prendi, Voluntari nel Mondo RTM
Trajnimi u zhvillua në kuadër të projektit rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin e Gjelbër Perëndimor – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane” financuar nga European Union to Albania dhe zbatuar nga konsorciumi i rrjeteve të zhvillimit rural në 6 Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia dhe nga platforma e Rrjetit Ballkanik për Zhvillim Rural (BRDN)
*Përfaqësuesit në trajnim ishin nga: Tirana, Durrësi, Shkodra, Dibra, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Puka, Korçë.
Fotot e aktivitetit i gjeni në faqen e Facebook të ANRD.