+355 (04) 2400241 [email protected]

Përgjatë muajit mars 2019, organizatat zbatuese të projektit ‘Rrjetëzim për Zhvillimin Rural me Pjesëmarrje’ – IDM, AgriNet dhe  AgroPuka, organizuan me anëtarët e Forumit të Drinit, Arbërit, Egnatias dhe Vjosës, katër workshope rajonale ‘Përvojat ekzistuese dhe perspektiva për zbatimin e qasjes LEADER në territor’.

Workshopet u organizuan në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Z. Grigor Gjeci, Autoriteti Menaxhues i IPARD dhe njëkohësisht Drejtor i Politikave Bujqësore dhe Rurale ka qenë prezent në këto workshope duke konfirmuar rëndësinë dhe angazhimin në konsolidimin e partneritetit ndërmjet aktorëve publik dhe jo-publik në zhvillimin rural, veçanërisht në zbatimin e qasjes Leader.

Katër workshopet shërbyen për të shkëmbyer përvoja, njohuri dhe perspektiva mbi zbatimin e instrumentit të politikës së përbashkët bujqësore të BE për zhvillimin e integruar rural – Qasjes Leader – duke sjellë së bashku rreth 120 pjesëmarrës, përfaqësues të OSHC-ve aktive, të bashkive, Grupeve lokale të Veprimit, shoqatave të fermerëve, sipërmarrjeve të ndryshme rurale, etj.

Koordinatorja Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural bëri një prezantim të detajuar të qasjes LEADER, tiparet kryesore të këtij instrumenti si dhe udhëzime në lidhje me hapat e veprimit për të zbatuar qasjen Leader në frymën dhe parimet që promovohen nga Politika e Përbashkët Bujqësore e BE-së.

z. Gjeci, në pozicionin e Drejtorit të Programimit dhe Monitorimit të IPARD – struktura përgjegjëse për planifikimin, inkurajimin dhe zbatimin  e qasjes LEADER në Shqipëri në kuadër të programit IPARD II – i njohu pjesëmarrësit me qasjen Leader në kuadrin kombëtar të politikës së bujqësisë dhe zhvillimit rural; planin për akreditimin e masës mbi zbatimin e qasjes LEADER si dhe; ecurinë e projekt ligjit për ngritjen dhe funksionimin e Grupeve Lokale të Veprimit.

Workshopet ofruan hapësirë për t’u njohur me nisma konkrete në zbatimin e qasjes Leader. Roli dhe kontributi i aktorëve të ndryshëm në lidhje me dinamikën që kërkon zbatimi i qasjes Leader në nivel lokal ishte në thelb të prezantimeve dhe diskutimeve. Për rrjedhojë, përfaqësues nga GLV të ndryshme të krijuara në vitet e fundit, si dhe përfaqësues të organizatave dhe institucione të përfshira në nisma të ngjashme ndanë përvojat e tyre dhe sfidat që ndeshin në zbatimin e këtij instrumenti.

Për më shumë informacion, ju lutem na kontaktoni në adresën e-mail [email protected].